Ja çmimet e shtëpive në Tiranë
Çmimet e banesave, të cilat të paktën për qytetin e Tiranës kishin shkuar me rritje gjatë fillimit, gjatë muajve prill-qershor, kanë pësuar ulje
Raporti i Bankës së Shqipërisë për 3-mujorin e dytë të këtij viti referon se indeksi i çmimit të shitjes së banesave, regjistroi rënie. Përkundër kësaj, qiratë kanë shkuar me rritje në vazhdimësi, edhe pas 3 muajve të parë të 2017-s. Nëse për Bankën Qendrore, sinjali për uljen e çmimeve të apartamenteve, është rënia e kërkesës, si pasojë kjo edhe e ndikimit të taksave vendore, realiteti tregon se që nga muaji janar, apartamentet në Tiranë janë shtrenjtuar. Ndërkohë, qiratë të cilat gjatë gjithë vitit 2016 shkuan me një tendencë uljeje, në prill-qershor janë rritur ndjeshëm. Për Bankën e Shqipërisë, rritja e numrit të lejeve të ndërtimit, si dhe e kërkesës së konsumatorëve për blerje banesash kanë nxitur gjithashtu investimet në ndërtim.
Por, reflektimi i çmimeve reale pritet dalë pas muajit gusht, ku lëvrimi i 1000 kredive nga bashkia e Tiranës, si dhe rritja e kredisë nga bankat, do të shtojnë kërkesën për blerje banesash. “Stoku i kredisë për individë17 shënoi rritje mesatare vjetore prej rreth 7.5% në tremujorin e dytë të vitit. Zgjerimi i këtij portofoli është mbështetur vazhdimisht si nga kredia për konsum (12.9%), ashtu edhe nga kredia e dhënë për blerje banese (6.3%)”, raporton BSH.
Çmimet referencë
Në fillim të këtij viti, Enti Kombëtar i Banesave bëri vlerësimin e çmimeve për apartamentet në të gjithë vendin, përfshirë edhe 32 zonat kadastrale të Tiranës. Ajo çka ra në sy në vlerësimin e institucionit, i cili në llogaritjet që kryen, nuk përfshin vlerat e rrjetit inxhinierik, projektit, studimit gjeologjik dhe sizmik, lejes së ndërtimit, truallit dhe shpenzimet operacionale në masën 4 për qind, ishte fakti se krahasuar me vitin 2015, çmimet mbetën të pandryshuara në 23 zona kadastrale, ndërsa në 9 zona të tjera pati ulje dhe ngritje.
Po ashtu në vlerësimin që është bërë për të gjitha qytetet e Shqipërisë, u vunë ré luhatje të vogla, teksa në pjesën më të madhe kanë mbetur në nivelin e vitit 2015. Por, nëse për të gjitha qytetet çmimet referencë të banesave u zyrtarizuan pa luhatje të mëdha, e kundërta ndodhi në Tiranë, ku fatkeqësisht apartamentet po shiten më shtrenjtë për shkak të taksës së infrastrukturës që ka hyrë në fuqi nga janari. Nga llogaritjet që bëjnë ndërtuesit, (ata që u preken drejtpërdrejt nga kjo taksë), një metër katror u rrit nga 7000 lekë deri në 16 000 lekë më shtrenjtë, sipas zonave.
Ndërtuesit
Zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, nxitën fondin publik të investimeve qysh në gjashtëmujorin e parë, ndërsa tashmë janë aktivizuar lejet e ndërtimit sidomos në Tiranë, për shkak të Planit të Ri Rregullues. Fondi i Investimeve Publike prej rreth 76 miliardë lekësh po orientohet për ndërtimin e ujësjellësve, mirëmbajtjes dhe sigurisë në rrugë, se sa ndërtimit të autostradave të reja. Ndërsa investimet private do të jenë më të larta për objekte banimi dhe HEC-e. Ndërtuesit janë optimistë sidomos për sektorin e banesave, ku si oferta dhe kërkesa janë në rritje.
