Kreu i Bundesbank: Gjermania, nevojë për 1.8 milion punëtorë të huaj (kush përfiton?)
Me mijëra shqiptarë janë në ankth pas mbërritjes në Gjermani, nëse do të qëndrojnë apo do të rikthehen në atdhe. Disa prej tyre janë rikthyer. Me mijëra të tjerë që jetojnë në Shqipëri shpresojnë të kenë mundësinë që një ditë të punojnë në Gjermani.
Për Gjermaninë refugjatet konsiderohen si një mundësi për të ruajtur ekonominë të fortë, pasi i duhet fuqi punëtore. Por ekonomia më e fuqishme e kontinentit, apo e njohur ndryshe “lokomotiva” e Europës kërkon vetëm të rinj, madje sa më energjikë dhe të kualifikuar. Presidenti i Bankës Qendrore, Jens Ëeidmann, foli me nota optimiste, se motori i ekonomisë Europiane do të jetë më i fortë nëse integrimi i emigrantëve në shoqëri dhe në tregun e punës rezulton proces i suksesshëm. Ai ka folur për të përditshmen gjermane (Süddeutsche Zeitung), teksa shefi i Bundesbank tha se edhe pse me një pozitë të fuqishme ekonomike, Gjermania duhet të mbetet konkurruese edhe në të ardhmen. Ai thotë se emigrantët janë një mundësi e mirë, por vetëm të rinjtë, pasi popullsia gjermane po plaket. Gjermanisë i duhet fuqi punëtore për të ruajtur standardet e larta te jetesës dhe sipas llogaritjeve numri i punonjësve të kualifikuar që do t’i mungojnë vendit deri në vitin 2020 do të jetë 1,8 milion. Gjithashtu, në një periudhe afatgjatë Gjermania do të përballet me konkurrencën e ekonomive në zhvillim dhe sigurimin e energjisë së rinovueshme. Për të gjitha këto, emigrantet do të kenë rol kyç. Ky qëndrim i Widmann është mbështetur edhe nga përfaqësuesi special i Kombeve te Bashkuara për Migracionin, Peter Sutherland, sipas të cilit demografia e shumë shteteve të BE-së duhet të ndryshojë, pasi popullsitë e tyre po plaken dhe ekonomitë janë në rrezik.
Kësisoj, duket se shqiptarët e kanë kuptuar gabim strategjinë e këtij vendi dhe janë nisur për azil në Gjermani. Mes tyre edhe të moshuar apo të paaftë për punë. Në këto kushte, Gjermania pritet të përdorë sitën për të seleksionuar fuqinë e duhur punëtore me qëllim që ajo të mbetet “lokomotiva” e ekonomisë së Europës, si deri tani.