
Këshilli i Ministrave ka miratuar projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes Evropiane për Heqjen e Vizave për Refugjatët, të nënshkruar në Strasburg më 20 prill 1959. Dokumenti i kalon tashmë Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.
Nisma është propozuar nga ministri i Punëve të Brendshme dhe synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet evropiane në fushën e lëvizjes dhe statusit të refugjatëve.
Projektligji parashikon ratifikimin e plotë të marrëveshjes, së bashku me tekstin shoqërues të saj. Nëse miratohet nga Kuvendi, ligji do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Marrëveshja, e njohur si ETS 31, është pjesë e kuadrit të dokumenteve evropiane që trajtojnë lehtësimin e lëvizjes së refugjatëve. Me këtë hap, Shqipëria vijon procesin e përafrimit të kuadrit të saj ligjor me instrumentet ndërkombëtare të Këshillit të Evropës.
