Mima: Mandatet nuk janë të deputetëve, janë të popullit
Lajme E Shtunë, 17 Prill 2021 18:31
Nga Sidorela Lepuri
Deputeti i Partisë Demokratike, Florion Mima, thotë në një intervistë për “Koha Jonë”se çështja e djegies së mandateve nuk ka rëndësi për Partinë Demokratike, pasi mandatet sipas tij janë të popullit. Ai shprehet gjithashtu se PD-ja ndodhet jashtë Kuvendit, pasi nuk mund të bashkëjetojë në një institucion, të cilin mazhoranca e ka kthyer në një instrument për sundimin oligarkik.“Ne jemi jashtë pasi në atë sallë nuk mund të bashkëjetojnë edhe integriteti e ndershmëria, edhe bota e nëntokës, edhe ata që duan të ndërtojnë një sistem ku mbretëron ligji, por edhe ata që ligjin e kanë kthyer në një instrument për të kënaqur etjet e tyre për sundim oligarkik e pasurim të shpejtë e te paligjshëm”, pohon ai….
Z. Mima, nëse deputetët e PD-së nuk rikthehen në parlament, ata rrezikojnë t'u digjen mandatet në fillim të janarit të vitit 2015. A është menduar se si do të veprohet?
Më lejoni që në fillim të theksoj se mandatet janë të popullit, ne vetëm se jemi ngarkuar t’i përdorim ato për një legjislaturë të caktuar dhe vetëm për të përfaqësuar popullin në Kuvendin e Shqipërisë. Ajo që ju e quani ‘djegie të mandateve’ është fare e parëndësishme, krahasuar me atë se përse një grup parlamentar, përse të gjithë deputetët e tij, janë jashtë parlamentit të vendit të tyre, janë jashtë sallës ku i ka dërguar populli që ta përfaqësojnë. Ne jemi jashtë, pasi në atë sallë nuk mund të bashkëjetojnë edhe integriteti e ndershmëria, edhe bota e nëntokës, edhe ata që duan të ndërtojnë një sistem ku mbretëron ligji, por edhe ata që ligjin e kanë kthyer në një instrument për të kënaqur etjet e tyre për sundim oligarkik e pasurim të shpejtë e te paligjshëm. Nëse një opozite i ke hequr mundësinë për të kontrolluar ekzekutivin, nëse asaj i privon të drejtën për të hetuar ligjshmërinë e akteve, veprimeve, aksioneve, procedurave etj, të ndjekura nga ekzekutivi, nëse opozitën e lincon në mënyre barbare me urdhër politik dhe pastaj del e thua që opozita është e mirëpritur të vijë në Kuvend, atëherë natyrshëm lind pyetja ‘Përse duhet të jetë në Kuvend opozita e sotme?’. Për t’u bërë rimel kozmetik i mazhorancës? Për të gënjyer shqiptarët dhe botën dhe për t’u hedhur hi syve se në këtë vend gjërat po shkojnë mirë? Jo, në atë sallë sot është ulur paligjshmëria dhe ne preferojmë të rrimë me popullin, i cili na ka votuar për të mbrojtur interesat e tij.
Qarkullojnë zëra se Partia Demokratike do t’i djegë mandatet e deputetëve me qëllim që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme…
Unë nuk e di se ku qarkullojnë këto zëra dhe sinqerisht nuk do doja të merrem me interpretimin e zërave, thashethemeve dhe teorive të ndryshme konspirative. Opozita e ka bërë të qartë qëndrimin e saj se ajo është e gatshme të kthehet në Kuvend vetëm nëse ka vullnet për të rikthyer ligjshmërinë, për të zbatuar vendimet e gjykatave, për të hequr dorë nga kapja e institucioneve të pavarura, për të ndalur shkatërrimin e shërbimit civil e administratës publike etj, dhe e gjitha kjo të finalizohet me një marrëveshje të garantuar nga një faktor ndërkombëtar. Ne jemi të bindur se e drejta është në krahun tonë dhe se ata 200 mijë veta që mbushën sheshin dolën aty, ndër të tjera, edhe për kthimin e ligjshmërisë në të gjitha fushat e jetës së vendit.
Personalisht, a jeni gati të humbisni mandatin tuaj?
