Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut-49

 

Marrëdhëniet Turko-Shqiptare në Kohën e Ataturkut-49

Kryetari i Nënkomisionit për Këmbimin e Popullsisë, M.Montagna në raportin që i dorëzoi më 30 janar 1923 Kryetarit të Komisionit për Problemet e Shteteve dhe Ushtarake, Lord Curzon, shkruan se Delegacioni Përfaqësues Turk kërkoi që pikës së parë të marrëveshjes ti shtohej edhe një klauzolë, që parashikonte “përfshirjen në këmbimin e popullsisë edhe të grekëve me shtetësi osmane që i përkisnin besimit katolik. Unë e refuzova kategorikisht zgjerimin në këtë mënyrë të parimit të këmbimit dhe arrita që të kem sukses në këtë drejtim[1]. Vetëm se Montagna dhe delegatët e tjerë të Shteteve të Antantës të njëjtat përpjekje dhe kujdes që treguan për grekët katolikë do ta kursejnë për shqiptarët myslimanë dhe do të bëhen shkak i një drame të madhe njerëzore. 

Me paqartësinë në pikën e parë të marrëveshjes së pranuar në Lozanë për këmbimin e popullsisë Greqia shtie në dorë shansin për të përfshirë në procesin e këmbimit edhe shqiptarët myslimanë. Kjo paqartësi ngrihet si shqetësim edhe në mbledhjen e Nënkomisionit të Shkëmbimit të Popullsisë në Lozanë për të diskutuar njëkohësisht edhe situatën e turqve myslimanë në Greqi, por me garancinë që dha Greqia në lidhje me këtë çështje dhe me mbështetjen që i dhanë kësaj të fundit përfaqësuesit e shteteve që kishin dalë fituese nga lufta, marrëveshja pranohet në këtë formë. 

Gjatë zbatimit të këmbimit të popullsisë këtë çështje, që në fakt buronte nga paqartësia në marrëveshje, Greqia e përdor në dobi të interesave të veta. Gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes së Lozanës Venizellosi në fakt e pranon një situatë të tillë. Sipas Venizellosit shumica e shtetasve me origjinë greke ishin dërguar nga Anadolli në Greqi. Me anë të kësaj marrëveshjeje ishte garantuar largimi (në mënyrë të detyrueshme) i myslimanëve që gjendeshin në vendin e tij[2].

Kurse pala turke nëpërmjet kësaj marrëveshjeje garanton juridikisht që grekët ortodoksë që ishin larguar dhe do të largoheshin nga vendi i saj (Anadolli) nuk do të ktheheshin më prapa në Anadoll. Këmbimi i popullsisë, që në fakt në një aspekt kishte qenë i dobishëm për të dyja vendet (Turqi-Greqi), do të përfshinte dhe do të shndërronte në “të këmbyer” edhe shqiptarët myslimanë që jetonin në krahinën e Çamërisë, si një palë kjo e pafajshme dhe që nuk e priste të bëhej objekt i këmbimit. Kështu fati i shqiptarëve do të mbetej në mëshirën e Komisionit të Përzier të Këmbimit, që siç parashikohej do të krijohej një muaj pas hyrjes së marrëveshjes në fuqi[3].

Një pikë tjetër e rëndësishme që duhet theksuar këtu është qëndrimi i delegacionit turk në Lozanë. Dr. Riza Nur, kryetari i delegacionit turk, bënte pjesë në Partinë “Liria dhe Pajtimi” (Hürriyet ve İtilaf Fırkası), forcë politike që ishte themeluar në Periudhën e Monarkisë së II Kushtetuese. Këtu Dr. Riza Nur fillon e bashkëpunon me opozitarët me origjinë shqiptare, madje ai akuzohet edhe për përkrahje të kryengritjeve në Shqipëri. Si rrjedhim mund të thuhet që përpjekjet e Dr. Riza Nur, i cili kishte simpati për shqiptarët, në Nënkomisionin e Këmbimit të Popullsisë për të përjashtuar shqiptarët myslimanë të Greqisë nga procesi i këmbimit me popullsinë greke të Anadollit, kanë qenë përpjekje të sinqerta. 

Për ta kuptuar edhe më mirë gjendjen e shqiptarëve myslimanë në Greqi do të ishte e dobishme nëse i hedhim një vështrim të shkurtër jetës politike të Venizellosit, i cili vuri në zbatim “Megali Idenë”. Sepse në kohën kur Venizellosi ishte kryeministër, Greqia pas Luftës së Ballkanit jo vetëm që e dyfishoi sipërfaqen gjeografike dhe popullsinë, por ajo fuqizoi edhe ekonominë. Për të bërë realitet Megali Idenë, në Luftën e Parë Botërore Venizellos bashkëvepron me Shtetet e Antantës. Kur Venizellosi ishte Kryeministër, Greqia pushton Izmirin dhe Anadollin Perëndimor. Në këtë periudhë nënshkruhet edhe Traktati i Sevres. Në zgjedhjet 1 nëntorit 1920 Venizellosi hyn në fushatë zgjedhore me hartën e “Greqisë së Madhe”, të shtypur mbi një letër të shtrenjtë në Angli. Venizellos dhe përkrahësit e Megali Ideas i humbasin zgjedhjet dhe kryeministër bëhet Dimitrios Gunaris, i cili nuk kishte besim se Megali Idea do të realizohej me luftën (që vazhdonte në Anadoll)[4].

