Mbi disa të vërteta që injorohen

Nga Bujar Nepravishta

Kohët e fundit, nëpërmjet organeve të mediave të shkruara dhe atyre vizive, si dhe të disa personaliteteve politike e publike, është “hedhur baltë” në mënyrë të pamerituar mbi personin tim dhe mbi të vetmin organ vendimmarrës të ERE-s, Bordin e Komisionerëve.

Gjithçka që parashtrohet në këtë shkrim është lehtësisht e verifikueshme, pasi çdo gjë është e mbështetur në dokumente të publikuara, të cilat mund të verifikohen në faqen e web-it të ERE-s në internet.

Sikurse tashmë është bërë e njohur, më 7 dhjetor 2010, në përputhje me procedurat përkatëse, Bordi i Komisionerëve të ERE-s mori vendimet për çmimet dhe tarifat e energjisë elektrike që do të zbatoheshin gjatë vitit 2011. Në këtë kuadër, Bordi mori edhe vendimin për çmimin me të cilin KESH-i do t’i shiste energjinë elektrike OSSH-së. Ky çmim, sipas vendimit u ul me 27% nga niveli 2.02 lek/kwh, që ishte për vitin 2010, në 1.48 lek/kwh për vitin 2011. Ky fakt, për fat të keq, gjatë këtyre javëve të fundit është cilësuar nga disa personalitete politike e publike dhe disa media si një akt i pastër korruptiv që ka dëmtuar financiarisht KESH-in në një shumë rreth 30 milionë euro dhe ka favorizuar OSSH-në në pronësi të CEZ-it.

Lidhur me këtë akuzë kaq të rëndë, e cila duke qenë e pavërtetë e dezinformon opinionin publik, ndjej detyrimin qytetar që duke iu referuar vetëm fakteve lehtësisht të vërtetueshme të shpjegoj sa më poshtë:

