Korrupsioni, ky “përbindësh” i heshtur që ha çdo qeveri
Nga Zef Shtjefni
Korrupsioni është bërë plaga më e rëndë e shqiptarëve, është bërë kanceri i tranzicionit dhe i sistemit të ri politik, është kthyer në ndryshkun kryesor që na ka përkulur shtetformimin dhe paralizuar qeveritë, është bërë makthi i ditës dhe i së ardhmes së shqiptarëve. Ende nuk shihet asnjë lloj drite në këtë tunel pus të errët, edhe pse Qeveria e re po fiton njëra pas tjetrës disa sfida shumë të rëndësishme. Përbindëshi korrupsion duket se nuk tundet lehtë. Nuk ka qelizë të jetës sonë që nuk është futur. Të parët që goditen janë bizneset. Për ato, fjala korrupsion do të thotë taksë më shifra ankthi, apo me përqindje asfiksuese, 20-25% për një tender. 10% -15% për një seancë gjyqësore. Tani u shtua edhe Administrativia. Desh harruam dhe zyrat e përmbarimit. Tani ato janë edhe shtet, edhe privat që të rrjepin 15-20% për hesap të tyre. Këto vetëm për çështje civile, pasi për penalet është dhe vargu i pafund i prokurorëve. Medet çfarë drejtësie..! Mjerë kush ka punë me te..! Dhe përbindëshi vijon pa mëshirë: 20-25% për një leje ndërtimi. Madje, tani ku t’i gjesh dhe me aq..! 10-15% për kthimin e TVSH-së apo akcizës, e kështu pa fund për çdo gjë. Ky ishte dhe kështu është refreni i jetës së përditshme shqiptare, pavarësisht nga kërcënimet e Qeverisë dhe të Kryeministrit. Hajdutët e mashtruesit e të gjitha ngjyrave i kanë kthyer tash sa vite zyrat e administratës publike, në zyra zhvatje për shqiptarët. Kam dëgjuar jo rrallë analistë e politikanë që e justifikojnë përbindëshin e zi shqiptar të korrupsionit, duke thënë se ai ekziston kudo edhe nëpër Europë. Unë punoj prej 20 vitesh edhe në dy shtete europiane dhe po ju tregoj një rast krahasues, nga shumë të tillë që kam. Konkluzionin nxirreni vetë.
Në një nga kompanitë këtu në Shqipëri kishim paguar 70 mln lek të vjetra tatim fitimi, më shumë se detyrimi. Jo nga qejfi, po sepse zyra e tatimeve na detyronte, për të realizuar planin e saj, duke na premtuar se po të ishin paguar tepër, do na i kthenin në fund të vitit. Kur erdhi fundi i vitit, dorëzuam kërkesën për t’i marrë mbrapsht paratë e paguara tepër. Kaluan 15 ditët që parashikonte ligji, 20, 30, 60 dhe hiç gjë. Kur fap, një ditë ia befi sekseri. “Ok,- i tha ortaku im italian, -10% dhe na ktheni reston”. “Nuk bëhet fjalë”,- tha prerë sekseri. 25% paguhet për një tender, jo ma për këto që janë para qyl. “Çfarë qyli, o njeri këto janë paratë tona, të cilat na i keni marrë para një viti”,- u nxhe italiani. “Ehu, paskani dokrra ju”,- tha sekseri e na ktheu shpinën. Nuk e zgjati më, por ditën e 65 pas kërkesës sonë të rimbursimit, ia behu në ndërmarrje një komision i madh kontrolli nga tatimet. Sikur e kishin të shkruar në ballë misionin e gjobitjes. 140 mln lek të vjetra gjobë na vunë. Arsyet ishin aq banale dhe aq flagrante me ligjet, sa të gajasej gomari. Po ku të ankoheshe!? Na sekuestruan llogaritë bankare e çuan në tilt ndërmarrjen. Ortaku italian kapi kokën me duar e lëshoi kujën: “Mama mia, mama mia, ku paskam ardhur unë..!”