Lajmi i hidhur Fleckenstein

Nga Xhovani SHYTI

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Knut Fleckenstein, e sheh të pamundur që vendi ynë të hapë negociatat për anëtarësim në BE këtë vit, duke i dhenë fund përdorimit abuzivist të këtij fakti nga politika.

S’ka negociata këtë vit për Shqipërinë, u vonuat me drejtësinë, ka qenë artikulimi i bërë nga raportuesi  Fleckenstein, një ditë pasi opozita deklaroi rikthimin në Komisionin parlamentar të Reformës në Drejtësi dhe avokat Spartak Ngjela mosbesimin e tij profesional për realizimin e kësaj reforme.

Shkak i lajmit të hidhur Fleckenstein, aspak të dëshirueshëm nga shqiptarët, është bërë mospërmbushja nga ana e Qeverisë Rama dhe e klasës politike shqiptare e zotimit për kryerjen e reformës në drejtësi, gjë kjo që ka vazhduar të stimulojë prezencën e tepruar të korrupsionit jo vetëm në këtë sistem, por në të gjitha fushat ku gjallon burokracia zyrtare.

Një nga arsyet pse Komisioni Evropian nuk mund të japë një rekomandim të tillë është mosrealizimi i Reformës në Drejtësi, ka sqaruar raportuesi Fleckenstein, në një intervistë dhenë për “Shqiptarja.com”, duke mos anashkaluar faktin që diskutimi mes mazhorancës dhe opozitës për këtë çështje është një lajm i mirë, por mbetet shqetësim tendenca për ta bllokuar këtë proces.

Lajmi i hidhur Fleckenstein erdhi pasi një ditë më parë, nëpërmjet deputetit Eduart Halimi, Partia Demokratike deklaroi thyrjen e bojkotit një mujor të Komisionit parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, dhe një ditë pasi, së bashku me dështimin e reformës në vjeshtë, juristi i njohur Spartak Ngjela kishte shprehur “profecinë” e shtyrjes së saj për në muajin shkurt të vitit të ardhëm.

Opozita nuk mund të jetë fasadë e maxhorancës, komentoi deputeti Halimi, i cili është edhe zvendës kryetar i Komisionit parlamentar të Reformës në Drejtësi, duke sqaruar se një platformë konkrete e opozitës do t’i paraqitet Komisionit javën e ardhshme, ndërkohë që kryeministri Edi Rama ka përsëritur se politika do të jetë e përjashtuar nga çdo ndërhyrje e reformës në drejtësi, e cila do të jetë produkt i ekspertëve të njohur vendas dhe të huaj.

“Është një reformë që ia kam lënë ekspertëve, nuk është një reformë që po e bën politika. Ne kemi pranuar që të ngrihet grupi më i madh dhe më gjithëpërfshirës i ekspertëve, shqiptarë dhe ndërkombëtarë, misioni i EURALIUS, misioni i OPDAT-it, Këshilli i Europës. Kemi pranuar, po ashtu, që Komisioni i Venecias të jetë filtri përfundimtar. Jemi zotuar që çfarë produkti do të na sjellë reforma, pasi Komisioni i Venecias të ketë dhënë dritën jeshile, ne ta votojmë”, është shprehur Rama.

Deklarimet e mësipërme deputeti Eduart Halimi dhe kryeministri Edi Rama, i bënë ndërsa, së bashku me të tjerë deputetë opozitarë e maxhoritarë, ishte pjesë e një tryeze të përbashkët të organizuar të martën nga Komisioni i Posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi, me temë “Drejtësi Miqësore për Fëmijët”.

Një fillim i ri, pozitiv ky për të mbjellë paqen politike, sigurisht, mirëpo a mjafton kaq për ta tjetërsuar lajmin e hidhur Fleckenstein?

 Ata nuk bëjnë Reformë në Drejtësi, sepse ata e kanë kapur drejtësinë… Reforma do personalite dhe doktrinë, që të jetë miratuar në të gjitha institucionet ndërkombëtare, të cilat pastaj i bëjnë presion politikës këtu… Ne ende nuk kemi një sistem perëndimor, kemi ende një sistem me tendenca leniniste. Janë akoma të emëruarit që japin drejtësinë në Shqipëri. Pra, ka një sërë mangësish, të cilat sot mendoj, se kështu siç është e formuluar kjo mazhorancë, nuk mund ta bëjë dot Reformën në Drejtësi…”. Gjykimi vjen nga Avokat Ngjela, nëpërmjet një interviste dhenë po të martën për gazetën “TemA”.

Në optikën e juristit të pakompromis ende nuk ekziston fryma politike për të kryer një reform përmbysëse të sistemit ekzistencial të drejtësisë, që funksionon sipas urdhërimit politik dhe rryshfetit.

“Mesa shoh unë këta as e duan dhe as e bëjnë dot reformën në drejtësi”, shprehet Avokat Ngjela, duke fajësuar më së shumti mazhorancën në pushtet.

“Shqiptarët po vuajnë mungesën e aftësisë, që kjo qeveri dhe kjo mazhorancë të bëjë reformën në drejtësi”, thotë ai, që pasi sqaron se për këtë sipërmarrje: “Nuk ka detyrim ndaj BE­-së, por kushte që BE-­ja ka vendosur për të të pranuar në gjirin e saj”, hedh poshtë çdo mundësi për hartimin e reformës këtë vjeshtë dhe hapjen e negociatave.

Duke qenë kështu në të njejtën gjatësi vale me lajmin e hidhur, të emetuar këtë mëngjes vjeshte nga raportuesi i Parlamentit Evropian për Shqipërinë, Knut Fleckenstein. 

Ska reformë në drejtësi, ta qajmë hapjen e negoziata me BE-në këtë vjeshtë, shprehet në thelb  Ngjela, duke shtuar: Nga shkurti i 2015, ndoshta diçka mund të lëviz.

SHKARKO APP