Kursi i këmbimit: Euro bie për 96.57 lekë, pritshmëri për rënie të mëtejshme
Me hyrjen në muajin dhjetor, afrimin e festave të fundvitit dhe dërgimin e më shumë remitancave nga emigrantët për familjet në Shqipëri, euro ka arritur nivelin më të ulët historik ndaj lekut.
Sipas tregut, 1 euro këmbehet për 96.57 lekë, ndërsa një vit më parë kjo shifër arrinte 98.32 lekë. Analistët parashikojnë që kjo tendencë do të vazhdojë edhe ndërsa afrohet fundviti.
“Kemi vlera pozitive për investimet e huaja direkte dhe remitancat, që mund të ndikojnë në kursin e këmbimit, por trendi i zhvlerësimit të euros kundrejt lekut nuk ndjek këto lëvizje. Ky nuk është fenomen sezonal apo i përkohshëm, por një kurs stabil i stacionuar”, thotë eksperti i ekonomisë, Igli Tola.
Për të frenuar rënien e mëtejshme të euros dhe për të ruajtur qëndrueshmërinë, Banka e Shqipërisë deri në muajin shtator tërhoqi nga tregu 800 milionë euro, ndërkohë që gjatë gjithë vitit 2024 u tërhoqën 933 milionë euro. Situata ka ndikuar ndjeshëm në sektorët më të prekur nga zhvlerësimi i monedhës.
“Një zhvlerësim i monedhës vendase e bën produktin vendas më pak atraktiv për eksport. Nuk kemi parë një rënie të çmimeve në tregun e shumicës apo pakicës si rezultat i kursit të këmbimit, por ndikojnë edhe faktorë të tjerë, si tarifat doganore dhe kostot e prodhimit”, shton Tola.
Institucionet ndërkombëtare këshillojnë Bankën e Shqipërisë që të lejojë një kurs të lirë të këmbimit dhe të pakësojë ndërhyrjet në treg.
KOHA JONË SONDAZH

