Jorida Tabaku në Kuvend: Shqipëria po bëhet vendi i oligarkëve, 20 vite punë për një apartament

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, thotë se qeveria Rama gjatë 14 viteve ka ndërtuar një model ekonomik që favorizon oligarkët dhe një grup të vogël kompanish, ndërsa qytetarët po përballen çdo ditë me rritje çmimesh dhe vështirësi ekonomike. Nga seanca plenare në Kuvend, ajo tha se premtimet për barazi dhe drejtësi sociale nuk janë reflektuar në jetën e përditshme të familjeve shqiptare. Sipas saj, rritja e pagave dhe deklaratat për ekonomi në zhvillim nuk përputhen me realitetin që përjetojnë qytetarët, të cilët po paguajnë më shumë për ushqimet bazë, karburantin, qiratë dhe kreditë e banesave.

Fjala e plotë

Katërmbëdhjetë vite më parë socialistët hynë në këtë sallë me një premtim të madh. Premtuan barazi. Premtuan drejtësi sociale. Premtuan se do të ndërtonin një ekonomi që do t’i shërbente shumicës dhe jo pakicës. Sot, pas katërmbëdhjetë vitesh, Shqipëria është më e shtrenjtë për qytetarët, më e padrejtë për klasën e mesme dhe më e përqendruar në duart e një pakice se kurrë më parë. Dhe kjo nuk është çështje opinionesh politike. Është realiteti që çdo shqiptar e sheh çdo ditë sapo del nga propaganda dhe përballet me jetën reale.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sepse Shqipëria e vërtetë nuk është ajo e sloganeve për “pagën mesatare”, “rritjen ekonomike” apo “inflacionin nën kontroll”. Shqipëria e vërtetë është ajo e familjeve që numërojnë faturat në fund të muajit, e pensionistëve që nuk përballojnë dot jetesën, e të rinjve që punojnë por nuk arrijnë të ndërtojnë një jetë normale në vendin e tyre. Është Shqipëria ku qytetarët paguajnë më shtrenjtë ushqimet bazë, karburantin, qiranë dhe kreditë e shtëpisë. Është Shqipëria ku një familjeje i duhen pothuajse 20 vite punë vetëm për të blerë një apartament.

Swiss Digital Mobile Reklama

Dhe diferenca mes Shqipërisë së propagandës dhe Shqipërisë reale është dramatike. Është diferenca mes zhurmës së pushtetit dhe heshtjes së shumicës që po varfërohet. Problemi i Shqipërisë nuk është mungesa e rritjes ekonomike. Problemi është se kjo rritje është kapur nga një pakicë. Ky është thelbi i modelit tuaj ekonomik: një model ku qytetari paguan më shumë, ndërsa oligarku paguan më pak. Një model ku tregu nuk është më treg, ku shteti nuk mbron konkurrencën dhe ku ekonomia është kthyer në një sistem rente, privilegji dhe patronazhi.

Dhe kjo nuk ka ndodhur rastësisht. Është ndërtuar hap pas hapi gjatë këtyre 14 viteve. Ju flisni për pagën mesatare prej 800 eurosh, por shumica e shqiptarëve nuk marrin pagë mesatare. E vërteta është se rritja ekonomike ka shkuar më shumë tek pakica në majë sesa tek njerëzit e zakonshëm. Prandaj propaganda juaj flet për statistika, ndërsa qytetarët flasin për mbijetesë. Kjo është ekonomia juaj: një ekonomi ku statistikat pasurohen më shpejt se qytetarët. Ndërkohë që qytetarët mezi mbajnë familjen, ju keni ndërtuar një sistem të tërë për të nxjerrë para nga xhepat e tyre pa e kuptuar as vetë.

Le të marrim shembullin e taksës së fshehur. Prej vitesh nuk keni indeksuar fashat e tatimit mbi të ardhurat me inflacionin. Çfarë do të thotë kjo? Do të thotë se një mësues, një infermier, një inxhinier apo një punonjës privat, sapo merr një rritje page vetëm për të mbuluar rritjen e çmimeve, kalon automatikisht në një fashë më të lartë taksimi. Pra fuqia blerëse nuk i rritet, por shteti i merr më shumë para. Ky është sistemi që keni ngritur: një sistem ku qytetari taksohet në heshtje, ndërsa pushteti shpërndan privilegje me zë të lartë. Një vjedhje me faturë shteti. Mbi 800 mijë punonjës formalë kanë paguar mbi 50 miliardë lekë më shumë vetëm sepse qeveria refuzoi të indeksonte fashat.

