Krasniqi: Tranzicioni në Shqipëri nuk i përmbushi tërësisht pritshmëritë e lëvizjes “Dhjetor 1990”
Edhe pse kanë kaluar 24 vite, debati për lëvizjen studentore antikomuniste “Dhjetor 1990” vazhdon akoma, nëse kjo lëvizje studentore e përmbushi misionin e saj dhe nëse u përmbushën aspiratat e studenteve. Anadolu Agency (AA) ka realizuar një intervistë me njërin prej protagonistëve të lëvizjes studentore të dhjetorit të vitit 1990, me politologun dhe analistin e njohur, Prof.As Afrim Krasniqi. Krasniqi në bisedën e tij me gazetarin e AA flet gjerësisht për misionin e asaj lëvizje dhe nëse i ka përmbushur ajo pas kaq vitesh aspiratat e studenteve që u ngritën në demonstrata kundra regjimit komunist; ndryshimin midis rinisë së atyre viteve me gjeneratën e sotme, roli i të rinjve sot në jetën politike të vendit. Gjithashtu Krasniqi ndalet edhe në projektin e drejtuar nga ai për “Muzeun e Memories”, i cili sjell dëshmi dhe dokumente të ndryshme nga jeta dhe persekutimi i regjimit komunist.
-“Tranzicioni nuk i përmbushi tërësisht pritshmëritë e lëvizjes “Dhjetor 1990””
“Nëse ne shohim atë çfarë ishin sloganet kryesore të lëvizjes, pra ishte ideja e një Shqipërie të lire, e një Shqipërie demokratike dhe të integruar në Evropë, do të thotë se tranzicioni nuk i ka përmbushur tërësisht këto pritshmëri. Shqipëria ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë në këto 24 vite. Nga qytetarët shqiptarë që mbushnin anijet për tu larguar, sot vendi është anëtarë i NATO-s dhe në aspektin politik përparimi duket se është i dukshëm. Por në fakt në mënyrën sesi perceptohej e ardhmja e Shqipërisë në atë kohë, ideja e një vendi ku funksionon plotësisht shteti i së drejtës, ku funksionon demokracia, raporti midis individit dhe vendimmarrësit, ende Shqipëria ndodhet në fazën e tranzicionit. Është ndoshta një nga zhvillimet më të mëdha jo thjesht të atij brezi, por për të gjithë qytetarët që përkrahën ndryshimet në dhjetorin e vitit 1990”- shprehet ish-studenti i “Lëvizjes së Dhjetorit 1990” për Anadolu Agency (AA)
Ai sjell ndërmend edhe detaje nga Lëvizja studentore antikomuniste, dhe në këndvështrimin e tij, kur i kujton sot duken detaje të vogla, por në atë kohë sipas tij kishin të bënin me jetën dhe vdekjen. “Më 8 dhjetor 1990 kur dolëm dhe u përleshëm me policinë në orën 1:00 të natës, u kthyem në Qytetin Studenti, kishim mbetur 200 studentë maksimumi dhe një polici masive që kishte rrethuar në të gjitha drejtimet. Në atë natë ishim me idenë që edhe mund të na arrestoheshim. E vetmja mundësi për të mbijetuar ishte të mblidheshim të gjithë në shesh, të rrinim me njëri-tjetrin derisa të zbardhte drita. Në fakt kështu bëmë, që të kishim dëshmitarë për njëri -tjetrin. Ky ishte një moment që rriti solidaritetin sepse, shumica nuk e njihnin njëri-tjetrin”- kujton Krasniqi detajet e 24 viteve më parë. Sipas tij vetëm bashkimi pas kësaj kauze dhe ideja për të mposhtur frikën ndaj diktaturës, ideja për të qenë bashkërisht si e vetmja mundësi për t’iu kundërvënë regjimit, bëri që të nesërmen të krijohet një numër shumë më i madh studentësh
Po si e shikon ai ndryshimin midis të rinjve të tyreve viteve dhe të rinjve sot? Krasniqi në rrëfimin e tij për Anadolu Agency (AA) pohon se është një ndryshim i madh, në disa aspekte si në lirinë e shkollimit, të mendimit, të organizimit dhe përgjegjësive që duhet të ketë një brez i ri për vendin. “Për shembull, kur unë kam shkuar në shkollën e lartë, në atë kohë duhej të jepej miratimi nga organet e larta të Partisë dhe unë kam punuar një vit në minierë për shkak se nuk më dhanë mundësinë për të vazhduar studimet e larta, pavarësisht se kisha rezultate të larta”, duke shtuar se në atë kohë kur një i ri shkonte në shkollë të lartë ishte një gëzim i madh familjar, ishte shpresa që ky shkollim të kthehej në të mira për familjen. Krasniqi thekson se deri diku, ky lloj brezi, brezi që ai përfaqëson dhe i përket , ka pasur një burrërim të shpejtë, pasi menjëherë lidhesh me atë që ishin përgjegjësitë familjare, shoqërore dhe politike.
