Jaguari si Volkswagon (makinë e popullit)
Nga Alfred Lela
Volkswagon dhe Ford Model T janë dy raste automobilash të skicuar me popullin në mendje. Volkswagon e ka që në emër këtë pretendim, sepse nuk do të thotë gjë tjetër veç ‘makina e popullit’. Henry Ford e mendoi Model T si një mjet të lirë e praktik që të mund të ishte në driveway-n ose para shtëpisë së amerikanit të mesëm e të thjeshtë. I prodhuar ndërmjet viteve 1908-1927, Model T ka shitur 16.5 milionë njësi dhe vazhdon të jetë një ndër 10 automobilat më të shitur në botë, edhe pse nuk prodhohet më prej pothuaj një shekulli.
Historia e Volkswagon-it ka edhe një shije naziste në të, duke qenë se ishte këmbëngulja e Hitlerit për një ‘makinë të popullit’ me synim që gjermanët të kishin akses tek automobilat po aq sa amerikanët.
Por kjo është histori, dhe megjithë kureshtjen që ngjarjet e së shkuarës shuajnë, ato nuk ia kalojnë dot thagmave të kronikës së ditëve postmoderne.
Në Shqipëri, larguar shumë nga Modeli T i Henry Ford-it dhe Volkswagon i Hitlerit, hipur majë kuajsh të ri lëvizjeje, pushteti e dijesh, u zbulua, më në fund, se edhe Jaguar-i është ‘makinë e popullit’. Përfundimi i përket një artisti të kthyer në politikan, i cili me anë të fjalisë ‘Jaguar-i është më i lirë se Volkswagoni’ ka dashur të përligjë një psonisje qeveritare por, ka dhuruar një paradoks.
Pa ditur shumë nga makinat, apriori, me të parën, me sy të lirë e me ç’ke dëgjuar, e ke kuptuar se Jaguar është një nga markat më të shtrenjta në botë. Vetëm vitet e fundit marka e famshme britanike (e blerë nga indianët e Tata) ka prodhuar dy makina që quhen të ‘nivelit të mesëm’ (middle market) X-Type dhe S-Type. Por, pazari i qeverisë shqiptare është për makinat e nivelit ‘high end’ (XF, XJ etc) që kanë një tjetër histori sa i takon çmimit.
Në gjuhën e njohësve të makinave, Jaguar njihet si mjet i performancës së lartë (high performance car). Niçe, në një prej maksimave të tij cinike thotë se ‘Princi nuk mund të martohet me shërbëtoren’. Çiftimi Jaguar-Qeveria Rama është një kontrapunkt i tillë. Princi është Jaguari dhe jo shërbëtorja, megjithëse makina nuk është më shumë se një mjet i pazëshëm në funksion të nevojave dhe dëshirave të njeriut që e zotëron.
Vendimi i qeverisë për të pajtuar makina të tilla mund të ketë shumë arsye, të njëanshme ose jo, korruptive ose jo, por më të shumta janë mosarsyet për një vendim të tillë. Ja disa të tilla:
Shqipëria është vend i varfër;
Askush nuk e dyshon më se vendi është zyrtarisht në krizë ekonomike;
Në kohë të tilla nuk është koha për luks, veçanërisht nga ata që duhet të hartojnë politika shpëtimtare për vendin;
Jaguarët janë blerje që kryhen me paratë e taksapaguesve;
Taksapaguesit, nëse pyeteshin, nuk do e mbështesnin vendimin e qeverisë për të blerë makina luksoze.
Qeveria Rama është e majtë, e tillë që, sipas një përkufizimi klasik politik, duhej të ishte ‘e popullit’.
Kolegët e ministrave tanë dhe shefit të tyre në vende të zhvilluara, nga Britania në Danimarkë, shkojnë në punë me metro ose me biçikletë.
(Nëse ne nuk kemi metro, as transport publik për të qenë dhe as mjedis të tillë ku mund të lëvizësh me biçikletë, kush është përgjegjës?)
Flota e makinave me të cilën shihen të qarkullojnë qeveritarët shqiptarë ngjan mjaftueshëm hijerëndë dhe luksoze dhe përligjja se ky ndërrim i mjeteve bëhet për të kursyer, nuk ngjit;
Dhe, e fundit: a mendoni se i meritoni këto makina?
Dueli arsye-mosarsye do fitohet nga e fundit nëse kryeministrin e vendit e ka kapluar sindroma rrëgjimtare e shkëputjes nga realiteti.
MAPO