Hiçi i Madh

Nga Admir Malaj/Ndodh shpesh, që në vendin tonë të ketë skandale dhe të ndizen debate flak’.  Ndodh shumë shpesh, që pjesë të pushtetit t’i çjerrin maskën njëri – tjetrit me deklarata prozë dhe poezi.  Ndodh akoma më shpesh, që fatet tona të duken të varura nga një moment i vetëm përballjeje midis Burrave të Shtetit.

Ne presim ata, për të kuptuar se çfarë do të ndodhë, se çfarë fati do kemi, se çfarë fjale të rëndësishme do thonë, ata.  Sa herë ndodhin gjëra të tilla, unë kthej shikimin nga babai im, por ai nuk duket të jetë shumë i interesuar. Ka gjithnjë të njëjtën shprehje: “Kot e kanë! Për dy – tre ditë kjo gjë do mbarojë!”

Faktikisht ka të drejtë! Gjithnjë ndodh kështu! Pas disa ditësh skandali mbaron, deklaratat harrohen dhe Burrat e Shtetit janë duke u marrë me ndonjë gjë tjetër, padyshim shumë të rëndësishme për fatet tona.

Ata, Burrat e Shtetit, janë gjithnjë aty! Vetëm ndonjë Partizan ose Partizane bie dëshmor. Humbasin edhe Miqtë tanë të Huaj, të cilët kthehen në trojet e tyre, duke na lënë ne në fatet tona.

Disa here na ndërrojnë ato e disa herë i ndërrojnë ne. Pasi ato duhet të jenë miq të Burrave të Shtetit se ndryshe nuk jane më miq tanë.

Jetojmë në një telefilm, ku të rëndësishëm janë aktorët kryesorë, Burrat e Shtetit, ndërsa ne jemi fshati i shkartisur e hallëmadh që duartroket bëmat e tyre heroike.

Sa telefilma të tillë ka parë brezi im, ai para dhe ai pas?

Ndërkohë asgjë nuk ndërtohet! Të gjithë të ngrirë ne, Shoqëria, të gjithë në aksion ata, Burrat e Shtetit. Nga Administratorë janë bërë Pronarë të së mirës publike!

Ndërkohë ne vazhdojmë të jemi të ngrirë dhe presim ndonjë mrekulli nga jashtë, presim një Princ të Kaltër të na çlirojë, apo ndonjë kampion si Maradona që të shënojë për ne. Më në fund të bërtasim : Gooool!

Ka dhe nga ata që na ulërijnë mjerimin tonë, Migjenianët, që duan të na çojnë nga gjumi. Po ne nuk po flemë, ne thjesht jemi të ngrirë!

Ata (Migjenianët) bëjnë më keq akoma, pasi na panikosin dhe ngrijnë akoma më shumë. Ndofta dhe ata atë duan, që ne, Shoqëria, të mos marrim aksion, pasi aksioni në vetvete është heroik dhe vetëm për Burrat e Shtetit.

Çfarë është gjithë kjo situatë?

E gjitha kjo është koha e Hiçit të Madh që ne kemi ndërtuar!

Secili nga ne ka kontributin e tij në këtë absurd shoqëroro – ekonomik.

Kush është alternativa?

Alternativa është e thjeshtë fare! Zgjidhja nuk vjen as nga jashtë, as nga lart dhe as nga kaluara. Zgjidhja ka qenë gjithnjë aty para syve tanë:

Familja, komshinjtë, bashkëqytetarët tonë, pikërisht ata të cilët ne injorojmë, per të parë vetëm nga Burrat e Shtetit. Puna reale, për të ndertuar atë komunitet që tani nuk kemi.

Me Hiçin e Madh nuk kemi veç një betejë, por kemi një luftë. Kështu që të mësohemi të jemi gjithnjë në aksion, jo vetëm një herë, për ndërtimin e vendit tonë, pafundësisht, kundër Hiçit të Madh! #ZëriIntegrimit

SHKARKO APP