
Gjykata e Lartë ka vendosur që ankimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me kallëzimin e njohur si çështja “Nesti Angoni”, të shqyrtohet nga Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Kolegji Penal zgjidhi konfliktin e kompetencës mes kësaj gjykate dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), duke përcaktuar institucionin që duhet të marrë në shqyrtim kërkesën e kryebashkiakut.
Veliaj kërkon shfuqizimin e vendimit të datës 8 maj 2026, me të cilin është vendosur mosfillimi i procedimit penal. Përmes ankimit, ai kërkon gjithashtu regjistrimin e procedimit dhe kryerjen e veprimeve hetimore për rastin.
Në thelb të kallëzimit qëndron dokumenti i nënshkruar në emër të “Nesti Angonit”, i cili shërbeu si bazë për nisjen e procedimit ndaj Veliajt. Sipas verifikimeve zyrtare të referuara në kallëzim, personi me këtë identitet nuk rezulton i regjistruar në regjistrat e gjendjes civile.
Tashmë, i takon Gjykatës së Tiranës të shqyrtojë ankimin dhe të vendosë nëse ka vend për të urdhëruar vijimin e veprimeve hetimore nga prokuroria.
