Malaj: Informaliteti, e para është lufta kundër kontrabandës

Së fundi ka pasur disa zhvillime negative të të ardhurave, ku pothuajse të gjithë zërat e tatim-taksave janë më të ulët nga parashikimet? Sipas jush, çfarë nuk funksionoi?

Ndoshta kanë vepruar njëkohësisht disa faktorë. Një mosrealizim në nivele të tilla gjatë 7 muajve të parë të vitit 2015 dhe sidomos një shkurtim i konsiderueshëm i të ardhurave dhe shpenzimeve në buxhetin e rishikuar nuk lidhen me një faktor të vetëm. Ndër më kryesorët mund të konsiderohen:

  1. një rritje ekonomike më e ulët së parashikimet;
  2. një parashikim i të ardhurave tepër-optimist , i përqendruar kryesisht në vitin 2015 për periudhën 2015-217;
  3. ndryshimet në politikat dhe administrimin e akcizave dhe
  4. rritja e kontrabandës në mallrat e akcizës.

Të katër faktorët duhet të përmirësohen, konsideroj shumë të rëndësishëm dy prej tyre; së pari – lehtësimin e rritjes ekonomike nga çdo pengesë potenciale dhe një luftë efektive kundër kontrabandës. Kontrabanda në thelbin e saj nuk është thjesht evazion fiskal, por një krim jo vetëm ekonomik. Ajo deformon tregjet e këtyre mallrave dhe gërryen të ardhurat buxhetore. Cilësia e dobët e naftës, benzinës, pijeve dhe cigareve vret gradualisht jetën e mijëra njerëzve. Kontrabanda investon në politikë një pjesë të fitimeve të larta kriminale, duke synuar kriminalizimin e individëve me mandate politike e publike në institucionet e rëndësishme të shtetit. Lufta kundër kontrabandës duhet të jetë aksioni parësor në luftën kundër informalitetit.

Edhe cilësia e projeksioneve makroekonomike afatmesme e vjetore duhet përmirësuar për të qenë ambicioz, por edhe sa më realist. Kjo lehtëson implementimin sa më efektiv të politikave ekonomike dhe arritjen e objektivave ekonomike, sociale dhe buxhetore.

A është ky një hap në fakt, kundër politikës së majtë të taksimit edhe të të varfërve, apo mbizotëron parimi se të gjithë duhet të paguajnë, e të varfrit të mbështeten në forma të tjera?

Thelbi i këtij studimi për propozime alternative ndoshta është më shumë praktik se sa ideologjik. Drafti ishte një prej opsioneve që synon të identifikojë burime potenciale të rritjes së të ardhurave, duke zgjeruar bazën e të ardhurave, që të reduktohet deficiti buxhetor dhe borxhi publik.

Një parim i rëndësishëm i politikave fiskale është që politikat mbështetëse pro të varfërve të mos bëhen me përjashtime apo lehtësim nga taksat, por me politika sociale mbështetëse në krahun e shpenzimeve për grupe sociale të mirë targetuara.

Në konceptin e zhvillimit të qëndrueshëm një parim shumë i rëndësishëm është detyrimi që brezat aktuale duhet të plotësojnë nevojat e tyre pa cenuar, dëmtuar apo zvogëluar burimet natyrore dhe financiare të brezave të ardhshëm. Politikat pro të varfërve kërkojnë burime në krahun e të ardhurave, ato nuk mund të financohen me rritje borxhi.

Edhe një prej rregullave të artë të financave publike që borxhi i ri duhet të shkojë për investime publike ka të bëjë pikërisht me raportet midis brezave. Investimet publike janë afatgjata dhe brezat e ardhshme janë përfitues prej borxheve të sotme për këto investime. Sfida qëndron në faktin që çdo borxh i ri publik duhet të investohet në mënyrë të zgjuar për rritjen ekonomike, nëpërmjet investimeve për arsimin, shëndetësinë, infrastrukturën dhe ambientin.

Çdo debat politik për rritje të pagave, pensioneve dhe asistencës sociale, i pambështetur me rritjen e burimeve të të ardhurave, është joprofesional dhe në dëm të përfituesve, pasi jo vonë rritja reale e pagave dhe pensioneve mund të rezultojë negative.

Mjafton të mbajmë parasysh se sa kanë zbritur të ardhurat reale të punonjësve dhe pensionistëve grekë, si pasojë e rritjes së borxheve, ku një pjesë e konsiderueshme e tij u krijua dhe u rrit nga populizmi me pagat, pensionet dhe asistencën sociale.

Çfarë duhet të bëjë qeveria për të rritur të ardhurat në buxhet, në kushtet aktuale të ekonomisë?

Bazuar në rezultatet e 6 mujorit të parë 2015, qeveria gjendet përballë detyrimit ndaj stabilitetit të financave publike dhe përmbushjes së angazhimeve në marrëveshjen me FMN-në, për të identifikuar burime të reja të ardhurash. Zgjerimi i bazës së tatim-paguesve, reduktimi i informalitetit, penalizimi i evazorëve – janë burime potenciale, por të pamjaftueshme për të krijuar burime të qëndrueshme dhe në rritje të të ardhurave buxhetore, për të mbështetur më mirë prioritetet dhe për të reduktuar gradualisht borxhin publik.

Si i vlerësoni për marrëdhëniet aktuale me FMN-në, dhe cilat mund të jenë ndikimet e vonesave në lëvrimin e kësteve?

Kjo situatë kërkon më shumë transparencë nga qeveria dhe ekipi i FMN-së. Të qartësohen vonesat në plotësimin në kohë të reformave, politikave apo masave konkrete të dakordësuara/nënshkruara në marrëveshjen tre-vjeçare. Cilat janë ato që pengojnë lëvrimin në kohë të kësteve respektive?

Edhe pse shuma e çdo kësti në shkallën e mbështetjes së buxhetit është shumë e vogël në raport me totalin e shpenzimeve buxhetore, efekti indirekt i vështirësive në plotësimin e kushteve të marrëveshjes tre-vjeçare me FMN-në dhe sidomos zgjatja e mos lëvrimit të kësteve respektive, multiplikohet negativisht në ekonominë tonë, sidomos në raport me donatorët dhe në hezitimin e investitorëve kredibël./Monitor.al

SHKARKO APP