Fevziu: Qëllimi i Ramës të qeverisë vendin me një parti të vetme, PD kontrollon vetëm dy bashki
Gazetari Blendi Fevziu, i ftuar këtë mbrëmje në emisionin ”Të Paekspozuarit”, thotë se mënyra si po konsolidohet pushteti i kryeministrit Edi Rama po e zhvendos vendin drejt një modeli qeverisjeje me një parti të vetme, ku opozita nuk ekziston. Për të pas 35 vitesh nga rënia e sistemit totalitar, vendi ka humbur hapësirën demokratike që kishte dikur, ndërsa pushteti është përqendruar plotësisht në duart e Ramës, pa balancë politike apo institucionale.
”A është arrogancë mbledhja e drejtuesve të Partisë Demokratike nëpër rrethe dhe vendosja e tyre në poste? Kjo përbën një tentativë për ta çuar vendin drejt një sistemi me një parti të vetme, ku opozita pothuajse nuk ekziston. Kur merr edhe drejtuesit e opozitës, pra kur përfshin edhe ata, kalon vetvetiu në një fazë tjetër të diskutimit.
Problemi qëndron këtu: pas 35 vitesh transformimi të Shqipërisë dhe pas rënies së sistemit totalitar, vendi nuk e ka më hapësirën demokratike që kishte dikur. Nuk e ka më debatin politik që kishte më parë, nuk e ka më balancën politike të dikurshme, nuk ka më pushtet qendror të ndarë, as pushtet lokal të pavarur. Partia Demokratike në të gjithë Shqipërinë, kontrollon vetëm Kavajën dhe Pukën. E kupton çfarë do të thotë kjo? Ai ka marrë të gjithë pushtetin lokal dhe qendror në vend.
Ka 83 mandate në parlament ashtu siç kishte Berisha tre të pestat në vitin 1992, dhe socialistët po aq në vitin 1997. Por atëherë ekzistonte një balancë, si në pushtetin lokal ashtu edhe në institucione. Sot kjo balancë nuk ekziston më. Nuk ka, dhe nuk mund të ketë, sepse ai vazhdon të fitojë me të njëjtin ritëm. Ose do të ketë ndërhyrje nga ndërkombëtarët gjë që nuk duket, pasi ata nuk shfaqin asnjë shqetësim për të ndërhyrë ose hapësira demokratike do të vijë duke u ngushtuar gjithnjë e më shumë. Ky nuk është vetëm një fenomen shqiptar; është një dukuri që po ndodh në mbarë botën. Madje edhe në Shtetet e Bashkuara shohim protesta dhe pakënaqësi të thella për mënyrën se si funksionon demokracia”.
KOHA JONË SONDAZH