Sipas ndërtuesve, miratimi i planit të ri Rregullues në Tiranë po i jep një hov ndërtimit në kryeqytet. “Janë shumë projekte gati që kanë mbyllur marrëveshjet me pronarët e trojeve dhe janë në pritje të miratimit të planit të ri rregullues nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Presim që puna në terren për ndërtimin e këtyre objekteve të jetë në gjysmën e dytë të vitit”, thonë ata, teksa shtojnë se pjesa më e madhe e kërkesës i dedikohet objekteve të banimit dhe më pak zyrave të biznesit dhe dyqaneve. Madje në periferi shumë objekte që po ndërtohen i kanë dedikuar edhe katin e parë banimit, dhe jo shërbimeve.
Ndërtuesit thonë gjithashtu se ka një kërkese në rritje për standarde. Blerësit gjithnjë e më shumë kërkojnë që shtëpia e re të respektoje standardet e sigurisë dhe hapësirat publike. Preferohen blloqet e banimit, ku brenda të tyre të jenë të organizuara hapësirat e pushimit dhe njësite e shërbimeve. Po ashtu, investitorët parashikojnë se pjesa e mbetur e vitit 2017 do të përqendrojë me shumë ndërtimet në objektet e hoteleri turizmit, teksa ndërtimi i rrugëve është maturuar dhe nuk priten ndryshime.
Ecuria
“Indekset e çmimit të shitjes dhe të qirasë së banesave kanë shënuar zhvillime me kahe të ndryshme gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2017. Indeksi i çmimit të banesave regjistroi rënie gjatë dy tremujorëve të parë. Në tremujorin e dytë, ndryshimi vjetor real i tij ishte -11.5%. Në të kundërt, indeksi i qirasë vijoi trendin rritës, të nisur që nga tremujori i tretë i vitit 2016. Raporti çmim/qira regjistroi nivelin më të ulët që nga tremujori i parë i vitit 2015” , vlerëson Banka e Shqipërisë.
32 zonat, sa shiten sot apartamentet
Sipas zonave kadastrale të Tiranës, qendra dhe zonat më të lakmuara (ish-blloku, Rruga e Elbasanit, Stadiumi “Selman Stermasi”, kanë pësuar rritje drastike, ku çmimi për metër katror ka shkuar plus 120 euro. Ndërkohë, duke shkuar sa më larg vijës së verdhë të kryeqytetit, çmimi është rritur me 50-70 euro.
Zona Lekë/m² Shtesa Lek/m²
Lagja “Ali Demi” 97,700 9600 107,300
Bulevardi “Bajram Curri” 78,000 7000 85,000
Ministria e Jashtme 187,000 13800 200,800
Bashkia e Tiranës 134,500 13800 148,300
Rruga e Elbasanit 95,000 16000 111,000
Stadiumi “Selman Stermasi” 110,000 16000 126,000
Pallati i Brigadave 80,000 9600 89,600
Rruga “Bardhyl” 77,000 7000 84,000
Rrëza e malit të Dajtit 60,000 7000 67,000
Rruga e Dibrës 70,000 7000 77,000
Shkolla e Bashkuar, Allias 60,000 7000 67,000
Ish-Blloku 190,000 13800 203,800
Garda e Republikës 132,000 13800 145,800
Blloku i Vilave, Selitë 107,000 13800 120,800
Stacioni i funditt “Tirana e Re” 82,000 9600 91,600
Kopshti Zoologjik 65,000 7000 72,000
Rruga “Muhamet Gjollesha” 120,000 13800 133,800
Blloku i Ambasadave 100,000 13800 113,800
Unaza e Re 85,000 7000 92,000
Fusha e Aviacionit 65,000 7000 72,000
Rruga”Qrnal Stafa” 110,000 9600 119,600
Selvia 100,000 9600 109,600
Blloku i Magazinave 72,000 9600 81,600
Bulevardi “Zogu l” 130,000 16000 146,000
Stacioni i Trenit 100,000 13800 113,800
Rruga “Don Bosko”, Jordan Misja 77,000 7000 84,000
Qendra e Tiranës 145,000 13800 158,800
Rruga e Kavajës 139,500 13800 153,300
Rruga “Myslym Shyri” 102,000 13800 115,800
Zona e Laprakës 87,000 9600 96,600
Zona e fillimit të autostradës 75,000 9600 84,600