Lufta kundër korrupsionit duhet të thellohet në të gjitha nivelet

Nga Sadedin Çeliku

Siç duhet korrupsioni është fenomen dhe plagë që ka prekur të gjitha shoqëritë kudo ndodhen dhe kësisoj ai është shndërruar në fenomen global. Si fenomen ai ndryshon nga pozicioni gjeografik, vendi, në kohë dhe hapësirë.

Tek ne korrupsioni ka përmasa të mëdha dhe gati galopante, sepse ai është  kthyer në sistem dhe funksionon vertikalisht dhe horizontalisht, pra në bllok. Ai nuk ndëshkohet dhe as dënohet. Të korruptuarit dhe hajdutët e fondeve publike si rregull janë trima, me muskuj, sepse jemi i vetmi vend në botë me ligj, por e shpërfillim atë,që nuk parandalojmë, nuk ndjekim njeri penalisht,përkundrazi e stimulojmë madje i trajnojmë ndaj lufta për pushtet kthehet qëllim për tu pasuruar sepse askujt nuk i interesojnë interesat e popullit e vendit. Hajdutët e administratës së lartë publike nuk kanë frikë kur vjedhin sepse vjedhin në emër të ligjit, me anë të ligjit duke përdhunuar ligjin.

Muaj më parë qeveria lançoi një aksion që lidhet me debitorët privat të energjisë elektrike, ose më saktë me vjedhësit e energjisë. Aksioni ishte i madh, në bllok dhe relativisht rezultativ. Tani ende ka problem, sepse lufta ndaj abuzuesve është zbehur, rrudhur dhe gati është shuar. Sidoqoftë, duke patur parasysh se barrën e hajdutëve e kanë mbajtur qytetarët e ndershëm, nisma e qeverisë duhet vazhduar e duhet të jetë dinamike, ashtu siç është dhe ligji. Pavarësisht, ai aksion është mbështetur e lëvduar, sepse ka përpjekje jo thjesht shëndoshjen e financave publike dhe buxhetit të shtetit, por ka përpjekje të sinqerta për të vënë drejtësi, ndaj fjalët e mira nuk do ti kursejmë kur bëhet fjalë për rivendosjen e rregullit dhe ligjit.

Këto ditë ka filluar aksioni numër dy, ai kundër informalitetit, sërish aksion pozitiv në se atij do ti shkohet deri në fund. Dihet se në vendin tonë informaliteti është mbi 50%. Vërejmë se institucionet shtetërore nuk bashkëveprojnë në harmoni dhe si një i tëri në këtë luftë. Si mund të pranohet një bar – kafe apo restorant që të paguajë një tatim simbolik dhe të sigurojë vetëm dy njerëz? Të gjithë lokalet e baret janë dy turne dhe natyrisht se paku duhet një banakier e kamarier një turn dhe po aq për turnin e dytë, pa llogaritur padronët e të punësuarit e tjerë. Skema e nxitjes punësimit ka 20 vjet e këtej që ka dështuar dhe janë fonde që shkojnë në dobi të biznesit, pa e nxitur atë, ndërkohë që ka praktika të tjera për stimulimin dhe zënien me punë të njerëzve.

