Maqedonia e Veriut konfirmon katër raste të reja me koronavirus

Shkup

Katër raste të reja janë konfirmuar me koronavirus në Maqedoninë e Veriut. Numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 13 persona nga të cilët njëri është shëruar plotësisht. Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në një paraqitje drejtuar opinionit, ka bërë të ditur se për të hënën ka thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë, për të diskutuar rreth masave që janë në dispozicion në rast të përkeqësimit të situatës. Ai ka thënë se mbetet mundësi e hapur edhe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme. Ndërkohë ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut u ka bërë thirrje qytetarëve që të mbeten të izoluar në shtëpi dhe të respektojnë masat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe njoftoi se “qeveria ka miratuar shpalljen e gjendjes së krizës në Dibër dhe Qendër të Zhupës” ku është numri më i madh i të infektuarve. Ndërkohë liderët e partive politike gjatë të enjtes u dakorduan që gjatë kohës kur në fuqi janë masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, fushata për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të zhvillohet vetëm përmes mediave duke shmangur çdo lloj tubimi parazgjedhor. Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, aktualisht vetëm Kosova dhe Mali i Zi nuk kanë raste të regjiustruara me koronavirus. OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19. Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins në gjithë botën, në total janë: 135,232 njerëz të infektuar, 4,981 të vdekur dhe 69,645 të shëruar.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kë do të votonit si kandidat për kryebashkiak në Tiranë?