Ndërsa sipas tij brezi i sotëm është krejtësisht ndryshe, pasi të rinjtë sot e kanë të garantuar hapësirën për shkollën e lartë, e kanë të garantuar hapësirën për konkurrim për vende pune, lirinë e mendimit dhe lirinë për organizim dhe vetorganizim. “Është tërësisht ndryshe, por krahas anës pozitive, lirisë së madhe që kanë për të konkurruar me talentin tek të rinjtë e spikatur, në fakt vuan nga një lloj ndjenje përgjegjësie ndaj vendit. Si në vitet e komunizmit, ashtu edhe në vitet 1990 shansi për shkollën e lartë ishte një shans për të studiuar, sot brezi i ri ka nevojë që ta përdorë shansin për të studiuar si një mundësi për formimin e tyre profesional dhe si qytetar për të bërë një punë të mirë për familjen dhe vendin e tyre. Ndërkohë që brezi i ri nuk e ka kuptuar mirë këtë gjë. Pra nëse shohim mesataren e të rinjve sot dhe rezultatet që ato prodhojnë është minimal në raport me pritshmëritë e nevojave që ka vendi. Do duhet të përfaqësojnë një mentalitet dhe sjellje krejt tjetër, të dialogojnë, të bashkëpunojnë njëri me tjetrin, të përpiqen se si ti shohin gjërat dhe të mos shohin se si mund të imitojnë brezin e kaluar. Dhe brezi i ri politik i viteve të fundit, edhe në parlament edhe në partitë politike, ka hyrë më shumë si imitues i brezit të vjetër, se sa një brez që sjell një mesazh të ri” Këtë Krasniqi e shikon si një zhvillim negativ, sepse sjell pakënaqësi dhe zhgënjim për të rinjtë në politikë dhe tek shoqëria që thotë që ky lloj brezi nuk arrin të bëjë ndryshimin. Ai thekson se një brez e bën ndryshimin ditën që vendos të marrë përgjegjësi për vendin.
-“Muzeu i Memories”- njohja me jetesën dhe persekutimin gjatë regjimit komunist
Politologu i njohur, Prof.As Afrim Krasniqi është edhe drejtues i projektit për “Muzeun e Memories”, i cili është një projekt i ideuar dhe realizuar nga Instituti Shqiptar i Studimeve Politike. Qëllimi i projektit është ti përgjigjet nevojës për të nderuar dhe memorializuar viktimat e krimeve të komunizmit dhe nevojës për të informuar brezin e ri dhe shqiptarët që jetojnë në emigracion me krimet, dënimet, apo burgjet e diktaturës komunistë në Shqipëri.
