Identiteti shqiptar europian i Çamërisë

Nexhat Merxhushi/ “Ne jemi evropianë”, tha përfaqësuesi i komunitetit çam në Kuvend, kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi, pas reagimit të ashpër grek ndaj BE-së dhe komisionerit Hahn. Identiteti çam është pjesë e identitetit shqiptar evropian dhe si i tillë është homogjen. Nuk mund të ketë identitet shqiptar të përgjysmuar dhe të gjymtuar, për shkak të shpërnguljes dhe gjenocidit grek që u ushtrua ndaj popullsisë së pafajshme çame në fund të Luftës së Dytë Botërore.

Në Çamëri, si në lashtësi dhe tani në kohët moderne, përpjekjet e grekëve për të hequr identitetin shqiptar të Çamërisë, kanë qenë dhe do të jenë të pasuksesshme, pasi historia nuk mund të tjetërsohet sipas dëshirës së grekëve. Në lashtësi, Çamëria njihej si Iliria e Jugut dhe më vonë është quajtur Shqipëria e Jugut.  Grekët e kanë quajtur Çamërinë, Epir, një emër që do të thotë “Kontinent”, ky nuk ka asnjë lidhje me kombësinë e popujve që banojnë në këtë kontinent.

Emri “Çamëri” u përdor nga banorët grekë të ishujve të vegjël përtej kufijve të Shqipërisë. Grekët, në vazhdimësi janë munduar për të tjetërsuar historinë duke shpikur edhe gjenezën helene, si të vetmen pellazge, para asaj ilire si trashëgimtare të vërtetë. Ata duke mos përballuar dot shkencërisht, gjenezën tonë pellazge më të hershme se grekët, atëherë nuk u mbetej tjetër gjë, veçse tjetërsimi i të vërtetave historike. Përpjekjet e grekëve për të tjetërsuar historinë nuk janë mbështetur nga studimet shkencore, të bëra si nga shkencëtarët e huaj dhe ata grekë, pa përjashtuar dhe disa prej tyre që, me argumentime shkencore bindëse, hedhin dritë të plotë për gjenezën e popullit tonë, duke filluar që nga lashtësia deri tani në kohërat moderne, duke argumentuar shkencërisht, se shqiptarët janë pasardhës të pellazgëve, ilirëve. Straboni dhe Herodoti, duke mos e njohur gjuhën e fiseve fqinje që ndryshonte krejt nga greqishtja, i quajtën banorët në veri të Ambrakisë, Pellazgë ose Barbarë. Për të dalluar grekët nga kombet e tjera ata përdornin këtë formulë:”Kush nuk është grek, është barbar”. Teza e përbashkët që e gjejmë tek Straboni, Ptolemeu, Tuqiditi është:”Çamëria në lashtësi banohej nga fiset thesprote, mollose, kaone, që nga grekët e lashtë quheshin fise barbare, sepse nuk flisnin greqisht”.  Në librin “Fjalor i Antikiteteve klasike” të Lybkerit, tek artikulli për Korkyrën (Korfuzin), vihet në dukje, se ai ishull në zanafillë banohej nga ilirët.  Në veprën e studiuesit të njohur suedez Martin P. Nilson, botuar në Londër në 1909, me titull “Studime mbi historinë e Epirit të lashtë”, sqarohet më së miri, se Epiri nuk ka qenë ndonjëherë grek, ky rajon ka ruajtur natyrën e vet ilire të pandryshueshme. Në shekullin e X-të të erës sonë, perandori i Bizantit Leoni i Mençur, në një nga librat e tij përmend faktin që “banorët e Epirit janë shqiptarë” Pukvili (1770-1857), që njihej si mik i grekëve, i cilësuar si filo-grek shkruan “për Pirron dhe Thesprotin që nuk janë grekë” si dhe jep mjaft prova etnografike, arkeologjike për autoktoninë çame (libri “Udhëtime në Greqi” vol. 1 fq.98.( Martin Lik në librin “Kërkime në Greqi” botuar në Londër, në 1814, në fq. 266 thotë:”Çamët okupojnë vendin në jug të lumit Kalama (Thiam i vjetër) dhe kam arsyen të besoj, se çamët e kanë nxjerrë emrin e tyre nga një aliteracion i lumit të prapthi. Vendit i thonë Dar, dhe shtrihej deri rrotull fshatrave të Janinës, vendet kryesore të Çamërisë janë: Suli, Paramithia, Margariti, Parga, Agjija. Në Çamëri ka emër shqip çdo lis, gurë, shpellë, burim. Popullsia autoktone e shqiptarwve të Çamërisë, i ka vënë emra një are, një cepi, një shkëmbi apo një  fshati etj. Historiani grek Spiro Muselimi, në librin “Shëtitje historike nëpër Thesproti” shprehet: “Paramithia është kryeqyteti i Thesprotisë, ndërtuar në rrëzë të malit Korilla dhe përreth saj, janë mbetjet e qyteteve të lashta”.