Përveç grekëve që ishin kundër Megai Ideas një rol ndikues në humbjen e zgjedhjeve nga Venizellosi kanë luajtur edhe identitetet e tjera në Greqi. Në këtë periudhë 39% e popullsisë në Greqinë e Veriut ishte myslimane (dhe shumica e tyre ishin shqiptarë) dhe mendohet që këta i kanë thënë JO Megali Ideas në këto zgjedhje. Ndërkohë që Venizellosi humbet zgjedhjet dhe e braktis vendin, në Greqi kthehet Mbreti Konstantin. Qeveria e re e krijuar nga ata që përkrahin idenë “një Greqi e vogël, por e respektuar”, jo vetëm që nuk e tërhoqi ushtrinë greke nga Anadolli, por në fillim të vitit 1921 ajo ushtron censurë ndaj shtypit dhe pengon kështu informimin e popullit mbi humbjet, dështimet dhe fatkeqësinë që po i ndodhte në Anadoll ushtrisë greke. Kështu Venizellos çlirohet nga barra e dështimit të Megali Idea-s. Mirëpo kundërshtarët e akuzojnë Venizellosin se ai i kishte humbur me dashje zgjedhjet dhe me qëllim për ti ngarkuar mbretit barrën e humbjes së luftës në Anadoll. Pas humbjes që pësoi në vitin 1922 ushtria greke fillon e ndërhyn edhe në jetën politike të vendit dhe i propozon Venizellosit detyrën e përfaqësimit të vendit në bisedimet e paqes në Lozanë. Ndryshimet tronditëse që ndodhën në Greqi pas vitit 1922 gjejnë pasqyrim edhe në politikë dhe në vitin 1928 Venizellos zgjidhet përsëri kryeministër duke pasur këtë herë me vete edhe përkrahjen e grekëve që kishin ardhur nga Anadolli në kuadër të këmbimit të popullsisë[5].

Në kuadër të Megali Idea-s krahina e Çamërisë (Epiri) në tokat e Greqisë përfshihet pas Luftërave Ballkanike dhe në periudhën kur kryeministër i vendit ishte Venizellosi. E rëndësishme është këtu humbja e zgjedhjeve të 1 nëntorit 1920 nga Venizellosi për shkak të qëndrimit që mbajtën grupe të ndryshme në Greqi kundër Megali Idea-s ndërkohë që në Anadoll vazhdonte pushtimi grek si dhe shqiptarët myslimanë, si një faktor i rëndësishëm brenda këtyre grupeve. Shtojmë këtu që Greqinë në Konferencën e Lozanës e përfaqëson Venizellosi dhe ai është personi që thotë fjalën e fundit në emër të vendit për çështjen e këmbimit të popullatës. Edhe ai ndjek një politikë në drejtim të nxjerrjes jashtë vendit të grupeve të tjera në Greqi, sidomos të myslimanëve. Duke parë këto zhvillime mund të thuhet që jeta politike e Venizellosit ka ndikuar drejtpërdrejt në fatin e shqiptarëve myslimanë në Greqi.   

Çamëria ose Tesprotia, siç i thonë grekët, gjendet në zonën e Epirit. Ajo fillon nga brigjet e Detit Jon dhe vazhdon në lindje me Malet Joniane dhe zgjatet deri në Gjirin e Prevezës. Popullsia shqiptare që jeton këtu si paraardhës të saj pranon ilirët dhe që nga koha e ilirëve e prapa është autoktone në këtë krahinë. Një pjesë tjetër e rëndësishme e popullsisë jeton në kasabatë dhe fshatrat e ngritura në të dy anët e Lumit e Kallamatës. Ndërkohë që para Luftës së Parë Botërore 93% e popullsisë së kësaj zone ishte shqiptare, pas luftës raporti i popullsisë shqiptare bie në 50% për shkak se shqiptarët myslimanë ishin detyruar ta braktisnin krahinën. Greqia e pranon pakicën shqiptare, e cila jetonte dhe bënte pjesë brenda kufijve të Traktatit të Sevrës, të nënshkruar më 10 gusht 1920. Krahas kësaj për shkak se popullsia shqiptare ortodokse në rajon nuk prekej, mendohet që shumë shqiptarë myslimanë janë konvertuar në të krishterë. Shqiptarëve ortodoksë u thonë edhe “Arvanitas”[6].

