Identikiti i një të mbijetuari nga dekriminalizimi
Nga Mero Baze
Fatmir Mediu është një i mbijetuar i madh ndaj përpjekjeve të drejtësisë shqiptare dhe asaj ndërkombëtare për ta penalizuar. Siç përshkruhet në një vendim të Gjykatës së Milanos që gazeta Tema ka nisur ta botojë sot të plotë, ai është ndaluar në aeroport, pasi i kishte nxjerrë vizë një qytetari shqiptar nga Berati, duke i falsifikuar pasaportën dhe duke e paraqitur atë me vetëdije që ishte një i ftuar në Strazburg, në një konferencë ndërkombëtare kundër krimit të organizuar, si pjesë e delegacionit parlamentar shqiptar. Fataliteti ishte në ditën e tij. Qytetari në fjalë ishte nën kërkim pikërisht si pjesë e krimit të organizuar dhe u ndalua në aeroport, ndërkohë që Mediu tentoi të merrte përsipër identitetin fals të tij dhe legjitimitetin si pjesë e delegacionit shqiptar. Kaq i mjaftoi Gjykatës italiane që ta përfshinte si të pandehur dhe ta dënonte me tri vite burg dhe ndalim të përjtshëm për të pasur poste publike. Këtë vendim e dinin të gjithë. E dinte Sali Berisha, Fatos Nano dhe gjithkush që qeveriste, ndërkohë që Mediu ishte në opozitë. Por nuk ia përmendte askush. Mediu shmangte udhëtimet nga Italia dhe tentonte të ishte “opozita konstruktive” në Shqipëri. Nëse Berisha radikalizonte opozitën, Mediu dilte si më i moderuar. Nëse Berisha kërkonte protesta, ai kërkonte një gjuhë më bashkëpunuese me Fatos Nanon. Dhe aty në vitin e mjaltit Berisha-Nano, në 2003-shin, përmes lidhjeve politike që shkonin deri tek Berluskoni, Mediu i shpëtoi ekzekutimit të dënimit nga Gjykata e Apelit të Milanos.
Sali Berisha e përfshiu në qeverinë e tij në vitin 2005 si Ministër të Mbrojtjes. Por sapo u bë Ministër i Mbrojtjes, ai u shfaq si aksioner i fshehur tek spitali privat që ndërtohej brenda Spitalit Ushtarak, nën emrin e një biznesmeni shqiptaro-amerikan që e ka mik familje, aksione që u rishitën pasi ai iku si Ministër i Mbrojtjes.
Llogaritë e tij personale u frynë me qindra-mijëra euro nën pretendimin e ndihmës financiare që i dhanë shumë bisnesmenë për një sëmundje të një pjesëtari të familjes, ndërsa ILKPD verifikoi se ky person nuk justifikonte dot kreditë prej qindra mijëra eurosh për apartamente luksoze me rrogën e tij modeste. Ndërkohë si për t’i vënë kapakun gjithçkaje, ai ishte përfshirë i tëri në historinë e demontimit në Gërdec, ku Mihal Delijorgji me Shkëlzen Berishën gjetën tek ai njeriun e duhur, që me një lehtësi të papërballueshme i hapi derën një katastrofe që vrau 26 persona. Prokuroria shqiptare provoi se Shkëlzen Berisha shkoi 42 herë në zyrën e tij gjatë kohës që kontrata kishte ngecur dhe nuk po finalizohej, duke pasur praktikisht zyrë brenda Ministrisë së Mbrojtes, ku Aldo Bumçi i çonte dhe shkresat e Ministrisë së Drejtësisë me faks, për “dijeni Shkëlzen Berishës”.
Gërdeci shpërtheu dhe Fatmir Mediu u detyrua të jepte dorëheqje. Shefi i Shtabit të Ushtrisë, Luan Hoxha dhe Mediu u morën të pandehur me të njëjtën akuzë dhe kishin të njëjtën përgjegjësi para ligjit për atë që ndodhi. Luan Hoxha u dënua me gjashtë vite burg, por iu “krijua” mundësia të arratisej në SHBA. Fatmir Mediu e bllokoi procesin dy vjet, pasi nuk çonte avokatët në gjyq, të cilët herë i sëmureshin vet, e herë sëmurnin gjyqtarët, derisa ai rimori imunitetin nga zgjedhjet e vitit 2009. Ditën që rimori imunitetin Gjykata i mbylli çështjen për mungesë kompetence dhe ai sot figuron një i akuzuar nga Prokuroria për së paku gjashtë vite burg, pa u kryer procesi.
Por nuk pati probleme. Me stilin që tani jemi miq me të gjithë, ai zbuti tërësisht gjuhën politike, kaloi në hije, duke shkuar pjesën më të madhe të kohës tek vila e tij në Qerret ngjitur me Delijorgjin, dhe askush nuk i përmendi më asgjë. Berisha ishte i kënaqur që nuk shkoi para Gjykatës pasi mund t’i telendisej djali, opozita ishte duarlidhur, pasi avokatët e Mediut ishin sa ish-gjyqtarë e prokurorë socialistë të mbetur pa punë që i shërbenin atij si klient, Mediu vet ishte i dashur me të gjtihë dhe sot jemi para faktit kur Lulzim Basha tërheq nga gara kryetarin e bashkisë së Këlcyrës, pasi ka dëgjuar “se diçka ka bërë ai” dhe mban në krah si aleat kryesor në betejën për dekriminalizimin, personin në fjalë, i dënuar qartazi në Itali, i marrë si i pandehur penal në Shqipëri, i mbrojtur me imunitet dhe me pazare politike, duke qenë njëkohësisht i dashur me të gjithë. Është modeli, sesi në këtë vend nuk të thonë kurrë kriminel po u solle kështu. Po nuk i prishe punë askujt.
TEMA