Katastrofa pas katastrofës së 11 shtatorit

Kjo ditë ka lënë gjurmë të thella në kujtesën e Gary Smiley-t. Ngjarjet nuk e lënë të qetë deri më sot, si një demon që nuk e largon dot më. Punonjësi sanitar i shpëtimit, Gary Smiley po punonte më 11 shtator me orar të zgjatur, kur avioni i parë goditi kullën veriore të World Trade Center dhe e rrëzoi atë disa orë më vonë. Me kolegë, zjarrfikës, policë dhe shumë vullnetarë ai shpëtoi shumë njerëz. "Kur u godit kulla e dytë, unë u hodha mbi një grua dhe e mbulova me trupin tim. Ne të dy mbijetuam".

Më vonë ai mezi i shpëtoi vdekjes. "Kur u rrëzua kulla e dytë, unë isha vetëm 75 metra më tej dhe shpëtova vetëm sepse u hodha nën një kamion", i kujtohet atij. Orë më vonë atë e ӏiruan nga gërmadhat ndihmës të tjerë. Gary Smiley humbi këtë ditë shokë të ngushtë dhe kolegë.

Vuajtjet pas katastrofës

Pamjet New-York-ezit të lindur dhe rritur në qytet nuk i shkëputen nga mendja. Disa muaj pas katastrofës ai nisi sërish punën, u transmetonte përvojën e tij të tjerëve. "M'u desh të kthehesha në profesion, që të vazhdoja të jetoja", thotë ai sot. Ai ka qenë që në moshën 19 vjeçar punonjës sanitar i shpëtimit. Ky profesion ka qenë ëndrra e tij. Por para disa vitesh nuk punonte dot më. Në moshën 48 vjeçare doli në pension të parakohshëm. Që atëherë e kalon një pjesë të madhe të kohës në mjekim, thotë ai. Ai ka probleme me barazpeshimin, dhimbje koke të vazhdueshme, probleme me veshkat. Sistemin e imunitetit e ka të dobët, vuan nga diabeti, pa folur për problemet psikike. "E gjitha është një ëndërr e keqe, fizikisht dhe mendërisht."

Ashtu si mijëra ndihmës të tjerë atë e vizitojnë rregullisht mjekë specialistë. Pagesat e larta të mjekut deri tani janë marrë përsipër nga shteti. Kongresi ngriti enkas për të mbijetuarit e 11 shtatorit një fond prej 2,78 miliardë dollarësh.

Ndihmësit ndihen të braktisur

Ky program përfundon në fund të vitit 2015. Për Gary Smiley një katastrofë. "Instituti im i sigurimit shëndetësor nuk do të dojë t'i paguajë këto fatura". E njëjta gjë vlen për të mbijetuar të tjerë, të cilët janë sëmurë për shembull nga kanceri dhe duhet të paguajnë "shumë astronomike" të larta. Këta janë njerëz që qenë të gatshëm të jepnin gjithçka në ditën kur Amerikën e goditën më rëndë në historinë e saj.

Ajo që i jep shpresë prindit të dy fëmijëve: me fatin e tij ai nuk është i vetëm. Të mbijetuar të tjerë varen gjithashtu nga ndihma e shtetit. Ata janë bërë bashkë, japin së bashku konferenca shtypi, u shkruajnë letra senatorëve dhe deputetëve të kongresit. Kjo duket se po bën efekt. Deputetë nga New Yorku dhe New Jersey kërkojnë ndërkohë gjithashtu vazhdimin e ndihmave. "Nuk mjafton ta lëvdojmë heroizmin e forcave të shpëtimit", tha me vend demokratja Carolyn Maloney.

DW

SHKARKO APP