Unë, njëlloj si të gjithë deputetët e tjerë të Partisë Demokratike, nuk kemi marrë një mandat personal. Ne kemi qenë pjesë e listës shumëemërore të partisë sonë dhe pavarësisht se secili mund të ketë qenë vlerë e shtuar në tërësinë e asaj liste, përsëri mendoj se ne jemi deputetë, pikë së pari sepse kemi marrë një pozicion kualifikues në atë listë nëpërmjet garave paraprake të zhvilluara brenda partisë sonë. Por edhe sikur ne të kishim ardhur në Kuvend me sistemin e vjetër mazhoritar, përsëri unë jam i palëkundur në bindjen time se sovraniteti individual përfundon në momentin kur ke pranuar të bashkohesh në një familje vlerash të përbashkëta. Besoj se njëlloj si unë mendojnë të gjithë deputetët e PD-së dhe jua ritheksoj, mandatet nuk janë tonat, ato janë të popullit dhe vetëm atij mund t’ia dorëzojmë.
Para pak ditësh u mblodh Këshilli Kombëtar i PD-së për të zgjedhur strukturat e reja drejtuese. Ajo që u vu re ishte se mbetën jashtë nga strukturat e larta drejtuese të PD-së emra të vjetër të kësaj partie, sikurse ishin Jozefina Topalli, Eduart Selami, Astrit Patozi, etj. Si i komentoni këto zgjedhje?
Mendoj se zgjedhjet e para pak ditëve janë të parat, absolutisht të parat zgjedhje të lira, të ndershme, të hapura, transparente etj, të zhvilluara në historinë e partive politike shqiptare. Ato janë një model civilizues për t’u ndjekur nga të gjitha partitë politike shqiptare. Këto zgjedhje kanë prezantuar një model të ri dhe sot ne duhet të jemi krenare që PD-ja ka trupat e vet drejtues, jo të emëruar, por të zgjedhur nga anëtarësia e gjerë e saj. Në kryesinë e partisë ka figura të ndritura të përvojës gati çerek shekullore, ashtu siç ka edhe më të rinj të cilët sjellin energjinë dhe vizionin e tyre, për ta blinduar atë me përvojën, maturinë dhe urtësinë e më të vjetërve.
Si i vlerësoni deri tani reformat e tjera ekonomike që pretendon që ka ndërmarrë qeveria ‘Rama’?
Më përmendni dot një reformë që ju ka mbetur në mendje, apo një reformë që sjell diçka të re, a që shkon në linjë me premtimet elektorale të partive të mazhorancës? Jam i bindur se sado të lodheni, nuk do të gjeni dot as edhe një reformë të mirëfilltë që rrit punësimin, rrit eksportet, rrit konsumin, rrit të ardhurat e shqiptarëve dhe përmirëson jetën e tyre. Për të mos folur pastaj për shëndetësinë falas, legalizimet falas e shumë gjëra të tjera falas të cilat u tretën si kripa në ujë. ‘Reformat’ e vetme janë prishjet e ndërtimeve me leje, arrestimet e të vobektëve që nuk kanë me se të paguajnë energjinë elektrike. ‘Reformat’ e vetme janë mosrritja e pagave dhe pensioneve dhe shtimi i numrit të policëve, ulja e ndihmës ekonomike dhe rritja e numrit të policëve të burgjeve. Mund të vazhdoj pa fund me shembuj të tillë ‘reformash’ të cilat po ua bëjnë jetën një ferr të gjithë shqiptarëve, edhe atyre që votuan për këtë mazhorancë.
Në fund të muajit nëntor, qeveria miratoi Paketën Fiskale dhe projektbuxhetin e vitit 2015. Sipas këndvështrimit tuaj, çfarë mungon apo duhet shtuar në këtë projektbuxhet?
Ne i kemi dhënë mendimet tona se si mund të bëhej më njerëzor buxheti dhe paketa policore fiskale. Ato amendamente u injoruan me cinizëm nga mazhoranca. Sigurisht që nuk mund të merreshin parasysh pasi ato i prishnin rehatinë oligarkëve të cilët edhe këtë vit vijuan të rrisnin taksat dhe t’u kthenin mbrapsht tatimpaguesve gjithnjë e më pak në formën e investimeve publike. Buxheti dhe paketa policore përkthehen në futjen e dorës thellë në xhepin e popullit i cili duhet të paguajë për grykeësinë e qeverisë dhe njekohësisht ato japin lehtësira e përjashtime nga taksat për kliente pranë qeverisë. Buxheti dhe paketa policore rrisin shpenzimet për luksin e qeverisë dhe ulin shpenzimet për ndihmën ekonomike.
