INSTAT – Rriten me 23 mld lekë eksportet, 54 mld lekë nga importet

Eksportet e mallrave kanë pësuar rritje gjatë muajit mars me 13% thuhet në raportin më të fundit të INSTAT. Prej tyre kanë ardhur 23 mld lekë, por edhe importet janë rritur dhe vlera e tyre arrin në 54 mld lekë. Sipas INSTAT defiçiti tregtar po ashtu është rritur në 31 mld lekë. Vendin kryesor të mallrave të importuara e zënë në 75% ato të ardhura nga  vendet e BE.

23 mld lekë është vlera e arritur gjatë muajit mars nga eksportet e mallrave dhe 54 mld lekë importet.

Sipas INSTAT, rritja krahasuar me muajin shkurt të eksporteve është 12.9% dhe importeve 22.3%.

Kjo ka bërë që defiçiti tregtar të rritet me 12.8% krahasuar me marsin e 2016, duke arritur në 31 mld lekë.

Ndikimi kryesor në rritjen mujore të eksporteve e kanë dhënë materialet e ndërtimit, metalet, tekstile dhe këpucë.

Ndërsa në ndryshimet vjetore negativisht kanë ndikuar mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike.

Importet në mars kanë pasur ndikimin në rritje prej makinerive, pajisjeve, pjesëve të këmbimit, ndërsa negativisht në ndryshimin vjetor të importeve kanë ndikuar prodhimi i drurit dhe letrës.

Lidhur me ecurinë e tregtisë së mallrave, INSTAT raporton se ka pasur rritje më të madhe të eksporteve gjatë marsit me Italinë, Kosovën dhe Greqinë.

Ndërsa janë ulur eksportet me Francën, Kroacinë dhe Holandën. Importet kanë pasur ecuri në rritje me Italinë, Gjermaninë dhe Turqinë dhe janë ulur me Kinën, Zvicrën dhe Francën.

Në tre muajt e parë të këtij viti eksportet arritën vlerën 62 mld lekë dhe importet 133 mld lekë.

Defiçiti tregtar arriti vlerën 71 mld lekë në tre muajt e parë 2017.

Shkëmbimet tregtare me vendet e BE zënë 67 % të të gjithë tregtisë dhe në mars eksportet me vendet e BE zunë 75%  dhe importet 63.7%.

SHKARKO APP