Më mirë tu rrefehem

 

Nga Ilir Levonja

Rrëfimi i mëposhtëm vjen si shërbesë me përpjekjen e mirë për t'i dhënë përgjigje disa dhjetra pyetjeve. Disa dhjetra kërkesave të sinqerta në lidhje me artin poetik. Disa zërave që kanë nisur rrugën e meditimit. Duke menduar se fjala e një paraardhësi është suporti i duhur për t'i mbajtur në shina. Duke ëndërruar me të drejtë, një vëmendje që shpesh i bën të ndihen të vetmuar. Dhe me që jemi tek vetmia. Po e themi për së pari…, krijuesi është qënia më vetmitare në ekzistencën e tij. Jo për një, por për dhjetra e dhjetra arsye. Ndaj është krijues.

Miq të mirë, të reja apo të rinj që sapo keni nisur udhëtimin. Që me dashamirësi më pyesni se çfarë mendoj, çfarë duhet të them unë për krijimtarinë tuaj? Këto e-maile unë i ruaj. U gëzohem. Dhe dua t'u gëzojë edhe ju.

Unë do të përpiqem të bëj një listë me mendësinë time. Duke thënë atë që ndodh brenda meje. Duke thënë atë që është dhe jo atë që duhet. Pra më mirë tu rrëfehem.

1) Por besomëni, më i pa afti për të thënë fjalën që ju kërkoni, jam pikërisht unë. Ose më shkoqur, mos u merrni fare me krijuesit e gjallë. Vlerësuesi që u duhet është lexuesi. Rrëmbeni zemrat e tyre që të  ndjeni fuqinë magjike të fjalës tuaj. Po e përmend këtë pasi shoh që disa vuajnë nga puna e çmimeve që jepen, ndahen, apo shiten. Janë të gjitha të mundshme. Por është më e bukur të shkruash për lexuesin se sa për çmimet. Edhe çmimi më madhor një ditë kthehet në fakt historik, por asesi në memorien e një populli apo lexuesi të tërë. Unë sot përshembull nuk e mbaj mend De Radën për çmimet, por për një varg të tillë që s'lodhem së përmenduri…, ''Bie, por s'dua të fle''.

2)Hiqni dorë nga dhurimi i librave. Sado shenjtëri ka një dhuratë, tek libri duhet të mbani dorën. Pjesa dërrmuese e krijuesve botojnë me paratë e xhepit të tyre ose të ndonjë sponsori dashamirë. Por edhe para të marra borxh. Ose ose me paratë e fëmijëve në kurbet…, edhe me forma të tjera suporti nga miqësitë në shtetin tonë të bjerrur. Ka miq që u afrohen e u zemërohen për një kopje. Ndërkohë miqtë duhet të jenë të parët tek banaku. Madje duhet të jenë promotorët tuaj. Nga ana tjetër kujtohuni se, Miku i shkrimtarit ndodhet në bibliotekë. Kështu më mirë çojuani bibliotekave të vendit. Sot janë rrugët e hapura. Le tu gëzohet një lexues, qoftë edhe (1). Në Tiranë, Prishtinë, Shkup, Prizëren, Shkodër etj…, se sa ata me të cilët ndani birrat apo kafetë përditë. Hiqni dorë nga këto qoka dite, pasi libri i falur nuk lexohet. Kësisoj as mos iu zemëroni kur nuk u falin libra. Biles jetoni sa më pak më këtë situatë.

3)Tani tek poezia. Mos pyesni asnjëherë të tjerët nëse u pëlqeu apo jo poezia që shkruat. Por as mos i injoroni kur u thonë diçka. Shkruani për veten tuaj së pari. Po u pëlqeu ajo që keni thënë. Keni bërë diçka. Oreksi dhe shijet e të tjerëve janë të pafundmve. Poezia është një gjëndje tekanjoze që ka oreksin e saj dhe jo të atij që e lexon. I cili, apo e cila mund të jetë në një gjëndje ndryshe shpirtërore. Ndaj qëllon që vargjet që sot nuk na duken kushedi, na lënë mbresa në një ditë tjetër. Në poetikën tonë, kemi rastin e Lasgush Poradecit. Na dukej i vjetëruar në fillimet e letërsisë sonë të realizmit. Tani vdesim e kemi në majë të gjuhës.

4)Çdo gjë e shkruar, përmes kësaj ndjesie merr vlerë kohore. Që domethënë mund të mos gëzoni asnjë, askënd, askund… Dhe prapë të keni vlera. Dhe që mund t'u shijojnë atëhere kur ju nuk do të jeni. Siç ndodh sot me rastin Mitrush Kuteli. Por dhe prapë mund të harroheni bodrumeve për shkak të ndonjë revolucioni shoqëror. Të dënoheni. Të vareni në mes të sheshit. Siç ndodhi me Havzi Nelën në Kukës. Ose të dëboheni nga vendi juaj. Eshtë rasti i fenomenit Borhes në Argjentinë. Nerudës në Kili. Ricosit në Greqi. Danucios në Itali. Hikmetit në Turqi.

Pra shikojeni veten si krijues deri aty kur kënaqni instiktin tuaj. Pra veten për së pari pastaj të tjerët.

5)Pyetjes se kë të lexojmë? Dua t'i përgjigjem po prapë duke ndjekur shijen tuaj. Nëse keni qejf letërsi që u argëton. Lexoni atë lloj krijimtarie. Nëse keni qejf letërsi që ju zymtëson, lexoni atë. E rëndësishme është të mos e bëni për modë, por të udhëhequr nga shija juaj. Megjithatë më e rendësishmja është të lexoni sa më shumë sa jeni të rinj. E shumta deri tek të tridhjetat. Më pas nuk lexohet. Ose lexohet shumë pak. Dhe ka një shpjegim, o bëhesh krijues o mbetesh lexues.

