Meta: Norvegjia, modeli i zhvillimit për Shqipërinë
I pranishëm në Forumin e 4-t me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit që po zhvillohet këtë javë në Pragë, Kryetari i Kuvendit Ilir Meta zhvilloi një takim dypalësh disa homologë të vendeve të pranishme në këtë takim. Meta u takua me Presidentin e Parlamentit të Norvegjisë, Olemic Thommessen, kryetari i Parlamentit të Irlandës, Sean Barret dhe Presidentin e Dhomës së Përfaqësuesve të Qipros, Yiannakis Omirou. Gjatë takimit me kryeparlamentarin e Norvegjisë, Meta vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Norvegjisë, veçanërisht në drejtim të fushës së investimeve, shprehu vullnetin për ngritjen e bashkëpunimit dhe shkëmbimeve ndërparlamentare në një stad të ri përmes grupeve të miqësisë, komisioneve parlamentare dhe administratave reciproke. "Norvegjia është një vend me rëndësi të veçantë për Shqipërinë dhe një model i zhvillimit demokratik dhe të drejtave të njeriut, dhe si e tillë përfaqëson një partner te rëndësishëm bashkëpunimi për shqiptarët, si dhe për të gjithë rajonin ku mbështetja norvegjeze vlerësohet maksimalisht",- tha Meta. Ndërsa Presidenti i Parlamentit të Norvegjisë,. Olemic Thommessen shprehu vullnetin për konkretizimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe ndau bindjen se bashkëpunimi mes dy parlamenteve do t'i shërbejë intensifikimit të tyre, veçanërisht në një Evrope ku solidariteti dhe bashkëpunimi janë më të nevojshme se kurrë. Gjatë takimit me Kryetarin e Parlamentit të Irlandës, Sean Barret, Meta vlerësoi marrëdhëniet dhe miqësinë që ekziston mes Shqipërisë dhe Irlandës, duke theksuar se miqësia e ngrohtë që ekziston mes dy popujve duhet reflektuar përmes një dinamike të re në marrëdhëniet dypalëshe. Në këtë kuadër, Meta dhe Barrett ndanë bindjen e përbashkët se shkëmbimet ndërparlamentare duhen intensifikuar përmes iniciativave konkrete të grupeve të miqësisë, komisioneve parlamentare dhe administratave reciproke. Kryetari i Parlamentit të Irlandës, Sean Barret, duke vlerësuar progresin e Shqipërisë në vite, konfirmoi mbështetjen e plotë të Irlandës përgjatë procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, duke nënvizuar se Irlanda është e gatshme të ofrojë ekspertizën e saj në këtë kontekst, si një vend që ka përfituar zhvillim ekonomik e social të madh falë anëtarësimit në BE. Gjatë takimit me Presidentin e Dhomës së Përfaqësuesve të Qipros, Yiannakis Omirou, Meta vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve mes dy vendeve dhe shprehu vullnetin për intensifikimin dhe rritjen e bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Parlamentit të Qipros, përmes grupeve të miqësisë, komisioneve parlamentare dhe administratave reciproke. Meta dhe Omirou ndanë bindjen se duke qenë vende të pellgut të Mesdheut, Shqipëria dhe Qipro kanë shumë interesa dhe fusha bashkëpunimi të përbashkëta, dhe në këtë kuadër, dy parlamentet do të mbështesin qeveritë reciproke për forcimin e bashkëpunimit në fushat e turizmit, agro-përpunimit, financave dhe transportit detar, me qëllim ngritjen e marrëdhënieve dypalëshe drejt një niveli tjetër më dinamik.