Flet Euronews për azilkërkuesit. Pse heshtin “ekspertët” e ekonomisë?!

Azilkërkuesit shqiptarë janë tashmë kthyer në një çështje për vendet e BE-së dhe mediat më të njohura në Europë. Kthimi i emigrantëve shqiptarë në Shqipëri, pas refuzimit të kërkesës për azil nga Gjermania është në fokus edhe të medieve më prestigjioze në kontinent.  Përmes një reportazhi, Euronews, është përpjekur të hedhë dritë mbi arsyet që shtyjnë shqiptarët të kërkojnë azil në Gjermani.  – “Ne shkuam në Gjermani, për të punuar dhe jo për të lypur para apo përfitime sociale”, – tregon një shqiptar i pyetur nga Euronews. – “Shkuam në një kamp refugjatësh. Nuk ishte e drejtë dhe nuk na thanë nëse vendimi ishte pozitiv apo negativ për azilin.  Më pas na nxorën nga kampi, na hipën në avion dhe na kthyen në Shqipëri”. Shqipëria është një ndër vendet më të varfra të Europës, nënvizohet më tej në reportazh, ku e ardhura reale për një person është 280 euro në muaj. Shifra e papunësisë është 18% dhe vendi po lufton çështje të rëndësishme të korrupsionit. Berlini e shpalli Shqipërinë në vendet e sigurta të origjinës dhe për këtë arsye shqiptarët nuk përfitojnë azil. Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, përmendi dy arsye, i pyetur për largimin e shqiptarëve dhe kërkesën e tyre për azil në Gjermani: “Nga njëra anë”, – theksoi ai, “është kriza në Greqi, e cila i ka shtyrë shqiptarët drejt vendeve të BE -së, ndërsa në anën tjetër është besimi i rremë se mund të shkosh dhe të gjesh zgjidhje ekonomike në vendet e tjera.” Sakaq, Ermal Milori, kreu i Policisë Kufitare në Aeroportin e Tiranës, thotë se janë zbuluar shumë raste që janë kthyer nga Europa dhe ata kishin kryer krime në Shqipëri. Autoritetet gjermane, përmes disa njoftimeve në gazeta kanë paralajmëruar për trafikantët dhe përfituesit që shpërndajnë lajme të rreme për marrjen e azilit. Por, sipas Euronews, mijëra njerëz kanë zbuluar se e vërteta është krejt e ndryshme.

 

E vërteta e azilkërkuesve dhe e ekspertëve të ekonomisë

E vërteta më e madhe se pse shqiptarë largohen kaq masivisht prej gati dy dekadash është se ata që duan vërtet të punojnë nuk shohin perspektivë në vendin e tyre, për shkak të varfërisë dhe korrupsionit të lartë që “i gëzohet” vetëm një pjesë e vogël e popullsisë. Automatikisht punësimet nuk bazohen tek aftësitë e tyre, por tek lidhjet nepotike dhe apo edhe pagesa për të fituar një vend pune. Në këto kushte, me “një administratë të kalbur” nga korrupsioni edhe ekonomia nuk ka si të ngrihet e të përmirësohet për të gjeneruar para e vende të reja pune. Zor se gjen në Shqipëri ndonjë ekspert ekonomie të jetë i shqetësuar apo të flasë mbi këtë fenomen. Por i gjen kudo në ekrane apo zyra, duke vënë pikat mbi "i" mbi ekonominë, çdo ditë. Problemi qëndron edhe te “gradat” e tyre apo karriera personale, që nuk i shërben aspak fateve të zhvillimit të vendit. Pas rënies së komunizmit, Shqipërisë i është larguar vazhdimisht krahu i  punës. Ekonomia shqiptare, që deri dje mbahej kryesisht nga remitancat, sot është në krizë sepse nuk i ka më të ardhurat që i vinin dikur, dhe kjo kryesisht nga kriza greke dhe italiane. Fakt ky që tregon se në Shqipëri nuk punohet dhe  nuk prodhohet, por…as nuk përbën shqetësim, për fat të keq!      

A.      Muraçi

SHKARKO APP