Jo retush, por sistem me zgjedhje në Gjyqësor

 

Nga Gjet Kola

Për të kuptuar rëndësinë e reformës në drejtësi mendoj se duhet njohur dhe historia e të drejtës në Shqipëri në shekujt e fundit dhe më herët. Eshtë fakt i njohur se gjatë pushtimit turk, sidomos në Jug dhe në disa rajone të Veriut të Vendit, u zbatua ligji i Sheriatit, ndërsa në territoret ku e kishte shtrirë autoritetin shteti i Arbërit, u zbatua kryesisht e drejta zakonore.  Pas shpalljes së pavarësisë u bënë përpjekje për drejtësi të mbështetur në legjislacionin perëndimor. Qeveritë e krijuara pas 1912 i shikonin të rëndësishme të drejtat e njeriut dhe respektimin e tyre, prandaj një nga vendimet e para të tyre ishte një projekt ligj për avokatinë dhe dhënien e ndihmës juridike falas personave pa të ardhura, që për shkak të kushteve të krijuara nga lufta civile midis indipendistëve dhe forcave turkoshake të Haxhi Qamilit e Ismail Shehut dhe Lufta I Botërore, për një kohë u zbatua pjesërisht edhe si projekt. Në periudhën midis dy luftërave u bënë përpjekje për plotësimin e vakumit ligjor dhe u miratuan kodi civil e penal dhe respektivisht kodet e procedurave. Në sistemin e diktaturës së proletariatit u mohua dhe ajo trashëgimi modeste dhe sistemi gjyqësor u trajtua si levë e partisë për edukimin komunist të masave, në fakt me qëllimin parësor ndëshkimin e kundërshtarëve politikë. Diktatura u kujdes që ta ketë në kontroll të plotë sistemin gjyqësor.

Në veprën “Demokracia në Amerikë”, Aleksi de Tokëvil, vlerëson rolin e juristëve në parandalimin e dhunës shtetërore, kur ai shkruan:“Juristët janë të lidhur me rendin publik më tepër se çdo shtresë tjetër dhe garancia më e mirë e rendit publik është autoriteti”.

Si duket, duke njohur mirë këtë rol, qeveritë komuniste kufizuan në maksimum përgatitjen e kontigjentit të juristëve. Juristët e diplomuar në Perëndim ishin përjashtuar jo vetëm nga sistemi gjyqësor por dhe nga administrata. Mbas përfundimit të Luftës II Botërore, një numër i kufizuar juristësh u diplomuan në universitetet e Europës Lindore si Bashkimi Sovjetik, Bullgari, Rumani etj.. Në vitin 1954, çeli dyert dega e drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Por në Fakultetin e Drejtësisë të këtij universiteti, për shumicën e kohës deri më 1990 pranoheshin vetëm një grup prej 17 deri në 25 studentësh në vit, me shkëputje nga puna. Në shumë sektorë të hetimit e të prokurorisë vazhduan të punojnë deri në vitin 1991 persona pa arsim të lartë juridik. Prandaj, rënia e diktaturës e gjeti Shqipërinë me rreth një mijë juristë të të gjitha moshave. Partia e Punës e Shqipërisë, në prag të largimit nga skena politike, i dha një goditje të rëndë sistemit gjyqësor, dhe konceptit të shtetit në Shqipëri në plan afatgjatë, me ligjin nr. 7514, datë 31.07.1991 “Për pafajsinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve politik…”. Me aprovimin e këtij ligji, komunistët mohuan brenda ditës ekzistencën e armiqve të Shqipërisë, për të cilët fliste pa pushim ditë e natë, në një kohë kur superfuqia e vetme e Botës nuk e bën një gjë të tillë. Me këtë ligj synohej kompromentimi dhe çvlerësimi i antikomunistëve e demokratëve të vërtetë para opinionit. Duhej të bëhej lirimi i menjëhershëm i të gjithë të burgosurve politikë dhe të bëhej rregullimi ligjor i rishikimit të vendimeve të dënimit për krime kundër shtetit. Ky proces nuk do të kërkonte shumë kohë dhe vendimet e gjykatave për pafajsinë, për secilin rast, duhej të shoqërohej me faturën përkatëse të pagesës për burgim të padrejtë. Pafajësia është atribut i sistemit gjyqësor, ndërsa parlamentet kanë vetëm kompetencën e amnistisë. Parlamentet kanë marr vendime dënimi, si në rastin e mbretit britanik Xhejmsit I, të Luigjit XV e Maria Antonetës, për shkak se nuk kishin besim se këto vendime do ti merrnin gjykatat, por në asnjë rast të historisë nuk njihen pafajsi në bllok për periudha të caktuara historike. Si duket duke ju referuar precedentit të krijuar nga Dhoma e Lordëve, në Kushtetutën e SHBA-së ju njoh e drejta e Kongresit për të shpallur dënimin. Në  paragrafin e cituar, është sanksionuar: “Kongresi ka të drejtë të shpallë dënimin për tradhëtinë. Dënimi i dhënë nuk ndikon në lidhjet e gjakut, apo në heqjen e të drejtave civile të dënuarit, pas kryerjes së afatit të dënimit”.  