Historiani Kristo Frashëri  në: “Dropulli dhe Bylis, toponime të hershme Ilire”,- thotë  -Paramithia nuk ka prejardhje greke, por Ilire. Ky emërtim është vendosur para periudhës Helenistike. Emërtimi ka kuptimin e qytetit të vendosur para lumit Thiami. Ndërsa historiani Zija Shkodra thotë: “Qytetet kryesore të Shqipërisë… ishin Shkodra, Durrësi, Vlora, Ohri, Kosturi, Gjinokastra, Përmeti, Paramithia, Margëllëçi, Filati”.

Me pasion dhe dëshirë të madhe për të gjetur vlera të kulturës së shqiptarëve të Çamërisë, studiuesi arvanitas Niko Stillo ka gjetur një pllakë varri që daton në shekullin e V pas Krishtit në fshatin Huvjan të Paramithisë Në të cilën shkruhet: “Unë sitë ula, pres teksa hije në rrotullimet e Diellit, gjithnjë duke rënkuar.”

***

Kultura çame është pjesë e kulturës shqiptare dhe si e tillë ajo mbart dhe trashëgon tiparet dhe vlerat e kulturës shqiptare në tërësi dhe ato regjionale në veçanti. Do të ishte gabim ta ndanim atë prej të tërës, pra asaj që quhet shqiptare ose ta trajtonim atë vetëm si kulturë regjionale, të një territori e popullsie që shtrihet e jeton në një territor të caktuar.

Kultura çame është shprehëse e vlerave të një popullsie me histori të lashtë, bart shtresëzime të hershme, të formuara në epoka të ndryshme. Siç mund të jetë vënë në dukje nga studiuesit e ndryshëm, ajo është formuar nga elementë të lashtë parailirë (Pellazgë, Ilirë e që u trashëguan në mesjetën e hershme e në kohën e formimit të kombësisë shqiptare.

Atje ne trojet tona të braktisura, lëviz dhe gjallon shpirti i Çamërisë dhe i popullsisë së saj, gjallon bota e miteve, bota parapagane e pagane, bota e perëndive. Një grup hulumtues i Komunitetit Europian vizitoi Greqinë nga 4 deri 10 tetor 1987 për të kryer një studim rreth pranisë së elementit shqiptar dhe ruajtjes së prejardhjes etnike e gjuhës. Udhëtimi u organizua nga Byroja Evropiane për Studimin e Gjuhëve pak të përdorura, nën mbikëqyrjen e Komisionit të Komunitetit Evropian. Në përbërjen e grupit ishin: Antonio Belushi Itali, Ricardo Alvares Spanjë, E. Angel Francë, Kolom Anget Spanjë, Havier Boski Spanjë, Onom Falkona Hollandë, Volfgang Jeniges Belgjikë, Robert Marti Francë, Stefan Moal Francë, Kol O’Cinseala Irlandë, Joseph San Sokasao Spanjë.

Objekti i udhëtimit: Hulumtime në 300 komunitete shqiptare në Greqi.

 Sipas studimeve të kryera nga dijetarë, ne Greqi ndodhen rreth 700 fshatra shqiptare, kombësinë shqiptare të të cilëve grekët e mohojnë.

