FMN konfirmon: Ekonomia shqiptare, udhëheqëse në rajon

Placeholder Image

Fondi Monetar Ndërkombëtar konfirmoi parashikimin se ekonomia shqiptare do të ketë rritjen më të lartë në rajon gjatë këtij viti. Në raportin e sapopublikuar mbi perspektivën e ekonomisë globale, FMN-ja deklaroi se prodhimi kombëtar i Shqipërisë do të rritet këtë vit me 3.7 për qind, nga 3.5 për qind sa u rrit vitin e kaluar. Sipas FMN-së, kjo është ecuria më e mirë në Ballkanin Perëndimor dhe do të ndiqet nga një tjetër shtet shqiptar, Republika e Kosovës. Ekonomia kosovare pritet të rritet me 3.5 për qind, ndërsa në Malin e Zi dhe Maqedoni, prodhimi kombëtar do të zgjerohet respektivisht me 3.3 dhe 3.2 për qind.

Por veç pritshmërive më optimiste për ekonomitë e ngjashme të rajonit, lajmi tjetër i mirë për Shqipërinë është dalja nga kriza shumëvjeçare e Greqisë, një shtet me ndikim të madh ekonomik në Shqipëri. Sipas FMN-së, pas shumë vitesh rënieje dhe stanjacioni ekonomik, ekonomia greke do të rritet me 2.2 për qind këtë vit, ndërkohë që Italia, një tjetër ekonomi me ndikim përcaktues për Shqipërinë, do të rritet me 0.8 për qind.

Për herë të parë pas 6 vitesh, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka pikturuar një panoramë optimiste për ekonominë botërore. Sipas FMN-së, rritja ekonomike po forcohet dhe pritshmëritë janë përmirësuar, si për ekonomitë e zhvilluara, ashtu dhe për vendet në zhvillim. Ekspertët e FMN-së e rishikuan për lart parashikimin për rritjen ekonomike të botës gjatë këtij viti, nga 3.4 për qind që mendohej më parë, në 3.5 për qind. Për vitin e kaluar, shifra ishte 3 për qind. Gjatë prezantimit të raportit, Moris Obstfeld, kryeekonomisti i FMN-së deklaroi se që nga mesi i vitit 2016, ekonomia botërore po prodhon të dhëna pozitive, të cilat sipas tij kanë krijuar besimin se viti aktual dhe ai i ardhshmi do të jenë dukshëm më të mirë.

SHKARKO APP