. Pastaj mu drejtua: “E shesim së bashku biznesin, ose blije ti, sepse unë më në këtë vend nuk vë këmbë”. E bleva unë, si shumë shqiptar të krisur, që nuk duam të dorëzohen e ta braktisin vendin e vet. Qëndrova dhe vazhdova betejën më përbindëshin e heshtur, si gjithë kolegët e mi. 10% në shkallën e parë, 10 % në të dytën, 10% në të tretën. Këta e kishin syrin më lart dhe ngaqë ua vonuam përgjigjen, na e kthyen çështjen prapë në shkallën e parë. Na u lodh shpirti dhe e lamë fare. Në Pragë më ka ndodhur një histori e ngjashme. Tatimi mbi fitimin na e kaloi shifrën e detyrimit ligjor, në afro 50 mijë euro. Dërguam kërkesën te tatimet dhe pas një javë ia behu kontrolli, një djalë i ri dhe një vajzë më çanta shpine. Për një javë kontrolluan gjithë dokumentacionin dhe në fund na thane: “Keni të drejtë, paskeni paguar më tepër se detyrimi. Po tani,- i pyetëm,- çdo do bëhet ? Dhe menjëherë pas kësaj, u bëmë edhe një pyetje tjetër rrufe: A bën t’ua japim nga një kafe, e të na i ktheni? Po ne pimë çaj zotëri. Kafenë nuk e kemi qejf,- u përgjigjën ata. Jo, jo, -u thamë, e keni këtu në zarfa kafenë…Si, si, zgurdulluan sytë tatimorët e Pragës! Ne ua kemi marrë paratë tash një vit, e kemi punuar me to dhe doni edhe të na paguani!? Kjo nuk shkon zotëri, nuk jemi aq të poshtër sa na mendoni..! Ju lutëm të mos na keqkuptonin. Ju thamë se të poshtër janë ata patriotët tanë, që nuk kanë të ngopur të na hanë të gjallë. Në Pragë paratë i erdhën në llogari kompanisë sonë për 15 ditë. Por në Shqipëri nuk i pamë më me sy, as ato që na zhvatën tatimet, e as ato që na mori përbindëshi i korrupsionit. Por përbindëshi tek ne nuk ha vetëm biznesin. Pasi gllabëron e paralizon qeverinë, ai kafshon dhe të gjitha shtresat e popullit. 2000-3000 euro për një vend punë si mësues, 20 000 euro për një vend punë në ambasadë, 5-10 mijë euro për një hipotekim pallti. 3-4 mijë për një legalizim. 100 mijë lek për një firmë të rëndomtë. Në dogana të rrinë kamionët 3 ditë në radhë, nëse nuk paguan taksat e korrupsionit. Bile këta doganierët nuk kanë pasur skrupuj fare, i marrin njësoj si rrogën mbi tavolinë e nuk u bën tërr syri. Ata të KESH-it e CEZ-it kanë pas strategji tjetër. Bënin oferta e pazare për uljen e faturave. Nuk ua kemi pranuar kurrë, jo pse jemi më budallenj se të tjerët, që ia kanë parë hajrin më vite kësaj, por sepse është fare e thjeshtë që të kapësh me presh në dorë. Ama kur nuk u bindësh, ja çfarë të bëjnë: Në njërën ndërmarrje që kemi këtu, e cila konsumon shumë energji, erdhën e na ndërruan matësin. Pa kaluar as 15 ditë na dërguan një ekip kontrolli me 12 veta. Na akuzuan se kishim liruar një fije të matësit, bile që prej dy vitesh, edhe pse e kishin ndërruar vetë matësin 10 ditë më parë! Na gjobitën me 120 mln lek të vjetra. I dërguam në prokurori për abuzim me detyrën. Në prokurori na priti si cjapi te kasapi, një burrë i madh nga Tropoja. “Shifër e malle o zotni kjo,- na tha. Sa leni në këtë zyre ju..? Bu, bu ku erdhem, i thashë avokatit ..!”Ai prokurori na bëri kundrapadi penale dhe hoqëm të zitë e ullirit nja dy vite për ta hequr qafe. Kjo pra, është lufta e përditshme me përbindëshin e çdo biznesmeni, e çdo shqiptari që ka një hall me zyrat e shtetit në këtë vend. Këtë e di gjithkush dhe nuk po them ndonjë gjë të re. Puna është si të dalim prej këtij halli, këtij djalli, këtij përbindëshi që na ka kapur për gryke e na ka gllabëruar administratën e çdo qeveri deri më sot? Kjo do të jetë kolona e pestë edhe e Qeverisë Rama-Meta. Ky është halli më i madh që ka sot çdo shqiptar që ka punë me zyrat e shtetit. A thua e shohin vallë përbindëshi e zi të korrupsionit masiv dhe a do të dinë çfarë duhet bërë kundër tij, ata që na qeverisin sot dhe ata që pretendojnë të na qeverisin nesër?