Është fakt i njohur se gjithë pjesëmarrësit e pakicave kombëtare në Greqi i janë nënshtruar një asimilimi intensiv dhe të organizuar, të cilin grekët, ndërsa mohojnë kombësinë e tyre të ndryshme, e justifikojnë duke iu referuar fesë së tyre ortodokse, sikur feja të ishte kriteri për të përcaktuar kombësinë. Megjithatë, pretendimeve absurde të autoriteteve greke iu janë kundërvënë edhe vetë grekët. Në një studim për të njëjtën çështje, profesori i së Drejtës Ndërkombëtare dhe zëvendës president i Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut Kristos Rozakis e pranon karakterin etnik të pakicave në Greqi. “Për sa i përket politikës së brendshme greke ndaj pakicave kombëtare, është për të ardhur keq të konstatosh që një anëtare e Bashkimit Europian siç është Greqia nuk ka mundur të bëhet model për vendet e tjera ballkanike në kuadrin e çështjes së pakicave kombëtare”.  Pra, është e gabuar, të paktën për të ardhmen e afërt, ta konsiderosh Greqinë si urë që do të lidhë vendet fqinj me Europën. Kjo anëtare e Bashkimit Europian që e konsideron çdo kritikë ndaj mënyrës se si ajo i trajton çështjet e saj të brendshme, sidomos çështjen e pakicave kombëtare, si veprim armiqësor të frymëzuar nga Perëndimi për të destabilizuar vendin, nuk mund ta luajë një rol të tillë pa përmirësuar imazhin e vet ende në nivel të ulët në krahasim me standardet europiane dhe pa hequr dorë nga mbjellja e farës së intolerancës fetare dhe kombëtare.

Greqia duhet të mësojë si të sillet në shtëpinë e vet dhe jo ta kërkojë fajtorin jashtë. Ndaj Shqipërisë, në vend të reciprocitet të paktën për hir të qëndrimit të qeverisë së sotme shqiptare, Greqia e ka rritur intensitetin dhe diapazonin e presionit.  Greqia nuk ka hequr dorë nga pretendimet territoriale ndaj Shqipërisë. Për të shmangur një akuzë të tillë, por edhe për ta mbajtur situatën në tension, tani për tani, qeveria greke ua ka lenë të ashtuquajturve qarqe ultranacionaliste detyrën për të ngritur hapur kërkesa territoriale, kurse në cilësinë si qeveri po këto kërkesa ajo i kamuflon me parullën për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të normave demokratike.

Në takime zyrtare të nivelit të lartë midis të dyja palëve, pala greke i bën palës shqiptare kërkesa ultimatum, që flasin për imponim të raporteve pronar-vasal. Edhe pse midis të dy vendeve është nënshkruar Traktati i Miqësisë dhe i Bashkëpunimit, Ligji i Gjendjes së Luftës me Shqipërinë ende nuk është hequr nga Greqia në një kohë kur me Italinë ajo e ka abroguar një ligj të tillë pavarësisht se ishte Italia fashiste ajo që kreu agresion ndaj saj në vitin 1940 dhe jo Shqipëria. Pasuritë e shqiptarëve në Greqi janë bllokuar nën pretekstin e këtij ligji absurd, kurse për pasuritë e popullsisë shqiptare që u masakrua dhe u detyrua me forcën e armëve të largohej nga Çamëria, jepen argumente nga më absurdet për të mos ua kthyer ato pronarëve të ligjshëm. Duke parë një politikë e veprimtari të tillë greke kundër Shqipërisë, kushdo mund të nxjerrë konkluzionin se Greqia akoma jeton në të kaluarën. Që të jetojë në të tashmen, asaj i duhet të zbatojë proverbin e vjetër, që thotë se “të njohësh të tjerët është dituri, të njohësh vetveten do të thotë të pastrosh mendjen.” Pikërisht këtë të fundit nuk kanë bërë fqinjët tanë.

Filozofia çame në marrëdhëniet shqiptaro-greke

Epoka e nisur e integrimit evropian, e miqësisë dhe e paqes çon vetvetiu në zgjidhjen e Çështjes Çame. Sa më shpejtë që të pranohet kjo, aq më mirë do të jetë për Athinën Zyrtare, por edhe për të dy popujt me lidhje të vjetra historike. Historia ka dëshmuar se shqiptarët e Çamërisë, kanë qenë dhe kanë dhënë kontributin e tyre në konsolidimin e një shteti grek. Ndaj marrëdhëniet shqiptaro-greke kërkojnë një trajtim tjetër nga ai i deri tanishëm .

Çamëria dhe banorët e saj të lashtë janë gur themeli i pazëvendësueshëm i këtyre marrëdhënieve mijëravjeçare dhe gur themeli që nuk injorohet dot. Koha do të dëshmojë se marrëdhëniet shqiptaro-greke kishin dhe kanë nevojë për ketë kontribut dhe këtë filozofi çame, si një tregues i shkallës së emancipimit të këtyre marrëdhënieve.

SHKARKO APP