
Deputeti i PD-së, Agron Gjekmarkaj, thotë se protestat e studentëve dhe pedagogëve kanë vënë në vështirësi qeverinë e kryeministrit Edi Rama. Sipas tij, reagimi i komunitetit akademik është një sinjal i fortë i pakënaqësisë ndaj qeverisjes. Deputeti kritikon zbatimin e Paktit për Universitetin, duke pretenduar se qeveria nuk ka përmbushur angazhimet e marra ndaj studentëve. Sipas tij, premtimet e bëra nuk janë shoqëruar me përmirësime konkrete, ndërsa pakënaqësitë e studentëve vijojnë të mbeten të pazgjidhura.
Gjekmarkaj u shpreh se kërkesa kryesore e studentëve është dorëheqja e Ramës dhe se, sipas tij, dialogu me qeverinë nuk mund të japë zgjidhje për sa kohë që problemet e ngritura nuk marrin përgjigje konkrete. Ai ngriti gjithashtu shqetësime për përqendrimin e pushtetit dhe funksionimin e institucioneve, duke argumentuar se mungesa e përfaqësimit dhe kufizimi i mundësisë për të votuar lirisht e shtyjnë shoqërinë drejt protestave si formë reagimi.
”Studentët dhe pedagogë janë elita e një vendi dhe kjo elitë ka folur në mënyrë masive. Kanë firmosur një peticion ku kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Kryeministri flet për pakt për Universitetit, por ka qenë një copë letër. Asgjë për studentët, vetëm arrogancë e gënjeshtra. Ndaj studentët kanë vetëm një kërkesë që është dorëheqja. Dhe asgjë tjetër nuk i zgjidh shqetësimet e tij të shumta. Është e kotë të bisedosh me një qeveri, mazhorancë që ka uzurpuar 78 % të pushtetit në Shqipëri. Ai do të ketë çdo institucion. Këta njerëz në momentin që nuk përfaqësohen dhunohen dhe u pamundësohet vota e lirë dhe nëse ky raport është shkatërruar, atëherë çfarë i mbetet një shoqërie”, tha ai në ”News 24”.
