Kandidat i PD për Tiranën? Alimehmeti: Binaj dha kontribut, por s’futemi në zgjedhje me të pavarur
Cili do të jetë kandidati i PD-së për bashkinë e Tiranës, në zgjedhjet e vitit 2027? Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Ilir Alimehmeti thotë se PD ende nuk ka një emër me të cilin do të garojë në zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm në Bashkinë e Tiranës. Teksa u pyet për Florian Binajn, ai tha se opozita nuk do të shkojë në zgjedhjet lokale me kandidat të pavarur. Sipas Alimehmetit, Binaj mund të garonte për Bashkinë e Tiranës vetëm nëse gjatë kësaj kohe do të përfshihej në strukturat e një subjekti politik opozitar.
”PD është në proces ristrukturimi. Zoti Binaj dha një kontribut shumë të çmuar. Ofroi figurën e vet për opozitën, integritetin e tij në një moment të vështirë për opozitën dhe për PD-në. Megjithatë në zgjedhjet e vitit 2027 nuk do shkohet me kandidatë të pavarur. Pra jemi duke folur për tipologjinë e kandidatëve. Në këtë drejtim nuk kemi dalë me emra të përvetshëm. Por nuk është çudi që Binaj të ketë edhe një trajektore brenda-partiake”, tha mes të tjerash Alimehmeti në ”Report TV”.
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, është shprehur se është një lajm pozitiv nëse Erion Braçe do të kandidonte për kryetar të Bashkisë së Tiranës. Duka tha se Braçe është një figurë që ka pëlqyeshmëri të lartë te të majtët në Shqipëri dhe se ka ndërmarrë nisma në interes të qytetarëve. Ai shtoi edhe se paçka dëshirës së Braçes, kryeministri Edi Rama nuk do ta pranonte kandidimin e tij në emër të PS-së për Bashkinë e Tiranës.
KOHA JONË SONDAZH

