
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, iu përgjigj pretendimeve të ngritura në rrjetet sociale lidhur me ndërhyrjen dhe kapacitetet e shërbimit zjarrfikës gjatë shpërthimit në pallatin në Unazën e qytetit.
Llatja theksoi se shërbimi zjarrfikës i Elbasanit ka qenë në terren dhe ka ndërhyrë menjëherë për përballimin e situatës. Ai sqaroi se struktura disponon mjete dhe pajisje të reja, funksionale dhe në gatishmëri të plotë, përfshirë autoshkallën zjarrfikëse dhe pajisje të specializuara për ndërhyrje në raste emergjencash.
Duke iu referuar pamjeve të publikuara në rrjetet sociale, kryetari shpjegoi se stabilizimi i pozicionit të zjarrfikësit gjatë ndërhyrjes dhe komandimi i pompës së mjetit zjarrfikës janë dy procese të ndryshme teknike.
Ai sqaroi se njoftimi për vendosjen në pozicionin e luftimit të zjarrit nuk nënkupton domosdoshmërisht se pompa ka hapur tashmë presionin e ujit në sistem.
Llatja nënvizoi se mjetet dhe pajisjet e shërbimit zjarrfikës janë në funksion të plotë dhe se ndërhyrja është realizuar me kapacitetet teknike që disponon kjo strukturë.