Delegjetimimin e sistemit gjyqësor nga Kuvendi i Shqipërisë i dalë nga zgjedhjet e 31 marsit 1991, me përbërje mbi tre të katërtat komunistë nga dy krahët e spektrit politik, që gjatë 47 vjetëve e kishte keqpërdorur drejtësinë dhe numri shumë i kufizuar i kontigjentit të juristëve, qeveria e Partisë Demokratike e dalë nga zgjedhjet e 22 marsit 1992, e përdori si justifikim për ta mbushur këtë boshllëk me juristë të përgatitur me kurs 6 mujor, që ishte e justifikueshme për ata që kishin mbaruar një fakultet, ndërsa ishte e pajustifikueshme diplomimi për kontigjentin që vinte nga shkolla e mesme. Presidenti Rexhep Meidani i dalë nga zgjedhjet e 22 qershorit 1997, për të justifikuar largimin e kursantëve dhe të papërshtatshmëve politikisht të emëruar gjatë qeverisjes së PD-së, emëroi në sistemin gjyqësor të sapo diplomuar dhe studentë që kishin kaluar kursin e magjistraturës.

Kjo veprimtari përbën shkeljen më të rëndë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut që mund të kenë bërë qeveritë nacionale, mbasi largimi i qytetarëve nga frontet e punës, bie ndesh me përvojën e krijuar nga njerëzimi në mijëvjeçarë. Në Shqipëri dhe në vendet e tjera të Europës Lindore, u hoq dorë nga sistemi i zgjedhjes së gjyqtarëve dhe u adaptua si rrugë më efikase u pa ajo e krijimit të kastave gjyqësore, në frymën e Europës Perëndimore, me preteksin se nuk dhanë drejtësi të zgjedhurit në komunizëm. Jo vetëm Shqipëria dhe vendet e tjera të Lindjes, por dhe Rusia, pranuan sugjerimin e Bashkimit Europian për krijimin e kastave në gjyqësor në shembullin e tyre. Në sektorin gjyqësor dhe në ushtri Europa Perëndimore prej shekujsh emëron aristokracinë. Synohej kthimi i rrotës së historisë pas, megjithëse kjo është e pamundur, mbasi Shqipëria pas largimit të hordhive turke, nuk arriti të krijoi aristokraci nacionale.

Prandaj, në një çerek shekulli ky sistem nuk ka qenë efektiv në Shqipëri, dhe i bëhen akuza për korrupsion. Nuk mund të paragjykohen e të bëhen akuza në përgjithësi pasi shumica e gjyqtarëve dhe e prokurorëve janë me integritet moral, por ka prej tyre, pa asnjë trashëgimi të punës në aparatin shtetëror, që kur panë se me ligj janë kastë e paprekshëme, zhvillojnë gjykimin pasi kanë bërë pazarin. Thuhet, se njeri prej tyre, mbasi u kthye në dhomë nga kazinoja në një qytet të jugut të Italisë, ku po kalonte uikendin me një shoqe të gruas, i tha asaj: “shyqyr që kisha marr me vehte dyzet mijë euro se do kishim ngel pa para”.

