Gjiknuri: Qytetarët, pagesa masive për energjinë, në nëntor humbjet arritën 32%

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, deklaroi sot në Kuvend se niveli i humbjeve të energjisë për muajin nëntor arriti në 32%, nga 47% që ishte në nëntor te 2013. “Njerëzit po ndërgjegjësohen dhe po paguajnë masivisht faturat e energjisë”, tha Gjiknuri. Ai bëri të ditur se në 10-ditëshin e fundit në sportelet e OSHEE-së qytetarët kanë lidhur 7100 kontrata të reja për pagesat me këste dhe pagim direkt, duke mënjanuar pagesën e debisë. Gjithashtu, Gjiknuri njoftoi nisjen e disbursimit te borxhit, që KESH-i ka ndaj prodhueseve të vegjël të energjisë. Ministri duke u ndalur tek reforma e re në sektorin energjisë elektrike, tha se në vitin 2015 liberalizimi i tregut të energjisë do të përfshijë dhe linjat 35 Kv për klientët e ndryshëm. Gjiknuri shpjegoi për deputetët sot në seancën plenare marrëveshjen me Bankën Botërore për kredinë me vlerë 150 milionë usd.

Ministri e quajti të domosdoshme këtë kredi. “Kjo kredi ka rëndësi pas një privatizimi të dështuar dhe është një injeksion i nevojshëm për sektorin e shërndarjes, ku vitet e fundit nuk është bërë asnjë lloj investimi nga CEZ-i”, tha ai.

Ministri shpjegoi dhe mënyrën e shpërndarjes së kësaj shumë tek OSHEE, KESH, OST dhe njësia e mbikqyrjes së projektit të BB. “Ne po synojmë qëndrat e banuara ku jeton më shumë me 50% e popullsisë, ku do të ketë investime në sistemin e matjes dhe transmetimit”, tha Gjiknuri. Sipas tij, kredia e BB-së prej 150 milionë usd kthen besimin e institucioneve të tjera ndërkombëtare dhe nuk do të jetë e vetme.

“Një paketë tjetër prej 100 milionë usd pritet të arrihet me tre institucione të tjera financiare ndërkombëtare”, tha ministri. Ai bëri të ditur faturën financiare për të cilën ka nevojë sektori energjetik që të afrojë garanci të plotë. “Gjithë sistemi ka nevojë për gati 1 miliardë usd”, tha Gjiknuri, duke njoftuar se deri n ë vitin 2020 do të investohen 450 milionë usd. Ministri gjithashtu shpjegoi edhe mundësitë që po studiohen në bashkëpunim me bankën gjermane Kfw për sektorin e shpërndarjes së energjisë sipas praktikave që njihen në botë, ndër të cilat edhe dhënien e menaxhimit të OSHEE-së për kompani të specializuara si rruga që e bën më eficente. Sipas Gjiknurit, “një administrim i i tillë shmang edhe ndërhyrjet e politikës”, ndërsa la të hapura opsionet e një privatizimi të pjesshëm pas vënies në eficencë të kompanisë.

SHKARKO APP