  • Enti Rregullator i Energjisë (ERE), në thelb të ekzistencës së tij mbështetet mbi principin e mbrojtjes së konsumatorit të energjisë elektrike nga efektet e dëmshme të një tregu monopol të energjisë elektrike. Sikurse dihet korporatat e energjisë elektrike në vendin tonë KESH, OST dhe OSSH në tregun e energjisë elektrike ndodhen në pozicion monopol. Duke iu nënshtruar principit rregullator, të gjitha korporatat publike ose jopublike që marrin pjesë në këtë treg, duhet të trajtohen nga institucioni rregullator në mënyrë të barabartë dhe pa asnjë diskriminim apo anësi ndërmjet tyre, ndërsa nga ana tjetër konsumatori mbrohet duke mos lejuar që ai të bëhet viktimë e çmimeve të një tregu të lirë të monopolizuar, për këtë me ligj, çmimet dhe tarifat e energjisë elektrike caktohen në mënyrë ekskluzive nga autoriteti rregullator, që në këtë rast është ERE.
  • Metodologjia e çmimeve dhe tarifave të energjisë elektrike (EE) në vendin tonë është e publikuar dhe mbështetet në parimin që me të ardhurat e realizuara sipas çmimeve dhe tarifave të vlerësuara nga ERE të mbulohen të gjitha kostot e arsyeshme operative dhe kapitale të çdo korporate individualisht dhe të lejohet gjithashtu një fitim i arsyeshëm.
  • Në muajin dhjetor të çdo viti, ERE, në përputhje me metodologjinë, vendos çmimet dhe tarifat e EE për vitin pasardhës. Në këtë mënyrë, çmimet dhe tarifat e EE për vitin 2011 u vendosën nga ERE më 7 dhjetor 2010. Këto çmime mbështeten mbi parashikime të pritshme dhe prandaj nuk mund të jenë rigorozisht të sakta. Vlerësimi i tyre mbështetet mbi dy hipoteza bazë: a- Mbi madhësinë e prodhimit të pritshëm të EE për vitin pasardhës, i cili sipas metodologjisë është pranuar 4.2 miliard kwh në vit (Twh).Kjo shifër i referohet prodhimit mesatar vjetor të EE në vendin tonë me mundësi ose probabilitet që të ndodhë 70%. b- Mbi madhësinë e konsumit të pritshëm të EE për vitin pasardhës, i cili sipas metodologjisë parashikohet sa konsumi i vitit të mëparshëm plus një rritje mesatare vjetore prej 3 deri 5% Duke qenë se në vendin tonë prodhimi i EE realizohet në masën 99% nga HEC-et, kushtet e motit luajnë një rol vendimtar mbi sasinë e prodhimit të EE në veçanti dhe mbi bilancin energjetik të vendit në tërësi.
  • Çmimet e EE të shitur nga KESH të OSSH për periudhën 2009-2012 kanë qenë përkatësisht për çdo vit: 1.61 lek/kwh në 2009; 2.02 lek/kwh në 2010; 1.48 lek/kwh në 2011 dhe 2.83 lek/kwh në 2012. Ky ndryshim i konsiderueshëm i çmimeve nga njëri vit në tjetrin ka rezultuar kryesisht për efekt të ndryshimeve të theksuara të prodhimit të EE në këto vite, e cila ka sjellë si pasojë edhe ndryshimin e theksuar të importeve dhe eksporteve të EE, çka për kushtet e vendit tonë në një masë vendimtare ato kushtëzohen nga kushtet vjetore të motit, ose të motit hidrologjik. Ndërsa për vitet 2010 dhe 2011 përveç këtyre faktorëve një ndikim të rëndësishëm ka pasur edhe bilanci energjetik i TEC-it të Vlorës. Më konkretisht: a- në vitin 2009 u importuan nga KESH-i për plotësimin e nevojave të vendit më EE, 53 Milionë kwh (Gwh) me një kosto totale prej 2.6 milionë euro (ME). b- në vitin 2010 KESH nuk importoi asnjë kwh EE, por përkundrazi eksportoi 2.93 Twh duke siguruar një të ardhur nga shitja e EE në tregun e eksportit prej 119 ME. Viti 2010 përfaqëson një përjashtim të lumtur në të gjithë historinë e elektroenergjetikës shqiptare për prodhimin rekord të energjisë elektrike. Vetëm nga KESH në këtë vit u prodhuan 7.55 Twh, dhe së bashku më prodhuesit privat 7.74 Twh, ndërsa konsumi vjetor ishte 6.9 Twh. Nga ana tjetër, OSSH në respektim të kërkesave të Modelit të Tregut të EE importoi 1.9 Twh me një kosto totale prej 86.7 ME, për mbulimin e humbjeve të EE. Sqaroj se Modeli i Tregut e detyronte OSSH-në ta blinte EE për mbulimin e humbjeve në tregun ndërkombëtar për ta bërë atë sa më të interesuar për zvogëlimin e humbjeve, mbasi të gjitha përfitimet financiare për shkak të zvogëlimit të humbjeve nën vleftën e parashikuar në kontratë shkonin gjatë atij viti në dobi të tij. c- në vitin 2011 për shkak të kushteve të motit prodhimi i EE ra në 4.16 Twh ose me rreth 47% më pak kundrejt vitit paraardhës 2010 ndërsa konsumi vjetor i EE u rrit më 5% duke shënuar 7.3 Twh. Importet e energjisë elektrike për këtë vit arritën në total 3,25 Twh nga të cilat 1.8 Twh u importuan nga OSSH për mbulimin e humbjeve të EE, më një kosto prej 113.1 më dhe 1.45 Twh u importuan nga KESH-i për mbulimin e nevojave të vendit për EE, më një kosto prej 87.6 ME.
