Fan Noli-Behar Shtyllës në SHBA: Si e kam komandantin! (për Enver Hoxhën)

Nga Bajram Mjeku

Në Boston u njohëm edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Fan Noli. Kur kishe fatin edhe të bisedoje me të, ishte pasuria më e madhe në botë. Megjithëse baba kishte qenë imam xhamie në Krumë, çdo të diel vishej bukur dhe më thoshte:

– Çohu djali im. Sot do të shkojmë në meshën e kryeministrit Noli!

Baba gjithmonë më shtrëngonte dorën kur niseshim në meshë. Krijoja ndjesinë sikur kishte parandenjë se më humbiste në turmën e njerëzve në qytetin përtej oqeanit, ku shpresat për t’u kthyer në atdhe vyshkeshin çdo ditë.

Kur hynim në Kishën e Shën Gjergjit në Boston, peshkop Nolit i qeshte fytyra. Ishte i dashur, erudit i madh, diplomat, shkrimtar, përkthyes brilant… Thjeshtë ishte personalitet i shquar. Ai ishte gjithçka, veç kryeministër i Shqipërisë s’do të duhej të ishte kurrë. Për habinë time, një ditë nisi të flas për Karl Marksin. E vështrova babën. Në heshtjen që po mbretëronte në kishën e Shën Gjergjit në Boston, baba nuk foli, veçse buza i shkoi në gaz. Për Marksin peshkop Noli foli edhe në disa mesha të tjera. Një ditë më humbi durimi. Sapo dolëm nga kisha, iu drejtova babës:

– Pse vijmë në kishë? Fundja ti je hoxhë, Noli është prift. Ti je antikomunist, ai adhurues i kësaj ideologjie. A nuk e braktisëm Shqipërinë për shkak të ideologjisë marksist-leniniste?!

Baba më vështroi gjatë. E pashë që iu tha goja. Për disa çaste vështroi qiellin, pastaj u drejtua kah unë e tha:

– E kemi patur gjashtë muaj Kryeministër, prandaj e respektoj.

Kur e vizitonim në banesën e tij të vogël në Boston, Noli fliste me pasion për kulturën shqiptare, muzikën klasike, letërsinë e përbotshme… Në veçanti fliste me pasion për Shekspirin e Betovenin. Në ndeja të ngushta, asnjëherë nuk fliste për kundërshtarët e tij politik. Përkundrazi i çmonte jashtëzakonisht Faik Konicën dhe të tjerët.

Noli ishte mik i ngushtë me Qerim Panaritin. Ky i fundit kujdesej për gjithçka që ai kishte nevojë. Fan Noli çdo vit i kalonte pushimet dimërore në Floridë. Ditën e 20 dhjetorit të vitit 1964, bashkë me të ishte edhe Qerim Panariti. Kjo ditë ishte e pazakontë. Noli e Panariti kishin caktuar takim në stacionin e trenit në Pensilvania me Behar Shtyllën, ministër i Jashtëm i Shqipërisë komuniste. Shtylla kryesonte delegacionin shqiptar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Neë York. Pas përshëndetjeve, hynë në një restorant në stacionin e trenit. Tre personazhet zhvilluan këtë bisedë:

FAN NOLI: Shkëlqesi si janë punët?

BEHAR SHTYLLA: Shumë mirë Hirësi!

FAN NOLI: Si e kemi Komandarin?! (është fjala për Enver Hoxhën).

BEHAR SHTYLLA: Mirë është Hirësi dhe ju bën të fala!

FAN NOLI: Faleminderit! A mund t’ua bëj një kërkesë?

BEHAR SHTYLLA: Fjalë janë këto Hirësi, urdhëroni?

FAN NOLI: Është fjala për Faik Konicën. E ka lënë amanet që eshtrat e tij të rivarrosen në Shqipëri. E pranon Guverna (Qeveria) juaj këtë gjë?

BEHAR SHTYLLA: Hirësi, eshtrat e tij mund të kthehen në Shqipëri, por Konica së pari duhet të gjykohet. Sipas Kushtetutës së Republikës Popullore të Shqipërisë, eshtrat e Konicës duhet të rivarrosen në varrezat e të dënuarve për aq kohë sa e dënon gjyqi. Pas gjyqit, në rast se Konica shpallet i pafajshëm, eshtrat e tij mund të rivarrosen në varrezat e zakonshme!

FAN NOLI: Pse të shkoj në gjyq Faik Konica? (pyeti Noli i shqetësuar dhe nisi t’i shpjegojë ministrit Shtylla meritat e Konicës. I foli për zbulimin e Flamurit Kombëtar në Muzeun e Londrës, për rolin e tij të madh si ambasador fuqiplotë i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për gjithë kontributin madhor të Konicës për të mirën e Shqipërisë).

BEHAR SHTYLLA: Më vjen keq Hirësi, por ai duhet të dal në gjyqin e popullit. Gjithçka varet nga vendimi i gjyqit.

Noli gjatë bisedës me Shtyllën, Konicën e quante “Ustai”.

Fan Noli u habit nga përgjigja e Behar Shtyllës rreth rivarrimit të eshtrave të Konicës. Ishte hera e parë që Noli nisi të dyshonte në Qeverinë komuniste të Tiranës. Iu deshën plot njëzet vjet që të kuptonte të vërtetën e regjimit komunist në Shqipëri. Që nga dita kur u takua me Shtyllën, asnjëherë nuk e zuri në gojë as Shqipërinë komuniste, as “Komandarin” e saj.

* Artikulli publikohet sipas shënimeve të mikut tim Gani Perolli, i cili që nga viti 1956 jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

* Titulli origjinal i artikullit: Si e njoha Xhafer Devën e Fan Nolin?

* Është shkëputur  vetëm pjesa ku flit et për takimin me Nolin…

SHKARKO APP