Këshilli i Bashkisë Mat voton PRO për bashkimin me Klosin
Këshilli Bashkiak i Matit ka dhënë mendimin e tij lidhur me projektin e reformës administrative-territoriale, pas përfundimit të dëgjesave publike të zhvilluara në 8 njësitë administrative të bashkisë.
Në mbledhjen e zhvilluar jashtë radhe, ku ishin të pranishëm 20 nga 21 këshilltarët bashkiakë, u diskutua propozimi i mazhorancës për riorganizimin e njësive të vetëqeverisjes vendore. Sipas projekt-draftit, Bashkia Klos parashikohet të mos jetë më njësi më vete e vetëqeverisjes vendore, por të bashkohet me Bashkinë Mat.
Pas diskutimeve dhe qëndrimeve të shprehura nga këshilltarët, projekt-drafti u hodh në votim. Në përfundim, 14 këshilltarë votuan pro, 5 kundër, ndërsa 1 këshilltar abstenoi.
Me këtë vendim, Këshilli Bashkiak i Matit dhe Kryetari i Bashkisë do t’i përcjellin Kuvendit qëndrimin e tyre zyrtar mbi propozimin për bashkimin e Bashkive Mat dhe Klos në një njësi të vetme vendore.
Projekt-drafti për reformën territoriale pritet të vijojë procedurat parlamentare dhe të shqyrtohet për votim në Kuvend më 8 tetor.

