”Integrimi në BE prioritet për ne”, Berisha me gratë demokrate: Shqipëria po rrëshqet drejt autokracisë
Sali Berisha thotë se integrimi në BE është prioritet për opozitën, por vuri në dukje se Shqipëria po rrëshqet drejt autokracisë. Gjatë një aktiviteti të organizuar nga LDGSH dhe Jarl Hjalmarson, kreu i PD vuri në dukje se në zgjedhjet e 11 majit u zhduk ose u zbeh kufiri mes institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake.
”Integrimi në Bashkimin Evropian për Shqipërinë dhe për Partinë Demokratike është prioriteti kryesor. Sepse ne besojmë se një e ardhme në BE do të thotë më shumë liri, më shumë mirëqenie dhe më shumë siguri për qytetarët shqiptarë. Kjo është arsyeja pse për partinë tonë ky është prioriteti kryesor i programit. Ne besojmë se ky proces duhet të bazohet në meritë. Vetëm një proces i bazuar në meritë u garanton qytetarëve tanë liritë dhe të drejtat e njeriut, një drejtësi të pavarur, një ekonomi funksionale tregu dhe ‘acquis communautaire’ për vendin. Shqipëria sot ndodhet në një moment shumë të veçantë. Pak muaj më parë, V-Dem e klasifikoi Shqipërinë si një autokraci elektorale.
Në fakt, autokracitë elektorale janë diktatura autokratike në kuptimin që ato e pranojnë pluralizmin, por e shtypin atë. Nëse diktaturat totalitare nuk e pranojnë pluralizmin, nuk e lejojnë fare ose krijojnë një pluralizëm të rremë, siç bëri Tito gjatë sundimit të tij dhe siç e kopjoi Ramiz Alia në vitet e fundit të diktaturës, diktaturat autokratike, ose të quajtura autokraci elektorale, shkatërrojnë mekanizmin më themelor të një shoqërie demokratike, që janë zgjedhjet e lira.
Nëse shikoni zgjedhjet e 11 majit të kaluar në Shqipëri, do të gjeni se ato u karakterizuan si zgjedhje ku kufiri mes institucioneve shtetërore dhe strukturave partiake ishte zbehur ose zhdukur. Kjo do të thotë zgjedhje që u zhvilluan në një shtet-parti, në një model të partisë-shtet. Dhe këto nuk do të konsiderohen kurrë zgjedhje të mirëfillta. Ky është një problem shumë themelor i autokracisë në Shqipëri”,-tha Berisha.
KOHA JONË SONDAZH