Dhe pyetja është: ku shkojnë këto para? A shkojnë për pensionet? Për shëndetësinë? Për arsimin? Këto para përdoren për të mbajtur në këmbë sistemin e privilegjeve. Sepse ndërkohë që qytetari paguan gjithnjë e më shumë, “investitori strategjik” paguan pothuajse asgjë. Një qytetar i zakonshëm paguan efektivisht 23 deri në 27% taksa, ndërsa një investitor strategjik rreth 1.3%. Pra punëtori shqiptar taksohet më shumë se oligarku i lidhur me pushtetin. Ju i thoni kapitalizëm. Por në të vërtetë është feudalizëm modern me VKM dhe ligje me porosi. Dhe ndërkohë që qytetarët paguajnë më shumë taksa, ju keni lejuar që tregu të kapet nga oligopolet. Një nga arsyet më të forta për çmimet e larta është pikërisht tregu i monopoleve me bekimin tuaj politik. Shqiptarët nuk hanë statistika. Familjet shqiptare shpenzojnë shumicën e të ardhurave për ushqim, energji dhe qira. Dhe pikërisht aty çmimet janë rritur më shumë.

Shifrat tregojnë se inflacioni real për shtresat më të varfra ka qenë shumë më i lartë se inflacioni zyrtar. Pra shqiptarët jetojnë një realitet shumë më të rëndë sesa ai që raporton qeveria. Pse ndodh kjo? Sepse tregu nuk është më i lirë. Kur tregu kontrollohet nga pak kompani, nuk kemi më konkurrencë. Kemi monopol. Kemi oligopol. Kemi çmime të diktuara. Dhe në fund paguan qytetari shqiptar. Kur çmimet rriten në bursë, ato rriten menjëherë në Shqipëri. Kur bien në bursë, ato nuk bien kurrë për qytetarët. Diferenca kthehet në fitim për oligopolet. Ky është inflacioni i lakmisë. Një sistem ortakërie mes pushtetit dhe monopoleve ku fiton pakica dhe paguan shumica. Shqiptarët nuk po varfërohen vetëm nga inflacioni. Po varfërohen nga monopoli. Dhe kush duhet të mbronte konkurrencën? Autoriteti i Konkurrencës. Por ai hesht.

Sepse në Shqipëri nuk kemi ekonomi tregu. Kemi ekonomi klientele. Në Shqipërinë e sotme nuk fiton më ai që konkurron më mirë. Fiton ai që lidhet më mirë me pushtetin. Dhe ndërkohë që një pakicë pasurohet, shumica mbahet në këmbë me patronazhim dhe punësime elektorale. Ju nuk po zgjeroni shtetin për t’u shërbyer qytetarëve. Po e zgjeroni për t’i kontrolluar ata. Dhe kështu krijohet cikli i mbyllur: qytetari taksohet, oligarku privilegjohet, monopolet pasurohen, administrata zgjerohet dhe pushteti blihet me paratë e qytetarëve. Ndërkohë Shqipëria po zbrazet. Të rinjtë largohen jo sepse nuk e duan Shqipërinë, por sepse nuk shohin drejtësi, meritokraci dhe shpresë. Shqiptarët nuk po ikin vetëm nga varfëria. Po ikin nga padrejtësia. Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë propagandë. Ka nevojë për frymëmarrje ekonomike, për konkurrencë, për klasë të mesme, për meritokraci dhe për drejtësi ekonomike. Dhe mbi të gjitha, ka nevojë për një shtet që nuk punon për pakicën kundër shumicës. Se kur qytetari humbet besimin tek tregu, tek shteti dhe tek drejtësia, ai humbet besimin tek vetë e ardhmja. Prandaj kjo nuk është vetëm një betejë për ekonominë. Është betejë për vetë Shqipërinë

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se Shqipëria pranohet në BE deri në vitin 2030?