Manastirliu me banorët tek Njësia nr.1: Buxheti 2026, mbështetje sociale dhe përmirësim të infrastrukturës
Ogerta Manastirliu thotë se përmirësimi i infrastrukturës në lagjet e Tiranës mbetet në fokus të buxhetit 2026, duke garantuar investime për më shumë hapësira publike. Këtë të enjte së bashku me ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj dhe deputetë të PS-së, Manastirliu zhvilloi një takim me banorë të njësisë nr. 1 në kryeqytet, ku u diskutuan prioritetet sociale dhe zhvillimore që do të marrin mbështetje në buxhetin e ri.
Ajo theksoi rëndësinë e dialogut të drejtpërdrejtë me komunitetin dhe adresimin e shqetësimeve të tyre në buxhetin 2026, i cili si prioritet ka mbështetjen që qeveria shqiptare u jep të moshuarve, familjeve, punonjësve të administratës publike, si edhe profesionistëve të shëndetësisë dhe arsimit.
“Një prej prioriteteve tona mbetet sigurisht infrastruktura brenda zonave të banimit, që vjen edhe me operacionin e çlirimit të hapësirave publike. Një fond i posaçëm do të vendoset nga Bashkia për këto projekte, që nuk prekin vetëm njësinë 1, por të gjithë Tiranën”, tha Manastirliu. Për të buxheti i ri do të krijojë modele të reja projektesh në të gjithë kryeqytetin, duke synuar hapësira më cilësore për qytetarët, si në lagjet autoktone, ato ekzistuese, por edhe në zonat e reja.
“Falë ndryshimeve ligjore që kemi bërë për kontrollin e territorit dhe hapësirat, do të kemi më shumë mundësi që të gjitha rezidencat e reja të ofrojnë hapësira dhe mjedise të dedikuara për fëmijët dhe të moshuarit. Rregullorja e re për hapësirat e çliruara do të shoqërohet me një instrument tjetër të vlefshëm për qytetin dhe komunitetin, që lidhet me gjelbërimin e zonave, përmes fondeve të dedikuara nga bizneset që marrin hapësira për shfrytëzim”, tha Manastirliu, duke nënvizuar se zbatimi i kësaj rregulloreje do të jetë përgjegjësi e bashkisë së Tiranës.
KOHA JONË SONDAZH

