Letër Metës – Zgjedhja e Presidentit të ri mes 13 prillit dhe 9 korrikut

Procedura për zgjedhjen e presidentit pasardhës që do të zëvendësojë presidentin në detyrë Bujar Nishani duhet të fillojë jo më herët se data 13 prill dhe jo më vonë se 9 korriku.

Drejtoria e Shërbimit Juridik pranë Kuvendit jep fund debatit për kohën se kur duhet të nisë procedura e zgjedhjes së presidentit.

Përmes një letre drejtuar kryetarit të kuvendit Ilir Meta Drejtoria e Shërbimit Juridik Pranë Kuvendi sqaron kur mbaron mandate i presidentit aktual dhe nis procedura për zgjedhjen e presidentit të ri.

Në letrën drejtuar Metës thuhet: “Mandati i plotë i kuvendit për legjislaturën e 8-të do të përfundojë më 9 shtator 2017, nga ana tjetër për shkak se mandati i presidentit në detyrë Bujar Nishani do të mbarojë më datën 24 korrik, rezulton se ky mandat presidencial do të përfundojë në 6 muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, çka sjell plotësimin e kushtetit të parashikuara nga fjalia e dytë e pikës 2/1 të nenit 88 të Kushtetutës.”

“Rrjedhimisht bazuar vetëm në fjalinë e dytë të pikës 2/1 të nenit 88 të Kushtetutës, procedura për zgjedhjen e Presidentit pasardhës që do të zëvendësojë Presidentin në detyrë, do të duhet të fillojë jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit, dhe konkretisht,  jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të legjislaturës së 8-të të Kuvendit, pra jo më vonë se data 9 korrik 2017.”

Presidentin ta zgjedhë ky kuvend

Drejtori i Shërbimit Juridik i Kuvendit, Alban Brati në letrën drejtuar Metës vlerëson “se në rastin konkret procedura e zgjedhjes së Presidentit pasardhës duhet të fillojë jo vetëm kur kuvendi të mos jetë shpërndarë si pasojë e fillimit të fushatës zgjedhore, por edhe se kjo procedurë duhet të fillojë në ato data të cilat duke marrë parasysh afatin maksimal të procesit prej 35 ditësh, të shtërimit të 5 raundeve për zgjedhjen e presidentit, përfundimi i saj të rezultojë mes datave 3 maj dhe 18 maj, në mënyrë që ti jepet kuptim dhe zbatim pikës 5 dhe 6 të nenit 87 të Kushtetutës, të cilat parashikojnë se në rast se Kuvendit në raundin e 5 nuk arrin të zgjedhjë presidendin Kuvendi shpërndahet, zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve, nga shpërndarja e tij dhe Kuvendi pasardhës zgjedh presidentin.”

Kuvendi nga zgjedhjet parakohshme duhet të zgjidhë në fillim presidentin

“Kjo pasi në rastin konkret edhe nëse do të ndodhemi para rastit të parashikuar në pikën 5 të nenit 87 të Kushtetutës, të moszgjedhjes së presidentit në raundin e 5, shpërndarja e Kuvendit nuk do të ndodhë për shkak të dekretit të Presidentit që ka dekretuar datën 18 qershor 2017 si datë për zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë si dhe nenit 9 të ligjit numër 10019, datë 29.12.2008 “Kodi zgjedhor i Republikës së Shqipërisë që parashikon se me vendim të Kuvendit mbyllja e legjistraturës ose shpërndarja e tij bëhen jo më shpejt se 45 ditë para datës së caktuar për zgjedhjet dhe jo më vonë se 30 ditë para kësaj date, por për shkak të mospërmbushjes së detyrimit kushtetues të zgjedhjes së Presidentit, Kuvendi i ri që do të duhet të dalë nga zgjedhjet e parakoheshme që do të duhet të zhvillohen brenda 45 ditëve, si rend dite të parë të tij do të duhet të ketë jo formimin e qeverisë, por zgjedhjen e Presidentit.”

  

/Oranews

SHKARKO APP