Për këto arsye, reforma në drejtësi është një proces shumë i vështirë dhe delikat. Në opinionin e gjërë ka një lloj padurueshmërie për këtë reformë, me kërkesën që

Qeveria të punojë më shpejt. Mendoj se Shqipëria, nuk është në kushtet e vitit 1991, me sistem ligjor të delegjitimuar nga vetë sovrani, dhe pa kontigjent juristësh, prandaj ka mundësi të bëjë reformë efikase. Gjatë këtij çerek shekulli, me gjithë inflacionin, janë diplomuar edhe juristë cilësorë si brenda dhe në unversitetet e perëndimit, gjë që garanton kontigjente të kualifikuara për sistemin gjyqësor. Por i rëndësishëm për këtë proces është integriteti i kandidaturave.

Edhe në kushte qetësie, krijimi i kastës në gjyqësor mund të kërkojë jo dekada por shekuj prandaj mendoj se rruga më e drejtë, do të ishte që, përzgjedhja e kontigjenteve ti lihet në dorë drejtëpërdrejt sovranit duke kaluar në sistemin e zgjedhjes së gjyqtarëve. Shqipëria ka kushtet që të zbatojë sistemin gjyqësor të SHBA-së, që aplikon këtë sistem. Preteksi se me zgjedhje politizohet sistemi gjyqësor nuk është real për shkak se anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese zgjidhen nga shumicat politike të radhës. Nga historia mësojmë, se në kushtet kur mosha mesatare e popullsisë nuk i arrinte 50 vjet, gjyqtari, përveç kualifikimit, duhet të kishte  kaluar moshën 40 vjet.  

Të emërosh gjyqtar, një jurist të moshës 24-25 vjeçare, të sapo dalë nga bankat e shkollës, pa shtëpi, pa familje të tijën (i pamartuar), pa asnjë ditë përvojë pune dhe ti kërkosh integritet është jo vetëm e pamundur por në shumë raste dhe allogjike. Modeli është i gatshëm, dhe mund të merret Kushtetuta dhe ligji i shtetit të Uashingtonit për zgjedhjen e gjyqtarëve. Besoj se efikasiteti i këtij sistemi në Shqipëri, që në zgjedhjet e dyta, do të shërbente si model për vendet e Bashkimit Europian, të cilave çdo ditë ju ngushtohet mundësia e eksportimit të krizave, dhe do t’u kërkohet rritja e efikasitetit të pushtetit gjyqësor duke pranuar në këtë sistem më të aftët. Zbatimi i sistemit gjyqësor të shtetit më të suksesshëm në historinë e njerëzimit, do të rriste përgjegjësinë e këtij pushteti. Sigurimi i ndihmës së drejtëpërdrejtë me ekspetizë nga SHBA, do ta bënte efikase luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, pasi sistemi gjyqësor amerikan, nuk është gabim të thuhet më i suksesshmi në historinë e njerëzimit.

Përveç zgjedhjes së gjyqtarëve në zgjedhjet e përgjithëshme, të rregulluar në seksionin 5 të Kushtetutës së Shtetit të Uashingtonit, në seksionin 9 të saj është rregulluar dhe rruga e shkarkimit të gjyqtarëve, prokurorit të përgjithshëm etj., kur theksohet: “Por asnjë shkarkim nuk do të bëhet nëse personit të propozuar për shkarkim nuk i jepet një kopje e akuzave kundër tij, dhe nuk i jepet mundësia e një seance dëgjimore ku ai të mbrojë veten”.   