“Edhe kjo është e lidhur me rininë. Unë si pedagog konstatoj që brezi i ri ka mungesë të theksuar informacioni për të kaluarën komuniste. Tendenca për tu përballur me komunizmin vetëm thjesht me kujtime të individëve që e kanë përjetuar atë ose me debate politike të ditës nuk sjell asgjë dhe krijohen keqkuptime tek opinioni publik. Prandaj u munduam që të gjemë një projekt, një mekanizëm që të komunikojmë me këtë brez të ri dhe ti informojmë sesi ka qenë jeta në komunizëm, jeta që nga familja, shkolla, shoqëria dhe deri tek burgjet që ishin niveli më i lartë i dhunës në sistemin komunist. Dhe provuam me “Muzeun e Memories”, për të ju përcjellë të rinjve kudo që ndodhen sidomos në emigracionit këtë lloj informacioni dhe pati një sukses jashtëzakonisht të lartë”- deklaron Krasniqi duke rrëfyer rreth projektit në fjalë që ai drejton.
Sipas tij ka patur rreh 40 mijë vizitorë onlinë çdo javë dhe në rrjetet sociale ka patur një dyndje interesi, ku më pas ideatorët kanë vendosur të kalojnë nga “Muzeu Virtual” në nj ekspozitë të fotove dhe të dhënave më të detajuara më simbolike, ku janë prezantuar në disa mjedise të Tiranës. Krasniqi pohon se synon ta prezantojnë projektin “Muzeu i Memories” në të gjithë shkollat e mesme dhe universitete e Shqipërisë.
Në “Muzeun e Memories” ka dy lloj materialesh, ku ka një lloj analize profesionale që është bërë se si ishte jeta në komunizëm, për shkak se sipas Krasniqit sot në Shqipëri nuk ekziston një libër që të tregojë se si ka qenë jeta në komunizëm. “Jemi munduar të marrim copëza nga jeta e asaj periudhe dhe materiale nga ajo periudhë për të kuptuar mënyrën e jetesës në komunizëm. Faza e dytë është për përndjekjet gjatë sistemit komunist, ku kemi marrë burgjet kryesore, si atë të Spaçit, Tepelenës, të cilët konsideroheshin burgje masive në Shqipëri, ku ka pasur rreth 4000-5000 njerëz të vrarë ose të zhdukur. Duke marrë elementët që kanë qenë të përfshirë në këto burgje, qoftë të burgosur direkt, apo familjarë që kanë humbur njerëzit e tyre, kemi kontaktuar me ta, kemi mbledhur materiale që nuk kanë qenë të publikuara dhe kemi parë të gjitha arkivat e mundshme të shtetit shqiptar, duke u munduar të sjellim materiale që nuk janë shfaqur më parë, edhe për ta bërë më atraktive, por edhe për të tërhequr vëmendjen se nuk janë zbuluar të gjitha gjërat dhe dëshmitë e të kaluarës komuniste”.
Në fund të bisedës politologu Afrim Krasniqi vlerëson edhe fillimin zyrtarisht të transmetimeve në gjuhën shqipe të Anadolu Agency (AA). “Agjencia është shumë e nevojshme, sepse ekzistojnë një numër i madh shqiptarësh që kanë interesa të përbashkëta në rajon. Është themelore që ne para se të njohim Perëndimin, duhet të njohim mirë rajonin. Agjenci të tilla që na sjellin lajme në Shqipëri nga rajoni dhe marrin lajmet e Shqipërisë dhe i përcjellin më vende të rajonit, është i domosdoshëm dhe jetik, është minimumi i informimit që duhet të ketë çdo qytetar i interesuar. Është një kontribut jashtëzakonisht pozitiv, sidomos për të ardhmen e vendit”.
-Lëvizja “Dhjetor 1990”
Lëvizja studentore antikomuniste në Shqipëri filloi më 8 dhjetor 1990, për të vazhduar disa ditë me radhë, derisa kjo lëvizje solli edhe shpalljen e pluralizmit politik në Shqipëri. Protagonistët kryesore të kësaj levizjeje sot janë pjesë e jetës politike, ekonomike dhe kulturore të vendit, ndërsa lideri i saj, Azem Hajdari u vra në një atentat më 12 shtator 1998 para selisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë. Për të nderuar këtë lëvizje, shteti shqiptar ka shpallur datën 8 dhjetor si “Ditën Kombëtare të Rinisë”.