Delegati grek madje edhe në mbledhjen turko-greke të këmbimit të popullsisë, që u mbajt pas nënshkrimit në Lozanë të Marrëveshjes së Këmbimit, e shprehu edhe një herë se qeveria greke nuk kishte ndonjë qëllim për të dërguar jashtë vendit pakicën shqiptare (myslimane) që jetonte në zonën e Epirit. Madje Greqia për të eliminuar shqetësime të tilla tek shqiptarët në datën 6 gusht 1923 i dërgon një letër Lidhjes së Kombeve, përmes të cilës deklaron që pakica shqiptare në Greqi do të përjashtohet nga procesi i këmbimit të popullsisë. Ndërkaq edhe përgjegjësi (përfaqësuesi) grek në Tiranë më 3 tetor (1923) thotë se Greqia do të respektojë përgjegjësitë (që i ngarkon marrëveshja e këmbimit)[7] dhe shqiptarët myslimanë nuk do të jenë objekt i kësaj marrëveshjeje, ata do të përjashtohen nga këmbimi i popullsisë. Por qeveria greke të gjitha këto zotime që kishte dhënë nuk i mban. Përkundrazi në procesin e këmbimit të popullsisë që filloi pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Këmbimit në Lozanë ajo vihet në veprim për ti këmbyer shqiptarët (myslimanë) të Çamërisë, zonë të cilën Greqia e kishte pushtuar pas Luftërave Ballkanike dhe ku shumica e popullsisë ishte e besimit mysliman, me refugjatët grekë që vinin nga Anadolli[8]. (vazhdon)

U përgatit nga: Dr. Halil ÖZCAN (Pedagog i lëndës “Parimet e Ataturkut dhe Historia e Revolucionit Turk” në Universitetin “Hacettepe” në Ankara.)

U përshtat në shqip nga: Serdar HÜSEYNİ 

 

Burimet dhe literatura kryesore:

ARI, Kemal, Büyük Mübadele, Türkiye’ye Zorunlu Göç (1932-1925), Tarih Vakfı Yurt Yayınları,İstanbul, 1995.

DEMİRÖZÜ, Damla, Savaştan Barışa Giden Yol, Atatürk-Venizelos Dönemi Türkiye-Yunanistan İlişkileri, İletişim Yayınları, İstanbul, 2007.

FRASHËRİ, Mehdi, Historia Elashte Eshqiperise Dhe E Shqipetareve, Phoenıx, Tiranë, 2000.

HIRSCHON, Renée, Ege’yi Geçerken 1923 Türk-Yunan Zorunlu Nüfus Mübadelesi, Çev. Müfide Pekin, Ertuğ Altınay, İst. Bilgi Üni. Yayını, İstanbul, 2005.

Lozan Barış Konferansı (LBK) Tutanaklar-Belgeler, Çeviren, Seha L. Meray, Yapı Kredi Yayınları, C.III, Takım 1, Kitap I, İstanbul, 1993.

MANDACI, Nazif, ERDOĞAN,Birsen, Balkanlarda Azınlık Sorunu: Yunanistan, Arnavutluk, Makedonya ve Bulgaristan’daki Azınlıklara Bir Bakış, Stratejik Araştırma ve Etüdler Milli Komitesi (SAEMK), Ankara, 2001.

ÖZCAN, Halil, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri (1920-1938), Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011.

Swire, Albania-The Rise Of A Kingdom, Arno Press&The New York Times, New York, 1971, fq. 415.


[1] Lozan Barış Konferansı (LBK) Tutanaklar-Belgeler, Çeviren Seha L. Meray,LBK, Birinci Takım Cilt I, Kitap II, Yapı ve Kredi Yayınları, İstanbul, 1993, fq.381-383.

[2] Renée Hırschon, Ege’yi Geçerken 1923 Türk-Yunan Zorunlu Nüfus Mübadelesi, Çev. Müfide Pekin, Ertuğ Altınay, İst. Bilgi Üni. Yayını, İstanbul, 2005 fq.44.

[3] Kemal Arı, Büyük Mübadele, Türkiye’ye Zorunlu Göç (1932-1925), Tarih Vakfı Yurt Yayınları,İstanbul, 1995, fq.19.

[4] Damla Demirözü, Savaştan Barışa Giden Yol, Atatürk-Venizelos Dönemi Türkiye-Yunanistan İlişkileri, İletişim Yayınları, İstanbul, 2007, fq. 22-28.

[5] Demirözü, Savaştan Barışa Giden Yol…, fq.28-35.

[6] Nazif Mandacı, Birsen Erdoğan,, Balkanlarda Azınlık Sorunu: Yunanistan, Arnavutluk, Makedonya ve Bulgaristan’daki Azınlıklara Bir Bakış, Stratejik Araştırma ve Etüdler Milli Komitesi (SAEMK), Ankara, 2001, fq. 37-38. ,Halil Özcan, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri (1920-1938), Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011,s .112.

[7] J.Swire, Albania-The Rise Of A Kingdom, Arno Press&The New York Times, New York, 1971, fq. 415.

[8] Halil Özcan, Atatürk Dönemi Türkiye-Arnavutluk İlişkileri (1920-1938), Atatürk Araştırma Merkezi, Ankara, 2011, fq.112.

TRT

SHKARKO APP