  • Në përputhje me Metodologjinë e Caktimit të Çmimeve dhe Tarifave të EE, të gjitha diferencat financiare në të ardhura dhe shpenzime ndërmjet faktit të realizuar gjatë vitit ushtrimor dhe atyre të parashikuara sipas çmimeve dhe tarifave të vendosura nga ERE mbarten si kosto për vlerësimin e çmimeve dhe tarifave për vitin pasardhës. Duke qenë kështu, Metodologjia e përjashton mundësinë e krijimit të “dëmit ekonomik” të subjekteve për shkak të vendosjes se çmimeve dhe tarifave nga ERE, sepse “dëmi” i shkaktuar nga kushtet e ndryshme faktike të vitit ushtrimor, kundrejt atyre të parashikuara nga ERE, merret parasysh si kosto në tarifën e vitit pasardhës dhe në këtë mënyrë realizohet automatikisht edhe kompensimi i “dëmit”.
  • KESH-i në aplikimin për çmime dhe tarifa për vitin 2011 kërkoi një rritje çmimi prej 95%, ose një rritje nga 2.02 lek/kwh, që ishte në vitin 2010 në 3.97 lek/kwh për vitin 2011. Kjo rritje argumentohej me faktin se KESH-i kishte planifikuar të prodhonte më TEC-in e Vlorës gjatë viti 2011 një sasi EE prej 246Gwh për realizimin e së cilës duhej të blinte në treg rreth 50 mije ton naftë-dizel të cilësisë së lartë. Por nëse ERE çmimin e EE për vitin 2010 e rriti nga 1.6 në 2.02 lek/kwh arsyeja kryesore ishte se do të vihej në shfrytëzim TEC-i i Vlorës për të prodhuar 200 Gwh, EE në përputhje me kërkesat e kushteve të garancisë të vendosura nga kompania ndërtuese e TEC-it. Duke marrë parasysh këtë fakt, ERE vlerësoi se më këtë rritje çmimi deri në 2.02 lek/kwh KESH-it i mundësohej edhe blerja me çmimet e tregut të sasisë së nevojshme të naftës diesel prej 43439 Ton me vlerë 3.1 miliard lekë, e cila përfaqësonte një kosto të rëndësishme financiare në shpenzimet e parashikuara. ERE e miratoi këtë kërkesë të KESH-it se bëhej fjale për garancinë teknike të TEC-it. në rast se nuk do të merrej në konsideratë kjo kosto, atëherë çmimi i EE për vitin 2010 do të kishte rezultuar 1.45 lek/kwh. Por gjatë vitit 2010, për arsye teknike, KESH-i prodhoi me TEC-in e Vlorës vetëm 28.7 Gwh nga 200 Gwh të parashikuara dhe për të cilat ishte blerë 43439 Ton naftë diesel. Duke qenë kështu, nga TEC-i u shpenzuan gjatë vitit 2010 vetëm rreth 6200 Ton naftë diesel.
  • Duke qenë se KESH-i e kishte gjendje apo të kontraktuar naftën diesel për prodhimin e EE të nevojshme sipas kushteve të garancisë se TEC-it, sepse ajo ju garantua KESH-it nga ERE nëpërmjet çmimit të EE për KESH-in për vitin 2010, në vleftën 2.02 lek/kwh, ERE e refuzoi kërkesën e KESH-it në aplikimin e këtij të fundit për çmime e tarifa për vitin 2011. ERE nuk mund të pajtohej kurrsesi me kërkesën që KESH-i të importonte edhe rreth 50 mijë Ton të tjera naftë diesel me justifikimin se gjate vitit 2011 kishte planifikuar të prodhonte 246 Gwh. Nga analiza e kësaj situate ERE i njohu KESH-it vetëm shpenzimet për prodhimin me TEC-in e Vlorës vetëm të 26Gwh EE, ose aq sa ai kishte shpenzuar gjatë vitit 2010 për vënien në punë të TEC-it por që për arsye teknike nuk mundi të plotësonte prodhimin e të gjithë EE të kërkuar për garancinë teknike. Duhet të theksojmë se kostoja e prodhimit të energjisë elektrike nga TEC-i i Vlorës rezultonte rreth 21 lek/kwh në një kohë që kostoja mesatare e importit të EE për atë periudhë rezultonte jo më shumë se 9 lek/kwh. në këto kushte ERE nuk mund të pranonte futjen në punë të TEC-it të Vlorës për asnjë arsye tjetër veçse për respektimin e kushteve të garancisë teknike nga ana e ndërtuesit.