Përse PD-ja kundërshton operacionin që ka ndërmarrë qeveria ndaj debitorëve të energjisë elektrike, kur po sjell më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit dhe qytetarët po paguajnë detyrimet?
Kurrë nuk keni degjuar një prononcim nga PD-ja që ajo të kritikojë veprimet e ligjshme, theksoj veprimet e ligjshme, për mbledhjen e detyrimeve të papaguara apo edhe për të shkëputur të gjitha lidhjet e paligjshme në rrjet. Ajo që ne kemi mbrojtur me mjaft koherencë ka qenë kërkesa e palëkundur ndaj qeverisë për të mos rritur çmimin e energjisë për me të vobektët, për të mos arrestuar më të dobëtit të cilët nuk kanë mundësi të paguajnë energjinë. Të gjithë e kanë parë se ata që vërtet kanë vjedhur energjinë janë emëruar në krye të degëve të OSHEE dhe debia e tyre është e rangut të miliona lekëve dhe në burg shkojnë ata që marrin 1600 lekë në muaj ndihmë ekonomike dhe kanë një llampë si simbol të mjerimit në barrakat e tyre. Këtë ka kërkuar opozita dhe e gjitha kjo që po ndodh është thjesht tërheqje e vëmendjes nga rritja e çmimit të energjisë në një kohë që votuesit prisnin materializimin e premtimit për uljen e TVSH mbi çmimin e energjisë elektrike.
Sipas kryeministrit të vendit, gjatë vitit të parë të qeverisjes së majtë numri i të punësuarve ka arritur rreth 81 mijë persona. Sa reale është kjo shifër?
Opozita e priti me buzëqeshje një gënjeshtër të tillë. 81 mijë vende shtesë duhet të kishin sjellë rreth 20% rritje në të ardhurat nga tatimet, paga dhe kontributet e sigurimeve shoqërore. Ku jemi? As edhe një qindarkë. Madje edhe numri mesatar i kontribuesve ka pësuar ulje. Vetëm nëse këta 81 mijë vetë të jenë marrë në punë si nxënës, pa pagesë. Kështu që kjo është një barcaletë e këndshme për veshët e qeveritarëve të cilët ia tregojnë njëri-tjetrit e qeshin, por jo për veshët e qindra mijëra të papunëve për të cilët kjo është një kafshatë e pakapërdishme mjerimi.
Duke qenë se jemi tek punësimi, kryeministri pak ditë më parë deklaroi: "Burg për të gjithë biznesmenët apo drejtuesit e kompanive që nuk sigurojnë apo punësojnë persona në të zezë". Mendoni se kjo do t'i japë fund informalitetit?
Kjo është e dhimbshme. Të intimidosh klasën e sipërmarrësve të cilët tërheqin karrocën e halleve të këtij vendi është e papranueshme. Shqipëria ka informalitet, si çdo vend tjetër në botë. Ligjet tona e kanë adresuar edhe këtë fenomen. Ato japin rrugën sesi shteti të marrë në buxhet pjesën e të ardhurave që ai gjykon se është e tij. Të gjitha këto instrumente janë strikte, civile dhe nëse zbatohen askush nuk mund të shmangë qoftë edhe një qindarkë. Presioni që u bëhet me burgosje është reminishencë e diktaturës komuniste, është refleks që vjen nga koha e trajtimit të tregtarëve si kulakë, si shushunja, si vampirë që i pijnë gjakun popullit.
Humbja në zgjedhjeve të 23 Qershorit nga Partisë Demokratike dhe më pas, marrja e drejtimit të kësaj partie nga Lulzim Basha, ka sjellë një frymë të re dhe premtuese për partinë tuaj?
Është e vërtetë, ndjehet optimizëm, ndjehet që po punohet, strukturat janë rifreskuar, por nuk janë tjetërsuar, baza është riorganizuar dhe tashmë partia po funksionon si një makineri e stërmadhe e cila po punon në shumë rrafshe. Kështu ajo po përgatit teza të debatit opozitar, po kontakton me qytetarët për të marrë mendimet e tyre për bëmat e kësaj qeverie, po identifikon platformat e mundshme për fushat e ndërhyrjes së nesërme etj. Është një punë që nuk bie shumë në sy, por është një punë që do të japë frytet e saj nesër. Të gjitha departamentet kanë filluar të prodhojnë ide, teza, platforma, raporte, analiza etj, të cilat i shkojnë në kohë reale lidershipit, sekretariateve, anëtarësisë etj.