6)Sot ka liri të plotë krijuese, por liria është edhe rreziku më i madh i krijuesit.

Mendon se mund të bëhesh i famshëm. Mendon se mund të bëhesh i pasur. Mendon se je qëndra e vëmendjes. Mendon se je vetmitar. Mendon se je disfatist. Mendon se të kanë ngrënë hakun. Pushteti nuk po bën për ty, shteti nuk po të jep, vendi të ka harruar etj. Mendon se ta kanë me hile, se të kanë dëbuar, se të kanë sëmurur etj. Siç e shikojmë liria për së pari është e kërcënuar prej teje. Pra armiku mund të jesh edhe ti, për ty. Jo vendi, jo toka. Në këtë këndvështrim mbaj fytyrën e krijonjësit me pak mëshirë Zoti. Të krijonjësit. Atij që u përket të gjithëve por që nuk ka asgjë të përbashkët me çfarë përmendëm mësipër.

7)Sot ankohen për kritikë dhe ka një kritikë letrare shoqërore, mes të njohurish etj. Mos e kërkoni asnjëherë suksesin kësisoj. Do jeni të robëruar, të ndrydhur dhe do u tretet dashuria. Kësisoj do i filloni projektet me inat, kur duhet t'i filloni normalisht dhe me dashuri që i ngjan dashurisë së parë fare në jetën tuaj.

Megjithatë kritiku më i mirë je ti. Thuaja vetes çdo ditë. Se, jo në çdo të tillë njerëzore do bësh gjëra të bukura. Pra, jo gjithçka që shkruan është domodoshmërisht e pëlqyeshme. Duhet të pëlqehet.

Megjithatë një poezi e dobët sot, por jo vetëm ajo, të sjell më fuqishëm të nesërmen. Dhe ti duhet të dallosh kufirin midis tyre për tu përsosur.

8)Përfshihuni në jetën e përditshme. Mos kini frikë nga pjesëmarrja. Nga bindjet e ndryshme politike. Përfshirja e çdo qytetari në jetën e një vendi, është më e dobishme se mospërfshirja. Se sa ata zërat indeferentë që tundin në ajër diplomat, kualifikimet etj. Intelektual nuk të bën tagri, por përfshirja. Por si kudo ekzistenca juaj është ta bëj më të bukur dhe më të komunikueshme jetën e vendit.

Mos bëni kompromise pasi do vrisni misionarin brenda jush.

9) Mësoni sa më shumë gjuhë të huaja. Lëvizni .. Mësojini për të komunikuar dhe lexuar, jo për t'ju mburrur njeri-tjetrit. Bota po shkon drejt globalizmit, megjithatë përvoja me gjuhët është një bukuri pranverore sidomos për të kuptuar përfundimisht se, vokacioni është pararendës i çdo disipline gjuhësore. Ta dini përmes poezisë mësohet me argëtim.

Do zbuloni se sa e bukur është letërsia e krahasuar. Se shumë të përbashkëta kemi.

Do kuptoni se ajo që na ka bërë të huaj ka qënë liria e munguar. Dhe se liria është mirëfilli poezia që ndodh brenda jush. Vështrimet, duart, ngjyrat, traditat janë metaforat që i duhen gjuhës suaj.

10)Me që jemi tek gjuha, shkruani dhe krijoni ashtu si ua udhëzon gjuha brenda gjoksit. Me dashuri dhe kujdes, pa u përfshirë në debatet shterpe të gjuhës së njësuar. Gjuha e artit nuk është ajo e shtetit, por e kombit. Aty ka tinguj të paparë, fjalë të pa dëgjuara. E që ju mund të sillni tinguj të tjerë, fjalë të reja. Eshtë një begati ngjyrash vetëm se duan dashuri, jo kritere.

Ka kapërcylle tingujsh që janë mjalt në një dialekt. Ashtu sikur ka edhe të tjerë në dialektin tjetër. Jetoi dhe përjetoi. Dhe na i sill edhe neve ashtu si i pa e i dëgjoi qënia jote. Jo se si e duan akademikët. E para ka lindur fjala, bëlbëzimi, mbasandaj disiplina.

Krijuesi është misionar i bëlbëzimit në ripërtëritjen e së përditshmes.

11)Shkruani dhe krijoni në gjuhën që ndiheni mirë. Por mos urreni as ata bashkëkombas që shkruajnë edhe në gjuhën e huaj. Janë pjesë e jetës dhe e përvojave personale. Ka krijues që sa më shumë u largohen vendit të tyre, aq më shumë e duan atë. Dhe gjithçka të tijën. Ashtu sikur ka edhe të tillë që nuk mendojnë si ty.  Dhe ne, për asnjë arsye nuk mund të themi se ata nuk duan vendin e origjinës. Aq më tepër që e dimë botën e tjetrit përmes asaj brenda tonës. Prapë ekzistenca është përvojë personale. Dhe ne prandaj jemi krijonjës. Përmes ekzistencave tona. Sepse kështu, duke gjykuar, duke treguar me gisht, ne pa dashje bëhemi ndëshkonjës. Dhe harrojmë që jemi krijonjës.

12)Vlerësoni kohën. Tani u duket sikur e keni me shumicë. Do vi shumë shpejt dita që do u duket e kundërta. Që do urreni veten se sa bjerrakohës keni qënë. Se sa pak ka njeriu nëpër duar prej pamatësisë së saj.

13)Sigurisht çfarë unë thashë nuk është absolute, por i thashë për faktin e besimit tuaj. Ju më dhatë mundësinë të flasë për këto gjëra ndaj dhe ju falenderojë. Dhe ju urojë suksesin.

SHKARKO APP