Kthimi vullnetar i asistuar i emigrantëve – Shqiptarët kryesojnë listën, largohen me dëshirë
Nga muaji Janar deri në Qershor të këtij viti janë 4421 shqiptarë janë kthyer vullnetarisht në atdhe, pasi kishin emigruar në drejtim të vendeve të Bashkimit Europian.
Statistika vjen nga Organizata Ndërkombëtare për Emigracionin përmes raportit më të fundit që mbulon kthimin vullnetar të asistuar dhe riintegrimin e këtyre individëve.
Një vit më parë, numri i shqiptarëve që ishin kthyer vullnetarisht, pasi nuk besonin se do të aprovohej kërkesa e tyre për azil, ishte dyfish më i lartë në pothuajse 10 mijë individë. Për të gjithë vitin 2016, shqiptarët e kthyer ishin 18 mijë, edhe për shkak të fluksit më të lartë të emigrantëve.
Ajo që bie në sy është se shtetasit shqiptarë kanë kryesuar gjithmonë në këtë listë, me përjashtim të periudhës së fundit Prill-Qershor, kur kthimet më të shumta ishin të shtetasve nga Iraku.
Një nga arsyet pse shumë shqiptarë dështojnë në qëndrimin në vendet e dëshiruara, kryesisht Gjermania dhe Franca, është fakti se Ballkani Perëndimor konsiderohet një zonë e sigurt dhe shanset për aprovimin e azilit janë shumë të ulëta.
Pikërisht Europa Juglindore, ajo Lindore dhe Azia Qendrore kanë numrin më të lartë të të kthyerve vullnetarë, me 40% të numrit total. Serbia dhe Maqedonia renditen gjithashtu lart në këtë listë me përkatësisht 1689 dhe 1512 të kthyer vullnetarisht.
Deri në fund të Qershorit, 38 mijë emigrantë nga 136 vende origjine kanë kërkuar asistim për t’u kthyer në vendlindje. Shumica prej tyre (70%) janë meshkuj, ndërsa 30% janë femra. Nga këta 24% e emigrantëve të kthyer janë fëmijë, ndërsa 0.8% janë identifikuar si viktima të trafikimit gjatë periudhë që kanë qëndruar në vendet pritëse.
Përgjatë këtij viti, numri total i të kthyerve ka qenë më i ulët se në vitit 2016, për shkak të volumit më të ulët që kanë zgjedhur të emigrantë drejt vendeve Europiane. Gjermania është vendi pritës kryesor i emigrantëve të kthyer, me mbi 16 mijë individë për gjashtë muajt e parë të vitit. /scan