Martin Shkreli, një ikonë e babëzisë moderne
Nga Janell Ross, Washington Post
BBC News ka sugjeruar që Martin Shkreli mund të jetë “njeriu më i urryer në Amerikë”. Bloomberg Business zgjodhi mbiemrin “famëkeqe” për të përshkruar historinë e Shkrelit në biznes. The Daily Beast tha se Shkreli është “trapi më i madh në industrinë farmaceutike”.
Dhe më shumë se një botim, përfshi këtë (WP), i janë referuar Shkrelit si “vëlla” me cilësorë të ndryshëm. Por termi që mund të çimentojë statusin e Shkrelit si një simbol i lakmisë moderne, me gjasë ka për të qenë i përdorur prej tij. Në një intervistë me CBS News të martën, Shkreli e përshkroi vendimin e tij për të rritur më shumë se 4000 % çmimin e një ilaçi, të cilit ai i kishte blerë të drejtat, si “altruist”.
Po. Kjo është ajo që tha. Lexoni pikërisht fjalët e tij: “Aksioneri ynë kryesor janë pacientët. Kjo s’ka asnjë dyshim”. Ai tha se çmimi i ilaçit ishte aq i ulët saqë “çdo kompani që do ta shiste, do të humbiste para” dhe me çmimin e ri do të kishte “një fitim të arsyeshëm, aspak të ekzagjeruar”. “E kuptoj që mund të duket babazi, por ka shumë elementë altruizmi në të”, tha ai.
Sipas meje, aty ka dy fjalë që do ta bënin këdo të mendohej. “Aksionerë” është një fjalë e zhurmshme, shpesh e përdorur në mënyrë strategjike në mes të një debati për të nxjerrë në dukje një grup që deri atë moment është lënë jashtë vëmendjes. Dhe fjala “altruist”, në këtë kontekst, do të ishte qartësisht abuzim. Në përgjithësi altruizmi s’ka asgjë të përbashkët me atë që shpreh ai.
Shkreli është themeluesi dhe shefi ekzekutiv i kompanisë farmaceutike “Turing”. Ai dhe kompania e tij, natyrisht, kanë qenë gjerësisht në lajme këtë javë, pasi New York Timesbotoi lajmin për vendimin e Shkrelit të rriste çmimin e ilaçit 60-vjeçar Daraprim nga 13.5 dollarë në 750 dollarë, pasi kompania bleu të drejtat e ilaçit në gusht. Ilaçi, i zhvilluar shumë kohë parë (kostot e kërkimeve u mbuluan nga ish-pronari i tij), nuk është tamam një ilaç me përdorim të shpeshtë, por konsiderohet si ilaçi më i efektshëm, dhe për rrjedhojë standard, për njerëzit që vuajnë nga një infeksion i quajtur toxoplasmosis.
Turing ka një histori biznesi që kanë bërë Shkrelin subjekt të hetimeve të institucioneve rregullatorë që në fillim të karrierës. Ai ka qenë më herët menaxher i një fondi investimesh, i cili pak vjet më parë kaloi nga bota e blerjes dhe shitjes së ilaçeve në industrinë e krijimit të tyre.
Shkreli i tha Bloomberg Business se ai do që “kurojë shumë sëmundje për shpëtuar jetë fëmijësh”. Gjatë ditëve të fundit – para se Shkreli të ndryshonte të dhënat në llogarinë e tij në Twitter për ta bërë përmbajtjen e tyre më të vështirë për t’u lexuar – ai e quajti një gazetar që e pyeti për rritjen e çmimit një “idiot”.
Ai pretendoi se nuk kishte asnjë arsye për ta lidhur ndryshimin e çmimit me lakminë. “Altruizmi” të cilit i referohet Shkreli është ky: çmimi rritet dhe të ardhurat që ai realizon përdoren për kërkime dhe zhvillimin e ilaçeve alternativë për toxoplasmosis, i cili shkakton edhe efekt anësor.
Duhet thënë se Daraprim konsiderohet lloji më i mirë i kurimit, sepse është i efektshëm dhe pasojat anësore të tij janë të menaxhueshme. Një radhë artikujsh të botuar për rritjen e çmimit dhe pretendimin e altruizmit të Shkrelit përfshijnë doktorë – veçanërisht specialistë infeksionesh – që thonë pikërisht të njëjtën gjë. Është gjithashtu e drejtë të thuhet që Shkreli nuk është i drejtuesi farmaceutik, i vetëm i cili vendos të ngrejë çmimin e ilaçeve që mbrojnë jetën dhe që janë zhvilluar shumë kohë më parë. Kjo ka filluar të ndodhë aq shpesh saqë ka tërhequr vëmendjen e Kongresit.
Këtë javë çmimet e ilaçeve u bënë çështje e fushatës presidenciale. Shkreli lajmëroi të martën se do ta ulte çmimin e ilaçit, por nuk dha një shifër të përcaktuar. Ai tha se “janë bërë gabime”, në komunikimin e arsyeve për rritjen e çmimit. Po, siç thonë të gjithë. Ajo që ai nuk tha ishte: unë isha dritëshkurtër ose egoist që u përqendrova në nxjerrjen e më shumë parave dhe jo te njerëzit që kanë nevojë për ilaçin e kompanisë sime. Do përpiqem të vendos një balancë mes nevojave të pacientëve dhe nevojës për fitim të një biznesi të strukturuar. Më falni. Ai tha “janë bërë gabime”.
Hillary Clinton kishte diçka për të thënë për vendimin e Shkrelit të rriste çmimin e Daraprimit: ishte “fryrje çmimi”. Kjo është një çështje që ka nevojë për ndërhyrje politike. Edhe para se të shpërthente rasti i Shkrelit, 76 % e amerikanëve thanë se rritja e çmimit të ilaçeve të përhershme duhet të jetë prioritet numër një.
I njëjti sondazh tregoi që rreth 3/4 e amerikanëve që mendojnë se çmimet e ilaçeve janë shumë të larta fajësojnë kompanitë farmaceutike.