Jugosllavi Fevzi, gjermania Bild dhe Poeti me Mesatarin
Nga Alfred Lela
Gazeta gjermane Bild ka bërë të vetën në rrafsh të asaj që mund të quhet histori e medias, transparencës dhe interesit publik. E përditshmja ka publikuar një listë me protagonistë të gjuhës së urrejtjes online, shfaqur në Facebook, Twitter, sajtet e gazetave etj. Këta janë kryesisht përhapës të ksenofobisë, racizmit, misogjenisë e të tjera qëndrimeve acide që, nëse praktikohen gjatë mund të kalojnë nga dhuna verbale në fizike. Bild pasi ka ‘fotografuar’ një listë të këtyre personazheve bashkangjitur disa prej statuseve apo komenteve të tyre, ka kërkuar ndërhyrjen e Prokurorit të Përgjithshëm të Gjermanisë.
Ky është një debat i gjatë dhe i gjerë, që ka filluar në botë prej shumë, e prej pak kohësh edhe në Shqipëri. Imagjinoni për një moment sikur gazetat shqiptare të guxonin apo të imitonin kreativitetin e Bild dhe, jo si gjë interesante, por si shërbim publik, të botonin identitetet e të gjithë atyre që futen me ‘maskë’ online. Duke i shtuar kësaj edhe një hit list të komenteve të tyre të tmerrshme, të cilat janë në fakt, as më pak e as më shumë, një material për psikopatologët.
Media jonë e ka zakon që të vjedhë pa u skuqur fare ide emisionesh të suksesshme në Perëndim, por ma merr mendja që një të këtillë vjedhje jovanitoze nuk do e bënte. Megjithatë, le të shërbejë kjo si njëfarë shenje për zhganin laraman të linçuesve të internetit: një ditë mund t’ju bëjmë të njohur! Duke botuar emrat tuaj të vërtetë përbri monstruoziteteve enciklopedike.
Derisa gjërat që mund të ndodhin të kenë ndodhur, le të merremi pak me ato që kanë ndodhur ndërkohë. Një e tillë është një fërkim pa forcë, por me banalitet ndërmjet Andrea Stefanit dhe Preç Zogajt në emisionin “Opinion”. Shumë kanë menduar ta interpretojnë si shërbestari politike rrëshqitjen e A. Stefanit në fyerje dhe sulme që kishin të bënin aspak me argumentin në debat. Sikur të ishte vetëm kaq, do të ishte shumë mirë. Por jo. Nënshtresat e qëndrimeve të Stefanit janë disa dhe vetëm si pretekst aktualiteti kanë shërbestarinë ndaj qeverisë.
Nënshtresa e parë: Lufta e ftohtë dhe sekrete, por e përbindshme, e të talentuarit me mesatarin. Preç Zogaj është një intelektual i sofistikuar dhe po aq i tillë poet. Ai është gjithashtu ndër dy-tre eseistët politikë më të mirë shqiptarë, me një radhë librash të cilët, megjithëse gjykohen se janë shkruar sipas një makiavelizmi politik, ruajnë dritëhijet e plota të teatrit politik shqiptar paraqitur nga një penë fine. A. Stefani, m’anë tjetër, nuk i ka shpëtuar tonit publicistik zëpëist. Të interesuarit mund të shfletojnë gazetën e Partisë së Punës së viteve ‘90-‘91 dhe të bëjnë krahasimin mes teksteve, nënteksteve dhe konteksteve të sotme e të djeshme. Një gjë pozitive do ta gjejnë: Andrea Stefani është koherent; ai nuk ka lëvizur nga besa e kuqe.
Nënshtresa e dytë: Ish-ushtaraku me poetin. Zogaj, megjithë inkursionet në politikë, ka mbetur poet, ndërsa Stefanit i është dashur ta rishpikë veten duke e nxjerrë nga rroba dhe vetëdija e ushtarakut për ta shndërruar në gazetar apo opinionist. Dallohen në ta ushtaraku te gazetari dhe poeti te politikani. Nuk është determinizëm marksist ky sa është dhanti (gift) e Zotit. Megjithëse të dyja mund të jenë.
Nënshtresa e tretë: Veriori me jugorin. Shumë po duan të na fusin thonjtë në fyt e të këlthasin për tolerancën fetare e krahinore/gjeografike të shqiptarit, por mund ta mbajnë për sëndukun e iluzioneve të tyre sepse, dashur pa dashur, përtej qokave me Kërshëndella e Bajram të politikës në dyert e feve, një padurim i së kundërtës e sheh të demonstrohet përditë e ku mundet. Stefani e ka dallgëzuar këtë frustrim me po të njëjtin shkumëzim, në po të njëjtën studio, nën hundën asnjanëse të të njëjtit moderator, i cili ka shpallur neutralitetin, njëfarë Jugosllavie e Luftës së Ftohtë që i shërbeu botës më pas luftën më të nxehtë pas Botërores. E kam fjalën për Fevziun dhe për hakërrimën Stefani-Peka të para ca kohëve, ku i pari i kujtoi të dytit prejardhjen. Ja ku shfaqen edhe konturet e një pyetjeje kërkimore: a mos antiberishizmi i Stefanit është një antiveriorizëm i kamufluar?
Nënshtresa e katërt: I përmbysuri me përmbysësin (që kanë ndërruar vendet). Shndërrimet e viteve ‘90 kanë hyrë si ajsberg në Titanikun ideologjik të Stefanit me shokë: të përgatitur për kalimin një shkallë më lart, ata e panë veten në një det të hapur e të panjohur vlerash të përmbysura. U duhej ta nisnin nga fillimi, por pa e lënë në mes pengun e asaj ndërprerjeje mizore. Koha e kish shndërruar përmbysësin në të përmbysur. Ushtaraku nuk mund t’ia falte Poetit. Sidomos kur silueta e tij lëbyrte një talent, iluzionin e të cilit në vetminë dhe grinë e reparteve e përkundnin shumë ushtarakë. Luftën e shkrimtarëve të parealizuar mund ta ndeshësh të egër e të pambarimtë në politikën dhe median shqiptare. Çdo dalje prej saj me pretekste të tipit ‘ke qenë spiun’, ‘nuk je burrë i mirë’ etj., vetëm sa e përforcon praninë brerëse të brengës.
Në fund, kur perdja të ketë rënë, siç bie për të gjithë, Zogaj do mbahet mend për poezinë dhe esetë. Stefanit asnjë shën nuk do t’i vënë përpara.
Sa i takon Fevziut, për interesat e emisionit, ai luajti jugosllavin e mirë dhe neutral, që nuk përzihet. Qëndrimi editorial do t’i shkonte një emisioni serioz, por a e do audienca seriozitetin?
MAPO