Firmoset marrëveshja me Fondin e Katarit për sheshin fundor te “Bulevardi i Ri”
Bashkia e Tiranës dhe Fondi për Zhvillim i Katarit firmosën sot marrëveshjen për grantin 11 milionë euro për realizimin e sheshit fundor te Bulevardi i Ri. Marrëveshja u firmos nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtori e Fondit për Zhvillim i Katarit, Sultan Ahmad Al Asseri. I pranishëm ishte edhe ambasadori i Katarit në Tiranë, Jabor Ali H.A. Al Dosari.
Kryebashkiaku Veliaj tha se sheshi “Katar”, i cili do të ndërtohet në fund të “Bulevardit të Ri”, do të jetë pajë për Tiranën e së nesërmes. “Është një kënaqësi e jashtëzakonshme që finalizojmë një projekt të një natyre të veçantë për qytetin. Është një projekt, i cili do të mbetet këtu për shekuj me radhë. Me këtë donacion bujar, një grant prej 11 milionë eurosh, do të kemi mundësinë të bëjmë një punë cilësore, që do t’i ngelet Tiranës për qindra vite, ashtu siç edhe miqësia mes Shqipërisë dhe Katarit do të vazhdojë me qindra vite. U jam vërtet mirënjohës sepse ky është një nga grantet më të mëdha që ka marrë qyteti i Tiranës që prej themelimit”, tha Veliaj.
Ai shtoi se me ndërtimin e sheshit “Katar” do të shtohen edhe 200 vende parkimi dhe projekti shërben edhe si një lidhje organike me Kamzën. “Sheshi “Katar”, ose sheshi fundor i Bulevardit të Ri, do të ketë 200 vende parkimi nëntokë; do të ketë edhe një seri lulishtesh, impiant të pastrimit të ujit të lumit, i cili do të filtrohet për ta kthyer sheshin në një hapësirë rikrijuese, çlodhëse, që do i shtojë vlerën e pronës. Ky shesh do të do të shërbejë edhe si një lidhjen organike me Kamzën”, tha Veliaj.
Lidhur me situatën e krijuar në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Tiranës, Veliaj tha se qëllimi i tij është të drejtojë qytetin dhe se bashkia fokusohet te puna dhe jo te zhurma. “E di që në qytet ka debate, ato skenat në Këshillin Bashkiak nuk ndihmojnë, por qëllimi im është që të drejtoj qytetin. Unë s’mund të drejtoj jetën e secilit që ka humbur rrugën. Por, ambicia e kësaj bashkie është që të punojë për qytetin dhe të lërë një gjurmë në qytet. Ne nuk do fokusohemi fare te zhurma, do shohim përpara”, nënvizoi Veliaj.
Po kështu sot Ministri i Pushtetit Vendor Arbjan Mazniku priti delegacionin nga Kuvajti.
Pas takimit Mazniku shkruan: “Me Katarin na kanë lidhur ditët e vështira pas tërmetit të vitit 2019, me ndihmën që na ofruan në ndërtimin e shkollave të reja dhe na lidhin ditë të mira si granti për ndërtimin e sheshit të bulevardit të ri të Tiranës.
Me ambasadorin e shtetit të Katarit, Sh. T. Z Jabor Ali Hussein Al Hawashela Al Dossari, biseduam për mundësitë e bashkëpunimit në nivel lokal, në fushat e turizmit, energjisë, teknologjisë dhe inovacionit si dhe për marrëdhënien mes dy vendeve që forcohen vazhdimisht”.