Meta: Koha që opozita të marrë përgjegjësitë e saj në Kuvend

Unë besoj se janë plotësuar të gjitha kushtet dhe janë pjekur të gjitha rrethanat që opozita të marrë të gjitha përgjegjësitë e saj në Kuvendin e Shqipërisë”. Kështu i është përgjigjur dje kreu i Kuvendit, Ilir Meta interesimit të medias lidhur me çështjen e rikthimit në Kuvend të opozitës, në një kohë kur deputetët e saj rrezikojnë seriozisht mandatet e tyre. Duke insistuar se ka ardhur koha që opozita të përmbushë të gjitha detyrimet e saj kushtetuese dhe parlamentare para votuesve të saj në radhë të parë dhe para vendit gjithashtu. E në këtë kuadër, ai ka sqaruar se mazhoranca beson që i ka plotësuar të gjitha kërkesat e opozitës, qofshin këto për ngritjen e komisioneve hetimore, edhe për të drejtën e fjalës së përfaqësuesit të opozitës pas kryeministrit. Duke e cilësuar madje këtë situatë edhe si një rast unik në historinë e parlamentarizmit. “Pasi nuk besoj se ka një rast të dytë në Evropë, që është edhe kontinenti më demokratik deri më tani”, tha ai lidhur me një fakt të tillë. Për të shtuar nga ana tjetër edhe se “jemi të hapur për të diskutuar dhe për të çuar përpara çdo propozim të opozitës që ndihmon në rritjen e transparencës së Kuvendit dhe njëkohësisht edhe të vetë deputetëve”. Duke iu referuar kësisoj njërit nga kushtet që po përflitet si i përcaktuar prej opozitës, siç është dekriminalizimi i Kuvendit si i tillë. Dhe gjithmonë në kuadrin e negociatave të mundshme me opozitën, lidhur me vizitën e paralajmëruar të eurodeputetit Eduard Kukan në Tiranë, kryeparlamentari Ilir Meta e ka cilësuar atë si një njeri që është i mirëpritur për vendin tonë. “Kukan është një personalitet i nderuar i parlamentit europian dhe i politikës europiane. Gjithmonë në krye të përpjekjeve të parlamentit europian për të mbështetur Shqipërinë për tu integruar në Europë dhe për të arritur standardet europian. Kukan është gjithmonë i mirëpritur dhe çdo përfaqësues tjetër i parlamentit europian”, vlerësoi kreu i Kuvendit. Për të përfunduar me qëndrimin e tij mbi zgjedhjen e Guvernatorit të ri të Bankës së Shqipërisë, rreth të cilit ka pohuar se Presidenti i Republikës tashmë i ka përmbushur obligimet e tij kushtetuese. Dhe duke shtuar se “edhe Kuvendi do të përmbushë detyrimet e tij kushtetuese dhe ligjore”. Por edhe faktin tjetër se ndërsa është takuar dje me Kryeministrin në fakt nuk kanë diskutuar për Guvernatorin e ri të Bankës së Shqipërisë.

 

 

DEKLARATA

“Ka ardhur koha që opozita të përmbushë të gjitha detyrimet e saj kushtetuese dhe parlamentare para votuesve të saj në radhë të parë dhe para vendit gjithashtu. Janë plotësuar të gjitha kushtet dhe janë pjekur të gjitha rrethanat që opozita të marrë të gjitha përgjegjësitë e saj në Kuvendin e Shqipërisë”

 

SHKARKO APP