Kush do ta votojë Reformën në Drejtësi?
Nga Mero Baze
Të hënën Komisioni i Ligjeve do të kalojë për diskutim dhe miratim projektin e ndryshimeve kushtetuese, që i hapin rrugë Reformës në Drejtësi. Projekti, i cili është një bilanc i punës një vjeçare të një grupi ekspertësh të nivelit të lartë nën drejtimin e misionit Euralius të BE-së dhe OPDATE të SHBA-së, do të kalojë për miratim në Komisionin e Venecias dhe pastaj do të rikthehet për miratim në Tiranë në fund të këtij viti.
Reforma prek në mënyrë esenciale dhe ridimensionon kompetencat e Presidentit në raport me sistemin e drejtësisë, funksionin e Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, ngritjen e Gjykatës së re Administrative, ridimensionin e Apelit në gjithë Shqipërinë, ridimensionim të Prokurorisë duke shtuar dhe Prokurorinë anti-korrupsion, si dhe ngritjen e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë.
Reforma ka mbështetje të plotë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe është kushti vendimtar që Shqipëria të hapë negociatat me Bashkimin Evropian.
Teknikisht ndryshimet janë thelbësore dhe të rëndësishme për reformimin e sistemit të drejtësisë. Përveç ridimensionimit të institucioneve të mësipërme, reforma i jep përparësi dhe ndryshimit të situatës aktuale në drejtësi, përmes testimeve edukative, psikologjike dhe testin e integritetit të zyrtarëve të drejtësisë.
Tani pyetja është a do t’i marrë Reforma votat e mjaftueshme në Kuvend, apo do të shkojë në Referendum, siç paralajmëroi dhe Presidenti Nishani kohë më parë?
Edhe pse diplomatët perëndimor në Tiranë thonë se kanë marrë një mbështetje në distancë nga kryetari formal i PD-së, politikisht PD nuk do ta votojë reformën për disa arsye që lidhen me shkollën e saj politike.
Së pari, fakti që reforma shihet si kusht për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE-në është një arsye që PD të mos e shfletojë fare draftin, por të ngrejë dorën kundër tij. Është jashtë kulturës politike të PD-së të votojë një ligj apo një nismë ligjore që ajo e konsideron si sukses për kundërshtarin, edhe pse në këtë rast bëhet fjalë për gjithë vendin.
Së dyti, reforma është një shkundje e plotë e sistemit dhe një humbje e monopoleve politike që Berisha me aq mund i krijoi për tetë vite në pushtet në drejtësi dhe që fal tyre nguliti në vend kulturën e pandëshkueshmërisë. Ai nuk ka problem për fatin e disa gjyqtarëve, por tek ideja që ai mund t’i lërë në mes të rrugës njerëzit që i kanë shërbyer. Kjo është arsye e mjaftueshme për të, që të mos e votojë reformën.
Së treti, në klimën e diversionit mes PS-së, PD-së dhe LSI-së, një bashkim i votave të Bashës ndarazi Berishës me Ramën, do të provonte aludimet e Metës për aleancën fluide mes tyre dhe do të prodhonte refuzimin e LSI-së.
Në këto kushte reforma do të kalojë vetëm si një reformë e thellë dhe profesionale, por me një mekanizëm politik që do të prodhohet nga shumica. Ata që besojnë se PD-ja dhe Berisha mund të japin konsesus politik për këtë reformë ose janë naiv, ose nuk e njohin fare politikën shqiptare.
Rruga e duhur për Reformën në Drejtësi është të marrë miratimin e Komisionit të Venecias dhe të ruaj mbështetjen politike të BE-së dhe SHBA-së. Pastaj beteja e shumicës për të siguruar 94 vota është një sfidë e vështirë, e cila nëse nuk arrihet në Kuvend duhet të arrihet në popull me Referendum, maksimumi në pranverën e vitit që vjen. Ndryshe nga Reformë në Drejtësi, ajo do të kthehet në në një debat politik dhe elektoral që do të zhvlerësojë jo vetëm punën e bërë, por dhe fuqinë që mund të ketë për shkundjen e sistemit aktual të drejtësisë. Kjo është një reformë, e cila ka fatin e keq të shkojë në një parlament që ka nevojë vet për tu reformuar. Kjo është një reformë që nuk është hartuar nga ky parlament, por ai thjesht duhet të përdoret si mekanizëm për ta votuar. Ky parlament dhe të tjerë para tij, kanë prodhuar gjithë arsyet përse duhet kjo reformë dhe ata nuk mund të jenë njëkohësisht dhe virusi dhe ilaçi i kësaj reforme. Si e tillë, Reforma në Drejtësi nuk duhet ta lidhë fatin e saj doemos, me duart që duhet të ngrihen në atë sallë.
TEMA