  • Sikurse është theksuar në piken 4-c më sipër, kushtet hidrologjike për vitin 2011 ishin krejtësisht të ndryshme nga ato të vitit 2010. për efekt të këtyre ndryshimeve që mund t’i quanim dramatike, mbasi prodhimi i EE ra më 47%, konsumi u rrit më 5% dhe importi total u rrit më 70% çmimi i vendosur nga ERE sipas metodologjisë përkatëse prej 1.48 lek/kwh për KESH-in, nuk mund t’i mbulonte këto kosto faktike në rritje të theksuar. Është kjo arsyeja që këto kosto të pambuluara nga çmimi 1.48 lek/kwh për vitin 2011, në përputhje më Metodologjinë e Çmimeve dhe Tarifave u transferuan si shpenzime në vlerësimin e çmimit të EE për KESH-in për vitin 2012, duke kompensuar në këtë mënyrë, automatikisht “dëmin financiar” të shkaktuar KESH-it nga tarifa 1.48 lek/kwh e vitit 2011. Vendimi i Bordit të Komisionerëve të ERE-s i dhjetorit 2011 për çmimet dhe tarifat e vitit 2012, sipas të cilit, çmimi i shitjes se EE nga KESH-i të OSSH, ose sikurse quhet çmimi i Furnizuesit Publik me Shumicë u vendos në 2.86 lek/kwh, duke kompensuar në këtë mënyrë për llogari të KESH-it të gjitha kostot e tepërta të krijuara nga viti i mëparshëm.
  • Qeveria, si pronare e Korporatës Shtetërore KESH, duke marrë në konsideratë pretendimin e KESH-it për një rritje të çmimit të EE në masën 95% për vitin 2011, nuk u pajtua me vendimin e ERE-s të 7 Dhjetorit 2010 dhe i kërkoi KESH-it që të paraqiste konform procedurave përkatëse, ankimim në ERE për ndryshimin e çmimit. Bordi i Komisionerëve të ERE-s mbasi shqyrtoi ankimimin nuk gjeti asnjë argument të ri që të përligjte ndryshimin e çmimit dhe prandaj la në fuqi çmimin e miratuar në Dhjetor 2010. Duhet theksuar se të dy vendimet u votuan në unanimitet nga të pestë anëtarët e Bordit.
  • Mbas këtij vendimi, KESH-i me kërkesë të Qeverisë e paditi ERE-n në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, për të rrëzuar vendimin e ERE-s. Mbasi e shqyrtoi padinë gjykata la në fuqi vendimin e ERE-s. Mbas kësaj KESH-i e apeloi këtë vendimin në Gjykatën e Apelit në Tiranë, e cila me vendim të formës së prerë la gjithashtu në fuqi vendimin e ERE-s.
  • Në klimën e këtij ballafaqimi mosbesimi nga ana e Qeverisë ndaj Bordit të Komisionerëve dhe veçanërisht ndaj meje, në mënyrë të personalizuar, në datën 7 Shkurt 2011 i paraqita zyrtarisht kryetares së Kuvendit, zonjës Topalli, dorëheqjen e pakthyeshme. Shpreh keqardhjen që nga disa personalitete politike të opozitës së sotme parlamentare, deklarohet në mënyrë të pavërtetë, sikur unë jam ndëshkuar nga Qeveria duke u shkarkuar nga detyra. Por shkarkimi im sikurse edhe emërimi, sipas ligjit mund të kryhej vetëm me vendim të Kuvendit të Shqipërisë dhe me votim në séancë plenare, gjë që nuk ka ndodhur kurrë.
  • Shërbimi i Auditit i Kuvendit, mbasi unë isha larguar nga detyra, e auditoi të gjithë procesin për caktimin e çmimeve të EE për vitin 2011 nga ana e ERE-s dhe rezultatet e këtij auditimi janë reflektuar në Rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë “Për vlerësimin e veprimtarisë së Entit Rregullator të Energjisë, (ERE) për vitin 2010” e cila u miratua me votim në seancën plenare të Kuvendit të datës 26 Maj 2011. Nuk dëshiroj të bëj asnjë koment për përmbajtjen e rezolutës sepse ajo është publike në site-in e Kuvendit të Shqipërisë, por e ndjej të nevojshme të citoj vetëm vlerësimin që ajo i bën caktimit të çmimit të EE nga ERE për vitin 2011, si më poshtë: “Mbështetur në metodologjinë përkatëse, ka kryer në kohë përcaktimin e tarifave të reja për veprimtaritë e prodhimit, furnizimit publik me shumicë, transmetimit dhe furnizimit publik më pakicë të energjisë elektrike për klientët tariforë”.
  • Gjatë kësaj periudhe, në shortin e hedhur nga ILDKP, mua më ra lotaria për t’u hetuar nga ana e këtij institucioni në mënyrë të hollësishme për të ardhurat dhe gjendjen pasurore të familjes sime. në përfundim të hetimit mu dorëzua një kopje e procesverbalit në të cilin deklarohej se në të ardhurat dhe në gjendjen pasurore të familjes sime nuk kishte asnjë element anti ligjor apo abuziv.
  • Mendoj se është me rëndësi të theksoj se ERE, veçanërisht në veprimtarinë për vlerësimin e çmimeve dhe tarifave të energjisë elektrike mbas privatizimit të OSSH-së nga CEZ është asistuar me ekspert të çmimeve dhe tarifave të rregulluara të cilët janë atashuar pranë Drejtorisë së Çmimeve e Tarifave në ERE për gjatë gjithë periudhës së analizës dhe caktimit të çmimeve. Këta ekspertë të kompanisë konsulente amerikane AEIA janë financuar nga programi i USAID-it për mbështetjen e ERE-s, në mënyrë që vendimet për çmimet dhe tarifat të ishin sa më objektive, të paanshme dhe të pavarura.

*ish-kryetar i ERE-s

SHKARKO APP