Kush i fitoj në të vërtetë zgjedhjet?

Nga Gëzim Hoxha/Zgjedhjet mbaruan dhe ajo që dihet është se PS – ja u mandatua nga mbi 46% e votuesve për të formuar qeverinë e re. Po kush fitoi apo kush humbi në të vërtetë? Kjo pyetje hap një debat krejt tjetër, atë që lidhet me pjesëmarrjen në këto votime, kush shkoi për të votuar, kë favorizoi ajo?

Në fletën e votimit kishte plot 18 parti, shumë më pak se në të gjitha zgjedhjet e mëparëshme. E megjithatë si përherë, edhe këtë radhë KQZ –ja kishte harruar një parti sa të RE aq dhe të VJETËR, partinë e abstenuesve, të atyre që nuk u intereson fare politika, të atyre që nuk besojnë fare në të, të atyre që jo vetëm nuk besojnë por edhe që u vjen ndot prej saj dhe me të drejtë.

E pra kjo parti njeh vetëm rritje, nga 2013 në 2017 u rrit me gati 4%. Këtë rritje do e kish pasur zili çdo parti tjetër politike. Një pjesë e mirë e atyre që abstenuan ose që as nuk denjuan fare të votojnë dhe në këtë mënyrë të ushtrjonë një të drejtë kushtetuese, shkuan në plazh. Në fakt e diela e 25 Qeshorit ishte një ditë ideale për të shkuar në plazh dhe shumë prej tyre që zgjodhën qendrën e votimit në vend të plazhit u penduan shumë kur morrën vesh rezultatin përfundimtar të këtyre zgjedhjeve.

Ka një pështjellim kur thua se kush i fitoi në të vërtetë zgjedhjet sepse tashmë kjo dihet botërisht nga të gjithë. Po edhe po të pyesësh për të kundërtën se kush i humbi ato?,  përsëri nuk ke thënë asgjë sepse edhe kjo gjë dihet. Po sado të ngatërruara të jenë këto dy pyetje, sërish ato të çojnë në një zgjedhje të munguar e cila favorizoi partitë e mëdha. E megjithatë edhe pse dëgjova njërin prej humbësve që thosh se qe i zhgënjyer nga ky popull dele, unë mendoj se shqiptarët nuk janë kaq mendjelehtë dhe aq më pak kaq budallenj.

Atyre edhe këtë herë iu mungoi modeli i vërtetë, një model që të ngjallte besim. Këtë model ata nuk e panë as tek Beni dhe as tek Gjergji. Edhe pse programet e partive të përfaqësuara nga emrat e përmendur më sipër nuk kishin të sharë e përsëris nuk kishin të sharë, shqiptarët panë tek të dy faktin që asnjëri prej tyre nuk i besoi as vetë ato që thoshin. Populli “DELE” pa që asnjëri prej tyre nuk besoi deri në fund që njëri prej tyre mund të qe një MACRON, një CIPRAS a ku ta di unë se çfarë.

E nuk kanë faj, të thush deri dy ditë para zgjedhjeve që unë do t’i fitoj zgjedhjet dhe ditën e fundit t’iu thuash shqipëtarëve: “Na duhet vota juaj për të bërë opozitë!!!”. E kujt i duhen një, dy a më shumë opozita? Shqipëtarët e kanë të sigurt një opozitë tashmë. PD – ja  i del dhe iu mjafton. Atyre iu duhet diçka tjetër: një tjetër vizion qeverisjeje, një tjetër shtet, një tjetër perceptim për shtetin. Ata e kanë prej kohësh në mendjen e tyre, duan një jetë më të mirë ashtu si shumica e tyre që e kanë parë tashmë në perëndim.