Po sipas kësaj dispozite, shkarkimi bëhet me vendim të organit ligjvënes, kur votojnë pro tre të katërtat e anëtarëve të zgjedhur për shkaqet e paaftësisë, korrupsionit, shpërdorimit të detyrës, apo shkeljeve në punën zyrtare, ose për shkak tjetër të mjaftueshëm për shkarkim që theksohet në vendimin e organit ligjvënës. Në këtë dispozitë ligjvënësi ka sanksionuar se gjyqtari nuk është i paprekshëm e mund të shkarkohet vetëm nga organi ligjivënës gjatë mandatit. Por ndërsa ndryshimi i Kushtetutës kërkon 2/3 e kongresmenëve 66.66%, shkarkimi i një gjyqtari nuk mund të bëhet pa vullnetin e 75% të numrit të tyre, pra shkarkimin e një gjyqtari nuk mund të bëjë asnjë shumicë e radhës. Në fund të mandatit katër vjeçar, gjyqtarin e verifikon drejtëpërdrejtë vetë sovrani. Ndërsa, ti kërkosh Këshillit të Lartë të Drejtësisë në Shqipëri, të shkarkojë anëtarët e vet ose gjyqtarët e tjerë, nuk është realiste për natyrën njerëzore. Etërit themelues, që hartuan Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e në bazë të saj kushtetutat e shteteve të veçanta, e kishin të gatshëm sistemin europian të kastave në gjyqësor, por nuk vendosën që gjyqtarët,  meritë e pa meritë, të jenë të paprekshëm, dhe të tjerë më të aftë e shumë më të aftë, të privohen nga mundësia për të konkuruar,  e për ti shërbyer vendit të vet.  Edhe ata kishin familjarë, miq, dashamirë e simpatizantë që mund t’u bënin nderë e t’i blindonin me mandate të përjetëshme në sistemin gjyqësor, por menduan në radhë të parë për interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa njerëzit e tyre të kishin mundësinë për tu bërë pjesë e sistemit gjyqësor nëse i pranon sovrani në zgjedhje, e jo me emërim prej tyre. Ata nuk e përjashtuan këtë pushtet nga sistemi i konkurencës mbasi do të bëhej pengesë për pushtetet e tjera e për zhvillimin e kombit në përgjithsi.

Sistemi i konkurencës së vlerave, dhe jo instalimi me ligj i kastave, është dhe bazë e suksesit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, jo vetëm në gjyqësor, por në të gjitha fushat e jetës, prandaj ato janë, e do të jenë, lokomotivë e zhvillimeve të mbarë shoqërisë njerëzore. Përjashtimi i gjyqësorit nga sistemi i konkurencës, në kohën e zhvillimeve shumë të shpejta teknike e teknologjike, e kthen atë në pengesë për ecjen e shoqërisë përpara. Ndryshimi i sistemit kërkon ndërhyrje në Kushtetutë, ndërsa kriteret për kandidaturat mund të sanksionohen me ligj, si: përvoja mbi 15 vjet në fushën e jurisprudencës, kontributi teorik në fushën e të drejtës, mosha mbi 40 vjeç për të qenë gjyqtar i shkallës së parë, mosha mbi 55 vjeç për t’u zgjedhur anëtarë i Gjykatës së Lartë dhe anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Mund të duken të ekzagjeruar këta kufinj moshe por populli përdor shprehjen: “juristi dhe vera sa më të vjetër aq më të vlefshëm”. Në sistemin komunist, gjyqësori kishte rëndësi për gjykimin e krimeve kundër shtetit, “që të mos kishte asnjë mëshirë në dënimin e armiqve të partisë e të popullit”, kurse në fushën civile presioni ndaj tij ishte më i vogël, pasi shteti ishte bërë pronar duke përqëndruar thuajse gjithçka në dorën e tij, duke i lënë në pronësi qytetarit vetëm sendet vetiake. Në sistemin e ekonomisë së tregut të lirë, një gjyqtar i vetëm merr vendime për shuma qindra mijë dollarë, ndërsa një trup gjykues me tre gjyqtarë, për miliona dollarë, shuma për të cilat do të kërkohej debat në parlament, dhe vendimet e gjykatës kanë fuqinë e  vendimeve të parlamentit.