Edhe ndihma ekonomike shpërdorohet edhe pse numri i familjeve që trajtohen janë ulur. Në këtë aspekt duhet rishikuar heqja fare e ndihmës ekonomike sepse ajo fazë e tranzicionit konsiderohet e tejkaluar dhe s’ka pse harxhohen fonde kot për atë qëllim. okat mbahen peng,nuk punohen dhe për këtë veprim shteti i shpërblen me ndihmë ekonomike pra me para. Ato që janë sado pak të axhornuar me skemën e sigurimeve shoqërore, besojnë se është një skemë më e mirë se ajo që kishim sepse shkon haku tek i zoti. Pra, njerëzit pensionohen sipas kontributit që kanë derdhur. Por në se nuk luftohet seriozisht informaliteti edhe kjo skemë do dështojë. Informalitet dhe korrupsion të madh ka dhe sistemi i shëndetësisë. Nuk ka mjek në Shqipëri fukara madje janë mjaft të pasur në se e kthejmë fytyrën nga asetet e tyre. Nuk po merrem me ryshfetet që nuk kanë të mbaruar, por do desha ti kthehesha dypunësimit të mjekëve, një e drejtë që tejkalon kufijtë e moralit. Në shtet siguron klientelën për klinikën private që e kanë bërë me paratë e popullit. Pra në kushtet kur papunësia reale në vendin tonë shkon deri në 50 %,kur mjekët dhe infermierët janë të pa zënë me punë, u japim të drejtë mjekëve plangprishës të drejtën e dypunësimit dhe të daljes në pension kur ato mbushin 68 vjeç. Duhet hartuar urgjent një projektligj dhe tu hiqen këto të drejta, për tu hapur rrugë të rinjve të papunë dhe të specializuar në vendet perendimore. Qendrat spitalore janë bërë çerdhet e korrupsionit e të punës informale, janë kthyer në qebabtore dhe duken si stalla thertoresh nga mungesa e menazhimit dhe rregullit.

U realizua me sukses aksioni i Lazaratit dhe populli e përshëndeti. Tani vërejmë nga burimet e vetë policisë se është mbushur vendi me bimë narkotike dhe çdo ditë televizionet na paraqesin lajmet e korrjes së tyre sikur të qe spektakël. Një nga detyrat kryesore të forcave të rendit është parandalimi i krimit. Këtë fakt nuk e shikojmë dhe as e prekim me dorë. Kaq zor i madh qenka të marrësh vesh se kush i mbjell, kush i korr dhe cilët janë bosët e drogës? Ekonomia po venitet dhe stanjacioni është ulur këmbëkryq sepse ministret femra i kanë shtuar bashkëshortët tek firmat e ndërtimit dhe me sa duket ka ardhur koha të merren me pastrimin e parave dhe jo me ndryshimin e gjendjes ekonomike. Sa për ministrat meshkuj ata janë më ustallarë se bizneset i kanë të ngritura. Borxhi publik është rritur në masën një përqind dhe shpenzimet qeveritare nuk janë ulur. Deficiti i të ardhurave totale ndaj planit fillestar të buxhetit shtetit arritu në 15,3 miliard lekë në fund të tetë mujorit. Të dhënat e fundit zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se gushti ka qenë një tjetër muaj me ecuri të dobët në mbledhjen e të ardhurave. Sipas financave, deficit nga tatimet e doganat u zgjerua në 18,5 miliardë lekë ndaj planit fillestar, ku zërat me ecurinë më problematike mbeten sërish akciza dhe tatimi mbi vlerën e shtuar. Ministria e Financave ende nuk e ka bërë publik planin e detajuar të buxhetit të shtetit pas rishikimit të tij. Megjithatë,deri në fund të gushtit Mosrealizimet kanë konsumuar thuajse të gjithë shkurtimin në planin e të ardhurave. Edhe pse kështu, Kryeministri i vendit vazhdon ti mbrojë paudhësitë e nivelit parë e të dytë të ekzekutivit të cilët janë shkaktarët kryesorë  të gjendjes keqe ekonomike në Shqipëri. Është e çuditshme që Prokurorja e Përgjithshme rumune vepron vetë me sinjalizimet e popullit, ndërsa kryeministri jonë nuk vepron edhe kur i gjithë populli është i pakënaqur nga rezultatet e qeverisë dhe e ministrave, por dhe të atyre nën të sepse janë marrë në punë nëpunës të paaftë por  të zot për të promovuar korrupsionin për vete dhe për ustain. Lufta ndaj korrupsionit,informalitetit dhe evazionit fiskal duhet zhvilluar në të gjitha nivelet ndryshe është kotë të bëhet reforma në drejtësi dhe që të ketë sukses duhet filluar nga lart poshtë sepse më të përgojuarit janë ministrat në këtë qeveri. Me këto rezultate qeverisëse është vështirë që për Shqipërinë të hapen negociatat me Bashkimin Europian. Është koha të reflektohet, të merren masa urgjente për ndryshimin e situatës ekonomike, ndryshe gjithçka do bëhet më e vështirë se deri më sot.

SHKARKO APP