Kina, interes strategjik për Shqipërinë

Kina e ka rritur vëmendjen e saj për shtimin e investimeve në Shqipëri. Zëvendës kryeministri i parë i Kinës Zhang Gaoli, gjendet në një vizitë dy ditore në Tiranë, i shoqëruar nga 5 ministra dhe 50 drejtues kompanish.

Në takimin me kryeministrin Edi Rama, pala kineze theksoi se pozicioni i Shqipërisë në rajon është strategjik dhe se e sheh të nevojshme rritjen e mekanizmave të bashkëpunimit ekonomik për të nxitur investimet private.

Aktualisht, Kina ka disa iniciativa në rajon ku Shqipëria është pjesë, përfshirë dhe nismën “Një brez, një rrugë”, që synon rigjallërimin e brezit ekonomik të rrugës së mëndafshit. Pikërisht nga këto platforma mund të zgjerohen edhe më shumë marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve.

Duke evidentuar faktin se Kina aktualisht ka investimet më të mëdha në Shqipëri, Kryeministri Rama, theksoi se presim që këto investime të jenë pikë referimi për të mirëpritur investime të tjera.

Në takim u dakordësua që ministrat e linjës të shkëmbejnë listat e projekteve strategjike në Shqipëri, për të parë hapësirat ku mund të zgjerohet bashkëpunimi.

Zëvendës kryeministri i parë kinez u takua edhe me presidentin Nishani. Ky i fundit duke vlerësuar rolin e Republikës Popullore të Kinës, në arenën ndërkombëtare dhe të Kombeve të Bashkuara, në mbështetje të paqes dhe sigurisë, si në nivel global ashtu edhe në nivel rajonal, shprehu besimin se ky rol do të shtrijë efektet e veta pozitive edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht në pavarësinë e Kosovës.

SHKARKO APP