Lajme të këqija për ata qytetarë që kërkojnë të blejnë apartament në Tiranë

Çmimi i apartamenteve i është rikthyer tendencës rritëse, pas një periudhe të gjatë ngërçi.

Sipas Bankës së Shqipërisë, çmimi i banesave u rrit me rreth 13% në muajt korrik-dhjetor 2016.

Për kryeqytetin, kjo rritje është 3.3%. Shtrenjtimi, sipas ndërtuesve, vjen si pasojë e rritjes së taksës së ndikimit në infrastrukturë, mungesës së shesheve të ndërtimit dhe përmirësimit të ndërtimeve.

Nga koha e Ramës kryebashkiak deri më sot janë dhënë gjithsej 140 leje ndërtimi, që për nevojat e Tiranës janë të pakta. Plus që ka ndikuar edhe puna e bashkisë në restaurimin e blloqeve të reja, që i kanë dhënë një rritje vlerës imobiliare të zonave. Rritja vjen edhe si rezultat i rritjes së cilësisë së ndërtimeve. Ka ikur koha që klientët blejnë pa parë gjë sepse ka uri”, thotë Arben Dervishi, nga Shoqata e Ndërtuesve.

Kjo tendencë ka orientuar së fundmi kërkesën drejt zonave më elitare.

“Sot ka kërkesë për apartamente më të mira, më luksoze, më në qendër, sepse shërbimet janë më të mira. Dhe duke qenë se oferta për këto apartamente është më e vogël, natyrisht që ka një rritje të çmimit. Kurse në zonat periferike nuk ka rritje”, sqaron Dervishi.

Rigjallërimi i kërkesës vjen edhe si pasojë e uljes së normave të interesit.

“Normat e interesit të parasë në bankë janë shumë të ulëta dhe njerëzit mendojnë se duke blerë një shtëpi, duke e dhënë me qira mund të kenë më tepër interes sesa t’i lënë paratë në bankë”, shton Dervishi.

Aktualisht çmimet nisin nga 400 euro në zonat periferike, deri në 2.500 apo 3.000 euro në qendër. /Top Channel

SHKARKO APP