E nuk kanë faj, shumica e shqiptarëve kanë dalë të paktën një herë jashtë shtetit dhe e kanë prekur edhe vetë, e dinë tashmë se çfarë do të thotë të jetosh më mirë. Kjo ka të bëjë fillimisht dhe mbi të gjitha me mbushjen e frigoriferit dhe të barkut, për të vazhduar me veshmbathjet dhe vazhdon e vazhdon me pasjen e një punë, shpërblim dinjitoz për punën që ti bën, kujdesin shëndetsor, me arsimin e shumë e shumë gjëra të tjera të cilat Shqipërisë i mungojnë.

Dikush mund të thotë se shumica e shqipëtarëve është në emigracion dhe e ka thuajse të pamundur të vijë vetëm për të votuar. E vërtetë, shumë e vërtetë. E kush do ishte i gashëm të shpenzonte nga disa qindra euro në disa mijëra të tilla vetëm e vetëm për të votuar. Po ata 4% më shumë shqiptarë që nuk votuan këtë vit banojnë në një shumicë dërrmuese në Shqipëri dhe nuk e kanë quajtur të arsyeshme që të votojnë.

Një tjetër mund të thotë se po të hiqen nga listat e votuesve atëherë i bie që të kenë votuar rreth 80% e shqipëtarëve. Edhe kjo mund të jetë e vërtetë. Po ne po kërkojmë përthithjen e kapitalit të huaj, pse të mos fillojmë nga përthithja e kapitaleve të bashkëkombasve tanë që jetojnë jashtë shtetit? Kjo fillon me sigurimin e të drejtës së tyre për të votuar. Pse të mos votojnë edhe ata? Ushtrimi i kësaj të drejte mund të bëhej me postë, nga konsullatat apo ambasadat që ndodhen në vendet ku ata jetojnë apo edhe thjesht me anën e një mesazhi elektronik.

Po kryesorja është besimi. Njerëzit kudo në botë e kanë humbur besimin tek politika, e pse shqipëtarët të jenë ndryshe nga të tjerët. Në një postim në facebook dikush shkruante: “Nëse doni të dini se si shkuan zgjedhjet shikoni se si votuan njerëzit në Zharrëz.”

– “Edhe pse Blushi i përkrahu zharziotët deri në dajen e VKM –së për kompensimit të dëmeve të shkaktuara nga shpërthimet BANKERS përsëri ata nuk e votuan atë.”- vazhdon komenti i tij për këto zgjedhje. Ata nuk e votuan Blushin se ky edhe pse hartoi në program shumë të mirë elektoral nuk arriti që të ngjallë besimin e njerëzve në Zharrëz.

Dhe jo më kot rëndomë analistët të thonë se shumica e atyre që votuan janë militant partie, njerëz që kanë lidhje me pushtetin dhe punonjës administrate që friken se me ardhjen e kundërshtarëve do të pushohen nga puna. E kot të thuash se si mund të joshet ky 4%- sh i popullsisë për të votuar. Fushtatat elektorale dhe zgjedhjet në përgjithësi janë si një produkt i padëshiruar për ta.

Mjeshtërat e marketingut nuk lodhen me këta persona që nuk iu intereson produkti i tyre sepse ata e dinë se çfarëdo atributi t’i shtojnë ata këtij produkti ai prap se prap nuk do të pranohej prej tyre. Të njëjtën gjë po bëjnë edhe partitë e mëdha. Ato iu bëjnë thirrje sa për të thënë njerëzve që të votojnë por diku thellë vetes së tyre diçka iu thotë se ata duhet të mbështeten tek militantët e tyre që janë të shumtë në numër.

Duket se këtu tek ne duhet të ndodhi diçka me të vërtetë e rëndësishme, psh e njëjtë me dhjetorin e vitit 1991, apo pranvera e vrarë nga fajdet e firmat piramidale të vitit 1997, diçka që t’i bëjë shqiptarët që të kuptojnë se ka ardhur momenti për tu ndërgjegjësuar se kështu nuk mund të vazhdohet më. E deri atëherë s’më mbetet tjetër veçse t’i uroj punë të mbarë kryeministrit të sapo rikonfirmuar në detyrën e tij për të na qeverisur edhe në katër vitet që do të vijnë.

SHKARKO APP