Me aplikimin e sistemit me zgjedhje, paga e një gjyqtari të shkallës së parë duhet të barazohet me pagën e deputetit, mbasi gjyqtari i secilës shkallë ka shumë më tepër të drejta vendimmarrje se çdo deputet. Nga ana tjetër, nuk mund të realizosh programin e luftës kundër korrupsionit me gjyqtarë të paguar sa për të mbuluar nevojat minimale, dhe nga ana tjetër ta trajtosh si kastë. Lufta kundër korrupsionit në gjyqësor është një proces i pandërprerë, por që nuk realizohet me shprehje “se presidenti i partisë kundërshtare” ka emëruar të korruptuarit dhe rruga e drejtë është zëvendësi i tyre me simpatizantët e shumicës. Në momentin e kalimit në pluralizëm, për sistemin gjyqësor kanë pranuar këshilla e treguar nënvlerësim dhe shtete me traditë siç është Rusia. Kështu në nenin 119, Kushtetuta e Federatës Ruse ka sanksionuar se: “Gjyqtarë mund të jenë shtetasit e Federatës Ruse, që kanë mbushur 24 vjeç, kanë arsim të lartë juridik dhe një stash pune në profesionin juridik jo më pak se pesë vjet. Me ligj federal mund të vendosen kërkesa plotësuese për gjyqtarët e gjykatave të Federatës Ruse”. Hartuesit e Kushtetutës së kësaj federate, me kontigjente të pafund juristësh, ndërsa kanë patur kujdes maksimal për çdo detaj, që kompetencat e presidentit të jenë të përafërta me ato të carit, janë kujdesur për kompetencat e pushteteve të tjera, kreun për pushtetin gjyqësor e kanë kaluar si diçka e parëndësishme. Këtë e provon kontradikta në të njejtën dispozitë, ku nga njera anë kërkohet të ketë mbushur moshën 24 vjeç dhe nga ana tjetër të ketë jo më pak se pesë vjet përvojë si jurist.  Sipas sistemit të sanksionuar si në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, gjyqtari mund të emërohet në moshën 24 vjeç dhe ta lejë këtë detyrë në moshën 70 vjeç kur del në pension, me stazh pune 46 vjet, ose pasi të realizojë dhjetë vjet punë më shumë se në shtetin e diktaturës komuniste. Shqiptarët, pasardhës të ilirëve, që kanë hedhur themelet e gjithë legjislacionit perëndimor me Justinianin e Madh të lindur në rrethinat e Shkupit, pas pesëmbëdhjetë shkeujsh, një person pa integritet, a të paaftë, të emëruar gjyqtar  në një situatë të caktuar, duhet ta mbajnë në kurriz një gjysëm shekulli deri sa ai të dalë në pension.

Prandaj, sistemi i sanksionuar në Kushtetutën e RSH-së bie ndesh me përvojën njerëzore, ku, ndërsa para dy mijë vjetësh, me jetëgjatësi mesatare e popullsisë nën 50 vjeç, gjyqtar në Izrael nuk mund të bëhej askush pa kaluar të 40 vjetët, në Shqipëri ku propogandohet jetëgjatësia mesatare 70 vjet, gjyqtari emërohet edhe 24 vjeç.

Në përfundim të këtij shkrimi mendoj se e vetmja rrugë për reformimin e sistemit gjyqësor është zbatimi i sistemit të zgjedhjes së gjyqtarëve sin ë pushtetet e tjera, duke ja lënë  kompetencën vetë sovranit. Nëse, ai bën një zgjedhje të gabuar e riparon në zgjedhjet e reja pas katër vjetësh dhe nuk mund të fajësojë politikën për korrupsionin, pabarazinë në gjykim etj.. Po a mund të votojë sovrani dy herë një të korruptuar?

Shqiptarët nuk janë të prirur të presin shekuj derisa të konsolidohet sistemi i tanishëm i kastave, për tu përshtatuar me Europën, shumë shekuj kolonizatore. Sistemi actual, që e privon sovranin nga e drejta kontrollit të drejtëpërdrejtë mbi sistemin gjyqësor, vetëm mund të retushohet, por në një moment mund të bëhet shkaktar për konflikte civile në Shqipëri. Nuk ka paqe sociale pa drejtësi. Prandaj, parashtrova model për reformën në sistemin gjyqësor, Kushtetutën e Shtetit të Uashingtonit.

 

*Avokat 

SHKARKO APP