Gjiknuri: Sektori energjitik ka filluar rimëkëmbjen, dhjetra qytetarë të varfër në biruca

Aksioni kundër vjedhjes dhe abuzimit me energjinë elektrike ka dhënë frytet e para, duke e futur sektorin energjitik në rrugën e  rimëkëmbjes. Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri theksoi se arkëtimet janë rritur në mënyrë të ndjeshme dhe qytetarët po mbështesin masivisht aksionin për vendosjen e ligjshmërisë.  Sipas ministrit Gjiknuri, deri tani janë lidhur 16793 marrëveshje mes OSHEE-së dhe qytetarëve për shlyerjen e faturave të papaguara, ndërsa 7318 konsumatorë familjarë kanë përfituar nga ulja me 80% e kamatëvonesës, pasi kanë shlyer të gjithë borxhin e tyre.

“Qytetarët po e mbështesin masivisht rivendosjen e disiplinës së pagesave dhe luftën ndaj fenomenit të vjedhjes së energjisë. Vetëm prej datës 4 dhjetor, kur hyri në zbatim skema lehtësuese e pagesave, deri ditën e djeshme, rezultojnë të jenë lidhur 16,793 marrëveshje. Prej tyre, 7,318 klientë familjarë kanë përfituar zbritjen 80% të kamatëvonesës duke likujduar plotësisht borxhet e akumuluara ndaj kompanisë së shpërndarjes. Në këto ditë janë lidhur 967 akt marrëveshje për shlyerjen e detyrimeve me këste për familje të klasifikuara në ndihmë ekonomike. Mbështetja e vazhdueshme që qytetarët e ndershëm po i japin rivendosjes së disiplinës së pagesave dhe luftës ndaj vjedhjes së energjisë janë treguesit më të qartë se rimëkëmbja e sektorit energjitik ka filluar.”- deklaroi Gjiknuri.

Ministri Gjiknuri tha se tashmë ka nisur shlyerja e borxheve të akumuluara ndaj prodhuesve të vegjël të energjisë, duke u dhënë kështu frymëmarrje edhe investimeve private.

“Detyrimi ndaj HEC-eve private përfshire HEC Ashta, për periudhën Janar-Tetor 2014 është 7.89 miliard lekë. Deri në fund të vitit, detyrimi parashikohet të arrijë deri në 8.87 miliard lekë. Nga ky borxh është likujduar 2.99 miliard lekë ose 34% e tij. Ka filluar këto ditë likujdimi me mbi 1.1 miliard lekë i detyrimeve, i cili do të plotësohet brenda këtij muaji edhe me 2 miliard lekë të tjera, duke arritur në një shlyerje të borxhit në nivelin mbi 70%.  Brenda muajit Prill 2015, ky detyrim do të jetë bërë e mundur të shlyhet 100% dhe ndërkohë nuk do të ketë asnjë faturë korente të papaguar.”- tha Gjiknuri.

SHKARKO APP