Ilir Meta del kundër shkrirjes së Fushë-Arrëzit: Po goditet bashkia e drejtuar nga opozita
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka kundërshtuar propozimin për përfshirjen e Bashkisë së Fushë-Arrëzit në një njësi të re vendore me Pukën, pjesë e draftit të reformës së re territoriale. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Meta e ka cilësuar këtë nismë jo si një riorganizim të nevojshëm administrativ, por si një goditje ndaj një bashkie që, sipas tij, ka treguar rezultate të mira në administrimin vendor. Meta ka vlerësuar veçanërisht punën e kryebashkiakut Hil Curri dhe administratës së Fushë-Arrëzit, duke argumentuar se zona ka potencial të madh për zhvillim, veçanërisht në turizmin malor dhe në shfrytëzimin e burimeve natyrore.
Postimi i plotë
Bashkia e Fushë-Arrëzit është ndër bashkitë me resurse të gjithanshme për zhvillim, me performancën më të lartë ndër 9 bashkitë e para dhe që kontribuon me mbi 200 milion euro në vit për GDP-në.
Me bukuri natyore të jashtëzakonshme, fatmirësisht me masive pyjesh me shumë mundësi për turizmin malor, goditja ndaj Fushë-Arrëzit synon shpopullimin e kësaj treve për të krijuar vakumin që do të plotësohet nga grabitqarët e “Paketës së Maleve”. Ky sulm është edhe kundër suksesit të jashtëzakonshëm në menaxhimin e kësaj bashkie nën drejtimin e opozitës, në veçanti të Kryetarit, z. Hil Curri dhe punonjësve të përkushtuar të administratës.
Z. Mazniku, që nuk ka qenë asnjëherë në Fushë-Arrëz, as për të takuar këshilltarët e PS dhe jo më qytetarët, i sugjeroj që të çojë në Fushë-Arrëz punonjësit e administrave të bashkive që i ka marrë “Rilindja” për t’i trajnuar të punojnë si administrata e shkëlqyer e Fushë-Arrëzit që për shërbime, përkushtim, sjellje, transparencë e llogaridhënie mund të krahasohet vetëm me bashkitë e vendeve skandinave.
Falë këtyre aftësive menaxhuese të Kryetarit Curri dhe të kësaj administrate, të politikave dhe projekteve për nxitjen e investimeve, por edhe të mbështetjes së diasporës, ka nisur popullimi i kësaj treve. Pikërisht prandaj Edi Rama kërkon ta godasë, sepse axhenda e tij është shpopullim e shkombëtarizim. Edhe në respekt të vuajtjeve të shumë intelektualëve të dënuar dhe të internuar politikë, Bashkia e Fushë-Arrëzit meriton vetëm mbështetje, por kurrë të shkrihet.
KOHA JONË SONDAZH

