Italia paguan 1 miliard euro pensione jashtë vendit, pengesat që duhet të heqë Shqipëria
Rreth 373 mijë pensionistë italianë kanë zgjedhur të pleqërojnë jashtë italisë duke nxjerrë nga paratë publike të shtetit fqinjë 1 miliardë euro jashtë vendit, shkruajnë mediat italiane.
Pjesa më e madhe e tyre zgjedhin Portugalinë, por edhe Shqipëria ka nisur të jetë tërheqëse.
Një pensionit italian me pagesë 1200 euro ne muaj kur zhvendoset në Portugali i rritet automatikisht pensioni në 1500 euro pasi nuk paguan tatimin mbi të ardhurat. Përjashtimi i pensionit nga taksat dhe kostot më të lira i kanë bërë vendet e gadishullit iberik parajsën e pensionistëve Italinë.
Por vitet e fundit edhe Shqipëria është bërë pjesë e tortës së pensionisteve emigratorë. Deri tani besohet se janë diku te 100 pensionistë italianë që pleqërojnë në Shqipëri, por statistikat e sakta mungojnë, thotë Lura Baci, nga Unione Italiani nel Mondo.
Përveçse ndikojnë në hyrjen e një sasie të ardhurash në Shqipëri, importi i të moshuarve italianë po ndikon në rritjen e punësimit të dadove, infermierëve dhe në ngritjen e biznesit të azileve, thotë Baci.
Mirëpo ka disa pengesa që duhen kapërcyer. Një problem i madh i pensionistëve italianë që duan të tranferohen në Shqipëri është pajisja me lejen e qëndrimit. Për të marrë lejen e qëndrimit atyre u kërkohet të kenë një banesë në pronësinë e tyre, gjë që bëhet një pengesë e madhe për qëndrimin e tyre në vendin tonë.
Baçi thotë se, ky është një problem shumë shqetësues, për të cilin pensionistët italianë me të drejtë ankohen shpesh dhe kërkojnë një zgjidhje ligjore nga ana e autoriteteve kompetente shqiptare.
Pensionistët italiane po nxisin edhe shërbimet të tjera mbështeste. Dy të rinj italianë kanë hapur një agjenci real estate në Shqipëri, pikërisht për të orientuar të moshuarit italianë që duan të jetojnë në Shqipëri, por edhe të gjithë ata italianë që jetojnë këtu për arsye të tjera.
Baçi thotë se, nëse Shqipëria do të nisë të bëhet atraktive për italianët, do të duhet të zhvillohet biznesi i azileve dhe qendrave të posaçme për trajtimin e të moshuarve.
Kostot e ulëta mundësojnë ofrimin e këtij shërbimi me një tarifë mujore më të ulët se 1000 euro, të përballueshme nga shumë pensionistë ndryshe nga vendet e tjera si Italia e Gjermania, ku tarifat mujore janë përkatësisht mbi 2000 dhe 3000 euro.
Nga ana tjetër, fenomeni i transferimit të pensionistëve italianë në Shqipëri sjell pasoja pozitive nga pikëpamja ekonomike dhe sociale: të ardhurat nga pensionet e tyre futen dhe shpenzohen në vendin tonë, rrisin fuqinë blerëse në tregun shqiptar.
Po ashtu, prania e tyre, krahas kategorive të tjera të shtetasve italianë, në shoqërinë tonë që synon të bëhet pjesë e familjes europiane, sjell shembuj qytetarie dhe kulture jetese.