Klosi: Vetëm 20% e të papunëve të regjistruar shkojnë në tregun e punës

 

Rritja e punësimit dhe kualifikimi i krahut të punës sipas kërkesave të tregut, për ministrin e MSR­-së, Blendi Klosi, përbëjnë dy nga sfidat kryesore të punës së tij në krye të këtij institucioni.

Kështu, sot në tryezën e rrumbullakët të Konsujve të Nderit në Shqipëri, me temë “Diplomacia ekonomike dhe nxitja e punësimit”, në fjalën e tij ai ka theksuar se një nga mundësitë e luftimit të papunësisë është pikërisht arsimi dhe formimi profesional.

“Një shtyllë e rëndësishme e programit të punës sime është konkretizimi i lidhjes trekëndore Biznes – Arsim e Formim Profesional – Tregu i Punës. Duke e marrë si shembull sistemin dual gjerman, ne besojmë shumë që do të sjellë një ndryshim rrënjësor në tregun e punës: Nxënësit do të kenë formimin dhe certifikimin adekuat me kërkesat e biznesit, me një shans shumë më të madh për një punë të denjë, të mirëpaguar dhe të siguruar dhe jo vetëm në tregun shqiptar, por edhe atë europian apo global të punës”, – tha ministri Klosi.

Gjithashtu, ai bëri të ditur se një tjetër përpjekje e MMSR­-së në kuadër të përgatitjes së një krahu pune të kualifikuar është edhe ajo për të krijuar mundësi formimi profesional për të gjithë ata nxënës të gjimnazeve që nuk hyjnë dot në universitete.

“Ata janë mjaft të arsimuar, por u mungon profesioni. Hapja e një sistemi kualifikimi profesional post­sekondar, për të cilin ka nevojë tregu në përshtatje me sektorët e ekonomisë, do të jetë një nga ofertat e reja të Formimit Profesional”, – tha Klosi.

Duke iu referuar pikërisht të dhënave zyrtare nga Zyrat e Punës, ai ka theksuar se, pavarësisht se numri i atyre që regjistrohen si të papunë është i madh, vetëm një përqindje e vogël e tyre janë të gatshëm që të pranojnë një punë që u ofrohet nga këto zyra dhe kjo për mungesë të një profesioni apo edhe të dëshirës.

“Ne kemi një nivel relativisht të lartë papunësie të regjistruar në Zyrat tona të Punës, por vetëm 20% e tyre shkojnë në tregun e punës, ku ju bëhet ndërmjetësimi me punëdhënësit në bazë të formimit profesional, dhe kjo është pjesa aktive e tregut të punës; 80% e punëkërkuesve i përkasin tregut pasiv, që marrin një pagesë papunësie të përkohshme. I vetmi justifikim është mungesa e aftësive profesionale. Synimi ynë është tepër ambicioz: të përmbysim shifrat duke shkuar 80% në tregun aktiv të punës dhe 20% në tregun pasiv, ku mund të hyjnë moshat madhore të pakualifikuara. Rruga e zgjidhjes se këtij synimi është Arsimi dhe Formimi Profesional”, – theksoi ministri Klosi. 

SHKARKO APP