Forumi Ekonomik Shqipëri – Hungari, nënshkruhen 5 memorandume

Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA),institucion në varësinë e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, në bashkëpunim me Ambasadën e Hungarisë në Tiranë dhe Dhomën Hungareze të Tregtisë organizuan sot Forumin Ekonomik Shqipëri – Hungari. Ky forum synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, rritjen e partneritetit si dhe shkëmbimin e eksperiencave midis bizneseve. Në këtë aktivitet morën pjesë 20 kompani hungareze te cilat kanë shprehur interesin e tyre për partneritet me kompani shqiptare dhe kanë parë nga afër mundësitë për të investuar në Shqipëri.

Të pranishëm në aktivitet ishin Ministri i Shtetit Hungarez për Diplomacinë Ekonomike, z. Levente Magyar, dhe Zv/Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, Znj. Adela Karapici, Drejtori Ekzekutiv i AIDA-s, z. Genti Beqiri, si edhe përfaqësues të tjerë të lartë të dhomave hungareze të biznesit dhe kompanive.

Pas fjalës së hapjes së konferencës nga ana e dy bashkëkryetarëve të komisionit të përbashkët ekonomik Shqipëri-Hungari, znj. Karapici dhe z. Magyar, u nënshkruan 5 memorandume mirëkuptimi, një nga të cilat mes AIDA-s dhe Dhomës Kombëtare Hungareze të Tregtisë për më shumë bashkëpunim mes palëve sidomos në fushën e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Më pas në forumin e biznesit Shqipëri-H​ungari, drejtori ekzekutiv i AIDA-s, z. Genti Beqiri u bëri një prezantim të shkurtër kompanive hungareze në lidhje me klimën e favorshme dhe mundësitë për të investuar në Shqipëri, si edhe rolin e Agjencisë si një institucion gjithnjë në ndihmë të bizneseve që në kontaktet e para për investimin e deri te asistenca pas nisjes së tij.

Kompanitë hungareze dhe ato shqiptare kanë vendosur kontakte dhe kanë komunikuar për mundësitë e bashkëpunimit në takimet B2B mes tyre. Kompanitë hungareze janë ndër më prestigjozet në sektorët e Agroindustrisë, ICT-së, Industrisë së Lehtë, Mjedisit, Energjisë së Rinovueshme, Ndërtimit dhe Elektronikës, të tilla si: Modernova Ltd, ELCOM Electronics and Communication LTD, Ongropack Ltd, Inëatech Environmental Ltd, Aqvital Mineral Water Co, UNICHEM Chemical Industry,Trade and Service Ltd, EastEuroCo Executive Search Group, 3F PROJECT Ltd, CEH Inc, Hidrocomplex Consulting Engineering Ltd, Studio A4 Office Ltd, ARH Inc., Kristaly Ltd, Amnis Water Technology Ltd, Ble-Sys Heëa Systems and Engineering Ltd., Naturaqua Environmental Protection Design and Service Ltd, Duplitec Kft dhe Globál Sport LLC.

SHKARKO APP